Europa e së ardhmes nuk mbyllet tek Europa

Një romancier francez, Olivier Guez, ka mbledhur 27 autorë, nga një prej secilit vend të Bashkimit Europian, për të kompozuar me tekstet e tyre një antologjik që dëshiron të jetë një «autoportret i Europës». Por, për shkak të Brexit, mungon Britania e Madhe: «La Lettura» e ka diskutuar me shkrimtarin britanik Hanif Kureishi, të cilit i ka dalë më 13 prill për shtëpinë botuese Bompiani Cosa è successo?, një përmbledhje me ese dhe histori për të kërkuar të përshtatet me ndryshimet kulturore dhe politike të dekadës së fundit.

Brexit ka detyruar të trajtohet një autoportret i Europës pa Britaninë e Madhe, vendin më multikulturor të Europës? Po humbasim diçka?

«Problemi është pikërisht ky: kështu përfundon që në libër të ketë vetëm autorë të bardhë. Rrezikojmë të mos e kapim plotësisht atë që ndodh vërtet në Europë: Europën e refugjatëve, Europën multikulturore… Ka një popullsi të madhe myslimane në Francë…».

Ndoshta është pikërisht ky kontributi i kulturës britanike…

«Edhe Franca ka një prani të ngjashme artistësh, muzikantësh, kompozitorësh, shkrimtarësh, sidomos në kinema».

Brexit na ka detyruar që të bëjmë pa Mbretërinë e Bashkuar, duke u shtyrë që ta identifikojmë Europën, edhe atë të kulturës, me Bashkimin Europian, që është një ngrehinë politike?

«Sigurisht, Bashkimi Europian është një entitet politiko – ekonomik, por jo një entitet kulturor dhe kulturalisht ne jemi rritur të gjithë duke lexuar letërsinë franceze, filozofinë gjermane dhe mendimin francez të pasluftës, që ka pasur një influencë të thellë, nga Jacques Lacan tek Roland Barthes tek Michel Foucault. Është kjo që na bën europianë. Por nëse do një hartë kulturore të Europës, duhet të flasësh edhe me të rinjtë, njerëzit me ngjyrë, me njerëzit e periferive, me një vizion shumë më të diversifikuar të asaj që mund të kesh për shembull në Itali. Përshtypja ime është se italianët jetojnë në një shoqëri të bardhë, nuk mendojnë as për çështjet e racës. E dua Italinë dhe italianët, por kam frikë se janë të përjashtuar nga ajo që po ndodh në Amerikë apo në Britaninë e Madhe me Black Lives Matter. Është gjithçka një çikë e prapambetur».

Francezët kanë sigurisht një problem me identitetin e shumëfishtë.

«Po, ama për gjeneratat e reja multikulturalizmi do të jetë shumë më qendror: shpresoj se do të dalë një Francë e re».

A ekziston në çdo rast një tipar i përbashkët për kulturën europiane?

«Po: ideja e iluminizmit, kritika ndaj atutoritetit, të Kishës dhe të Shtetit. Kjo traditë është e rëndësishme dhe duhet të mbështetet. Ideja e kulturës si një formë dekonstruktimi: e gjejmë ende në Francë, në Gjermani dhe në Mbretërinë e Bashkuar».

Është kjo rrënja jonë e përbashkët?

«Kultura është opozicion: autorë si Gustave Flaubert, Émile Zola, Jean-Paul Sartre apo Simone de Beauvoir, ngrinin të gjithë pyetje të rëndësishme».

Por a ka pasur tentativa për ta përkufizuar kulturën europiane të bazuar mbi rrënjët e saj kristiane?

«Nuk ka asgjë veçanërisht kristiane në gjithçka që këta autorë që sapo ju kam përmendur. Është një kulturë shekullare».

Britanikët janë ende të vëmendshëm ndaj kulturës europiane?

«Kam tri fëmijë 20 vjeçarë që shohin shumë filma francezë dhe italianë: janë të vetëdijshëm për kulturën europiane, edhe pse nuk e njohin shumë mirë. Ama të gjithë të rinjtë ngjajnë: një djalë nga Parisi vishet në të njëjtën mënyrë me një nga Londra, dëgjojnë të njëjtën muzikë, shohin të njëjtat filma, edhe falë mediave sociale. Unë dhe im bir kemi qenë në Beograd, në Serbi, dhe ai argëtohej me të rinjtë vendas: të njëjtat shije, të njëjtat gjëra».

Cili do të jetë kontributi britanik pas Brexit?

«E urrej Brexit, por nuk do ta ketë një impakt mbi faktin se të rinjtë kanë të njëjtën kulturë dhe të njëjtin këndvështrim të botës. Nuk do të ketë një ndrydhje të kulturës: fakti që Britania e Madhe dhe Franca tani janë të ndara nga Brexit nuk do të thotë se nuk e kemi një kulturë të madhe të përbashkët, nga muzika tek kinemaja tek arti».

Dhe ku e vendosim në këtë moment Rusinë, kultura e së cilës është pjesë përbërëse e asaj europiane?

«Duhet të bëjmë një dallim midis Putinit dhe të rinjve rusë, të cilët e urrejnë: urrejnë të jetojnë nën një regjim fashist dhe autoritar. Gjëja e vetme që mund të bëjnë është të ngrihen dhe ta heqin Putinin: është momenti për një revolucion nga poshtë në Rusi, anipse është shumë e rrezikshme».

Një politolog anglez, Christopher Coker, ka shkruar një libër mbi konceptin e shteteve – qytetërime: Europa është e tillë?

«Është e rëndësishme të mos kihen këto identifikime, pasi janë shumë të kufizuara. Të thuash për shembull se jemi një qytetërim kristian na ngërthen në një identitet që është shumë i kufizuar. Më pëlqen ta mendoj identitetin si diçka të përkohshme: në rrethana të caktuara ke nevojë të thuash se je gei apo heteroseksual, por në pjesën më të madhe të rasteve as nuk e mendon. Unë kam nevojë të them se jam me racë të përzier vetëm në rrethana të caktuara, është një identifikim që funksionon vetëm në disa kontekste. Për të cilën ideja e fiksimit të identitetit të një kombi në dy apo tri zona sempliciste më duket një ide shumë e kufizuar. Nëse dikush njofton: jam mysliman, ngërthehet në një zonë të kufizuar islamike. Nuk është vetëm mysliman, por është edhe kjo, ajo dhe diçka tjetër: ajo për të cilën kemi nevojë është pluraliteti».

Ekziston kështu rreziku i përkufizimit të identitetit europian në mënyrë shumë kufizuese.

«Për çfarë shërbejnë përkufizimet, çfarë dobishmërie kanë? Problemi është të jesh i hapur ndaj së ardhmes, ndaj asaj që do të ndodhë më pas. Identitetet janë të hapura, në një fluks, zhvillohen. Jetojmë në një botë të diversifikuar, jetojmë në një botë me gei, lezbike, njerëz me ngjyrë, njerëz të working class: veç në mos i përfshin të gjitha realitetet e konsideruara në margjina, kap vetëm një fraksion të vogël të gjithë kësaj. Ndoshta është një ide e kotë të kërkosh ta përkufizosh Europën në mënyrë të kufizuar».

Libri i Guez ka qenë një projekt i promovuar nga presidenca franceze, pikërisht në tentativën për të hequr një perimetër.

«Problemi qendror i Foucault, Lacan dhe Jacques Derrida është që ajo që lihet jashtë është më interesante se ajo që përfshihet. Duhet shikuar nga margjinat. Përfaqësojnë një simptomë, në terma frojdianë: kur përshkruan një rreth, ajo që është interesante është ajo që mbetet jashtë. Kjo është një tentativë konservatore: ama kultura franceze nuk është aspak uniforme, le të mendojmë për Jean Cocteau, për Jean Genet apo për veprën subversive të Michel Houellebecq».

Houellebecq thotë se Europa nuk ekziston.

«E kuptoj se çfarë dëshiron të thotë: nuk ekziston nëse e përkufizon në mënyrë tejet të kufizuar. E pranoj këndvështrimin e tij: çdo përkufizim lë jashtë shumë, mund të jetë autoritar».

A ka një tipar autoritar në historinë dhe në kulturën europiane?

«Kultura është edhe mospranim. Një prej gjërave më të rëndësishme është konflikti midis asaj që është e pranueshme dhe asaj që nuk është: artisti do të duhej të jetë në limitin midis të pranueshmes dhe të papranueshmes. Është një luftë».

Në antologji shfaqet një përçarje kulturore me Europën qendrolindore, shikimi i së cilës duket më shumë i drejtur ndaj së kaluarës.

«Në Lindje janë shumë të zemëruar: më parë kanë pasur komunizmin dhe tani janë hedhur në një version ekstrem të kapitalizmit neoliberal. Kanë varfëri dhe pabarazi të nadhe, është e natyrshme që t’i drejtohen fashizmit dhe së djathtës ekstreme për ta siguruar identitetin e tyre. Janë në një spirale: shikon nga e kaluara kur nuk mund të shikosh nga e ardhmja. Tentativa artificiale për të ndërtuar një identitet të bazuar mbi të kaluarën».

Ka në fakt një identitet «progresiv»?

«Është ideja se identiteti është i përkohshëm. Mund të ndërrosh, mund të ndryshosh, të jesh i hapur: kush dëshiron të jesh, jo kush ishim. Kur eci nëpër Londër nuk mendoj se kush ishte im atë, faktikisht jam me racë mikse: ky lështë vendi im, këtu ndjehem në shtëpi, por kur jam në Francë apo në Gjermani, më pyesin: kush je? Ku futesh? Nuk e mendoj aspak, askush në Londër nuk e mendon».

Kjo është diferenca e madhe me Europën kontinentale.

«Po, këtu më pyesin: je vërtet britanik? Këtu askush nuk më pyet prej 20 vitesh. Nuk ka një ide të njeriut britanik ideal në të cilin unë nuk futem».

Atëhere Londra paraqitet si e ardhmja e Europës?

«Qemë e ardhmja, një herë: kjo ide e Europës liberale po kufizohet, është nën sulm me pushtimin e Ukrainës».

Tani po tingëlloni pesimist…

«Pas asaj që po ndodh, kur një vend i lirë dhe demokratik është i pushtuar nga një qeveri autoritare, ndjehesh pak pesimist. Pastaj shikon që edhe njerëz si Éric Zemmour, që ka një mbështetje të madhe në Francë».

Një fenomen që do të ishte i pamendueshëm në Britaninë e Madhe.

«Jo, nuk kemi fashistë në këtë mënyrë, nuk kemi një histori të kësaj natyre».

Është edhe rezultati i trashëgimisë perandorake të Britanisë së Madhe.

«Po, shikojmë tek të gjithë njerëzit me ngjyrë të qeverisë tonë! Uroj një qeveri krejtësisht pakistaneze në Britaninë e Madhe! Nëse ke një perandori, rezultati është multikulturalizmi: nuk mund t’i shpëtosh».

Është pasoja pozitive e perandorisë…

«Pasoja pozitive dhe logjike e pasjes së një perandori është se ju qetë atje dhe tani ne jemi këtu. Ama sot m,e globalizimin e gjithë bota është në lëvizje».

(nga La Lettura)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

Mesazhi prekës i vajzës së Vilson Blloshimit në 47-vjetorin e ekzekutimit të poetëve

Eni Blloshmi Përkujtojmë VILSONIN dhe GENCIN. Të dashur miq, si sot, 47 vjet më parë, …

Leave a Reply