2 milionë shqiptarë të goditur nga pikiata e euros

Familjet që mbahen me dërgesat valutore të emigrantëve mund të blejnë më pak ushqime, ngaqë inflacioni i çmimeve të ushqimeve është rritur po aq sa ç’është ulur vlera e dërgesave valutore që ata marrin. Pra, goditje e dyfishtë financiare kjo për familjet e varura nga dërgesat valutore…

Në pyetësorin e Barometrit të Sigurisë Kombëtare që hartova vjet, ishte edhe një pyetje rreth dërgesave valutore të të afërmve emigrantë drejt familjeve të këtushme. Nga anketimi rigoroz në terren, rezultoi se 53% e familjeve shqiptare merrnin dërgesa valutore nga të afërmit e tyre emigrantë.

Me një ekstrapolim të përafërt, i bie që rreth 1.4 milionë banorë të Shqipërisë të jenë dëmtuar nga rënia drastike e Euros prej mëse 17% brenda një viti kalendarik (shihni grafikun shoqërues). Për shembull, një familje që merr nga të afërmit emigrantë 100 Euro në muaj, tani i shkëmben me 100 mijë lekë të vjetër, e jo me 117 mijë lekë të vjetër, siç i shkëmbente vjet (edhe valutat e tjera kanë pësuar rënie të ngjashme me të Euros në tregun e brendshëm valuator).

Për më tepër, me këto 100 mijë lekët e sotme, familjet që mbahen me dërgesat valutore të emigrantëve mund të blejnë më pak ushqime, ngaqë inflacioni i çmimeve të ushqimeve është rritur po aq sa ç’është ulur vlera e dërgesave valutore që ata marrin. Pra, goditje e dyfishtë financiare kjo për familjet e varura nga dërgesat valutore…

Por pikiata e euros godet edhe më gjerë. Rreth 500 mijë shqiptarë i kanë depozituar kursimet e tyre në bankat e vendit në valutë. Dikujt që ka pas kursyer 1 mijë euro deri vjet, sot nuk i vlejnë më 1 milion e 170 mijë lekë të vjetra, si vjet, por vetëm 1 milion. Për të mos vazhduar më tej me fasonierët, eksportuesit, dhe hotelierët, të cilët i arkëtojnë të ardhurat në Euro, që vlen sot 17% më pak se vjet…

Kuptohet që disa shqiptarë përfitojnë nga pikiata vjetore e euros, të parët janë grosistët që i blejnë mallrat në tregun e jashtëm me valutë të zhvelërsuar dhe i shesin mallrat në tregun e brendshëm me çmime në lekë të mbivlerësuar (ndërkohë që çmimet në tregun e brendshëm kanë regjistruar vetëm rritje, e jo ulje, siç mund të pritej nga zhvlerësimi i Euros). Gjithashtu, ata shqiptarë që kanë mundësinë të shkojnë jashtë vendit për pushime, mund t’i blejnë më lirë eurot që u duhen për të shpenzuar në vendet ku shkojnë.

Me pak fjalë, një shumicë dërrmuese e shqiptarëve vuan nga pikiata e euros, ndërsa një pakicë e vogël buzëqesh…

About Redaksia

Check Also

Kurti, 42 km për 7.9 milionë euro, Rama 43 km për 400 milionë dollarë

Në një botë ku teknologjia përparon dhe kostot teorikisht ulen, Shqipëria vazhdon të shkëlqejë me …

Leave a Reply