Skandali/Koncesioni i markimit të naftës ka përfunduar, qytetarët vazhdojnë të paguajnë koncesionarin!

Operatorët e karburanteve vijojnë të paguajnë tarifën e koncesionit të markimit të naftës, pavarësisht se afati për mbylljen e kontratës pritej data 1 gusht 2023.

Importuesit e naftës pohojnë se në rast se nuk paguajnë tarifën e markimit nuk iu mundësohet zhdoganimi i karburanteve.

“Nuk ka një autoritet që të ndjekë se si zbatohet kontrata dhe kjo është akoma më skandal se vetë kontrata”, pohuan drejtues të Shoqatës së Hidrokarbureve.

Pagesat për markimin e naftës ndaj koncensionarit janë përtej afatit të përfundimit të kontratës të deklaruar zyrtarisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave që i referohej vendimit të miratuar në vitin 2013 që përcakton datën efektive të nisjes së kontratës.

Në fakt, pagesa e këtij koncesioni bëhet direkt nga konsumatorët në çmimin e naftës, teksa operatorët thonë se vetëm ky koncesion e rrit çmimin me rreth 1 lekë për litër, ose rreth 7.6 milionë euro në vit. Që nga fillimi i këtij koncesioni, konsumatorët kanë paguar rreth 32 milionë euro në çmimin e naftës, sipas të ardhurave të deklaruara në bilanc nga koncesionari, ndërkohë që nuk ka të dhëna se sa efektiv ka qenë ai për luftimin e evazionit.

Afatet

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave pohoi më herët për Monitor se afati i përfundimit të kontratës është 1 gushti i këtij viti sipas parashikimeve të VKM nr.632, 31.07.2013 që ndryshoi me VKM nr.498, datë 30.05.2013 datën efektive të nisjes së kontratës koncensionare me afat 10 vjeçar nga 1 korrik më 1 gusht 2013.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk iu përgjigj kërkesës për informacion të Monitor për vijimin e pagesës së tarifës së koncesionit nga operatorët pas datës 1 Gusht, si dhe kur do të ndërpriten ato dhe se si do të vijojë më tej ky shërbim.

Shoqata e Hidrokarbureve deklaroi edhe më herët se operatorët e naftës po paguajnë prej muajsh tarifën e koncesionit të markimit në kundërshtim me ligjin, pasi sipas tyre kontrata ka përfunduar më 26 shkurt 2023 referuar anekseve të saj.

Të njëjtën datë të përfundimit të aktivitetit ka deklaruar në QKB edhe kompania koncesionare Global Fluid International (GFI). Kompanitë kërkuan ndërprerjen e pagesave, pasi janë antiligjore.

Vitin e kaluar Ministria e Financave dhe Ekonomisë, sipas këtyre përcaktimeve për mbylljen e kontratës në muajin gusht 2023, ngriti një grup pune me ekspertë të saj dhe Doganave të Përgjithshme.

Qëllimi i grupit të punës ishte përgatitja e inventarit për pajisjet e instaluara nga subjekti dhe përcaktimi se cila prej tyre do të kalonin në pronësi të shtetit. Por kompania koncesionare GFI Albania bllokoi në 2022 procesin e grupit të punës për mbylljen e koncesionit me pretendimin që ende nuk është realizuar një element i kontratës ai i markimit të naftës bruto.

Anëtarë të grupit të punës nga DPD të kontaktuar nga Monitor thanë më herët se tashmë këtë vit kanë përfunduar procedurat për inventarizimin e koncesionit. DPD pohoi se një tjetër grup pune është ngritur për koncesionin, por duke mos sqaruar se cili është objektivi i punës së tij. Ndërsa më herët Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk iu përgjigj kërkesës për informim të Monitor për afatet e përfundimit të koncesionit, dhe si do të vijohet më tej për këtë shërbim.

Për këtë kontratë koncensionare që kishte si qëllim markimin dhe gjurmimin e karburanteve që rezulton i paefektshëm sipas kompanive importuese janë paguar për 9 vite rreth 30 mln euro. Tarifa e koncensionit është paguar nga konsumatori, pasi ka rritur çdo vit çmimin e naftës 1 lekë për litër.

Ndërsa nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave edhe sot 10 vite pas zbatimit të kontratës koncensionare për markimin e naftës ende nuk ka të dhëna se sa i efektshëm ka qenë financiarisht ky koncesion në lidhje me luftën kundër kontrabandës. DPD pohoi për Monitor se procesi i gjurmimit të naftës ka funksionuar normalisht, ndërsa pyetjes për efektet e matshme, se sa janë rastet e zbulimit të kontrabandës së naftës apo vlera e tyre nëpërmjet gjurmimit të naftës nga kontrata koncensionare do te deklaronte se nuk ka koment.

Të ardhurat e koncesionarit

Deri në 2021, për 9 vite (periudha 2013-2021), të ardhurat e kompanisë GFI Albania sipas bilanceve në QKB janë rreth 3,4 mld lekë, apo 32 mln euro.

Në vitet 2013-2015, humbjet e kompanisë janë 282 mln lekë, ndërsa për vitet 2016-2021, fitimet janë rreth 856 mln lekë.

Në vitin e parë të operimit në 2013, të ardhurat e kompanisë nga markimi i karburantit arrinin 137 mln lekë. Vitin e parë, kompania e ka mbyllur me pozitë jo të mirë financiare. Humbjet arrinin rreth 99 mln lekë.

Më pas, në 2014, të ardhurat e kompanitë u rritën 170% më shumë se 2013, ndërsa humbjet u thelluan me 84%.

Në dhjetor të vitit 2014, GFI ka shitur 75% të aksioneve tek aksioneri i dytë, “Petroleum Consulting Partners”, që më parë kishte rreth 25% të aksioneve dhe pjesën tjetër prej 75% e kishte GFI, sipas të dhënave të QKB.

Të ardhurat e kompanisë në 2015 ishin 374,5 mln lekë, ndërsa humbjet ishin 31 mln lekë. Për vitin 2015, të ardhurat shënuan rritje të lehtë krahasuar me 2014, ndërsa humbjet e kompanisë u reduktuan 5-fish krahasuar me vitin paraardhës.

Nga viti 2016 deri në 2021, të ardhurat e kompanisë vijuan trendin rritës, me përjashtim të vitit 2020, ku për shkak të pandemisë të ardhurat ranë 7% krahasuar më 2019. Nga viti 2016 shënuan rritje edhe fitimet e kompanisë.

Më 16 shkurt 2022, GFI Albania ndryshoi pronarin përfitues apo individin, që ka në pronësi apo kontrollon subjektin. Pronarët përfitues të regjistruar fillimisht për kompaninë GFI Albania ishin Ismail Mulleti (shtetas shqiptar) dhe Assaf Halkin (shtetas izraelit).

Më 16 shkurt 2022, sipas Regjistrit të Pronarit Përfitues në QKB, janë çregjistruar Ismail Mulleti dhe Assaf Halkin dhe u regjistrua Nerve Korkmaz me shtetësi turke.

About Redaksia

Check Also

Shifra e frikshme/Paguan 140 milionë euro për një incenerator që nuk ekziston, paratë i vodhën

Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, foli për hetimet …

Leave a Reply