Kali i Çmendur rrëfen një histori

Kush ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara e di se ka vende në të cilat shumë prej narrativave që përbëjnë historinë e vendit përputhen literalisht mbi njëra tjetrën, duke krijuar një efekt të çuditshëm, por edhe duke zbuluar disa dinamika të thella që mund të kuptojnë aspekte të shumta të shoqërisë dhe të politikës së sotme. Ndoshta nga kjo pikëpamje asnjë vend nuk është shembullor si Rapid City në shtetin e Dakotës së Jugut. Rapid City është një qytezë prej 70000 banorësh që është vetëdeklaruar “qyteti më patriotik i Amerikës”. Në një artikull të botuar disa vite më parë në “New Yorker”, Brooke Jarvis tregonte se “cepat e rrugëve të qendrës janë populluar nga staujat e bronzit, thuajse me madhësi natyrale, e të gjitha ish presidentëve të Shteteve të Bashkuara. Në një cep rruge Andrew Jackson ngre vetullat dhe kryqëzon krahët, në një tjetër Teddy Roosevelt mban një shpatë të vogël”.

Por pjesa më interesante fillon kur ajo del nga qyteti dhe futet nëpër Black Hills, një vargmal që shkon nga perëndimi dhe kufizohet në Wyoming, ku simbolet historike ndjekin në mënyrë frenetike, si zërat e shumtë që ulërijnë njëri sipër tjetrit duke kërkuar ta mbizotërojnë versionin e tyre të historisë kombëtare. “Ekspansioni drejt perëndimit dhe historitë e kolonëve bashkohen në një fantazi të gëzuar dhe konfuze: turistët mund të vizitojnë një minierë ari, të futen në një replikë të Independence Hall në Filadelfia, ku në vitin 1776 u diskutua dhe u ratifikua Deklarata e Pavarësisë (“Gjuaj një mushketë! Dil nga këtu!”) apo të ndalesh tek National Presidential Wax Museum, që shet kanatiere ku janë stampuar Abraham Lincoln, presidentit që ka abroguar skllavërinë, dhe slogani “Abolish sleevery” (në anglisht sleeve do të thotë “mëngë”, por tingëllon e ngjashme me slavery, domethënë “skllavëri”). Në një qytet që mban emrin e George Armstrong Custer, një oficer i ushtrisë i njohur i ushtrisë pse ka përdorur gratë dhe fëmijët vendas si mburoja njerëzore, dyqanet turistike shesin një bluze që paraqet disa prej liderëve të mëdhenj vendas – Shef Jozefi, Demi i Ulur, Jeronimo dhe Reja e Kuqe – dhe i quan “etërit themelues origjinalë”, ndërsa një tjetër, me karaktere të formuar nga yje, lexon “Mirëseerdhët në Amerikë, tani flisni anglisht””.

Vepra të oportunizmit

Duke vazhduar akoma arrihet në atë që është ndoshta simboli më i madh i patriotizmit amerikan, Mali Rushmore, mbi të cilin kanë skalitur kokat e George Washington, Thomas Jefferson, Theodore Roosevelt dhe Abraham Lincoln, që përfaqësojnë respektivisht lindjen, rritjen, zhvillimin dhe stabilitetin e Shteteve të Bashkuara. Çdo kokë shkon në rreth 18 metra lartësi. Më tej, duke shkuar drejt perëndimit, haset një vepër akoma më marramendëse pse më mirë pjesa e vogël e një vepre, që sikur do të kompletohej ndonjherë, do të ishte monumenti më i madh i botës. Është Crazy Horse Memorial, në thelb një pjesë e madhe e gurtë mbi të cilat prej dekadash po skalitet figura e Kalit të Çmendur, lider i madh i vendasve oglala lakota. Të dy veprat janë 14 kilometra larg njëra tjetrës. Përballen si dy katedrale të mëdha që festojnë dy vizione të kundërta të të njëjtit kult. Ngjarjet që kanë çuar në lindjen e d monumenteve dhe sidomos të dy njerëzve që i kanë komceptuar, përmbledhin jo edhe aq historinë e Shteteve të Bashkuara, por më shumë se tjetër mënyra me të cilën historia përcillet, modifikohet, kontestohet, nganjëherë okultohet, dhe në fund tregohet.

E inauguar në tetorin e vitit 1941 pas 14 vitesh pune, Mali Rushmore ishte konceptuar nga skulptori Gutzon Borglum si një celebrim i madhështisë së kombit, e paprecedent në historinë e njerëzimit. “Ky kolos është gjurma jonë”, tha një herë. Në realitet, ka shkruar “Smithsonian Magazine”, “Borglum kishte mbi shpatulla një histori të shpifur dhe monumenti i tij është edhe një dëshmi e egos dhe ambicies së shëmtuar që janë në bazën e disa triumfeve më të famshme amerikane”. Në vitin 1914 Borglum, një skulptor modest nga Connecticut, u kontaktua nga Helen Plane, presidente e shoqatës “Bijat e Bashkuara të Konfederatës”, që i kërkoi të ndërtojë një “sanktuar të jugut”, domethënë një monument që nderonte personat që patën mbrojtur skllavërinë gjatë luftës civile. Borglum i paraqiti një bocet për një skulpturë të madhe që paraqiste Robert E. Lee dhe Stonewall Jackson, gjeneralë të ushtrisë sudiste. Helen Plane ishte entuziaste dhe i nisi punimet. Vepra, një bazoreliev mbi Stone Mountain, një shkëmb i madh prej kuarci afër me Atlanta në shtetin Georgia, u inaugurua në vitin 1972. Bir mormonësh poligamë nga Idaho, Borglum nuk kishte lidhje me konfederatën, por ishte një mbështetës i suprematizmit të bardhë. “Në letrat e tij”, rrëfen Smithsonian, “preokupohej për një “hordhi bastardësh” që do të pushtonte pastërtinë “nordike” të perëndimit”. Një herë tha: “Nuk do t’i besoja një indiani nëntë herë nga dhjetë”. Por ishte mbi të gjitha një oportunist. U afrua me Ku Klux Klan, që kishte dalë i dobësuar nga lufta civile, por kishte rilindur në fillimet e ‘900: organizimi racist dhe suprematist financoi projektin dhe organizoi një flakadan në majën e Stone Mountain më 1915.

Në vitin 1924 Borglum u kontaktua nga Doane Robinson, një historian nga South Dakota që kishte mësuar për Stone Mountain dhe po mendonte të realizonte një vepër të ngjashme në Black Hills, me shpresën që mund të tërhiqte turistë drejt shtetit. Sipas Robinson, vepra duhej të përfaqësonte “jo vetëm madhështinë e egër të gjeografisë lokale, por edhe triumfin e qytetërimit perëndimor mbi atë gjeografi, nëpërmjet përfaqësimit antropomorf të saj”. Ideja fillestare e Robinson parashikonte skalitjen mbi shkëmb e personazheve të rëndësishëm të historisë së Perëndimit, si Lewis dhe Clark,njerëzit e parë të aftë të arrinin bregun e Paqësorit në këmbë, Reja e Kuqe, Kali i Çmendur dhe Sakagavea vendas, dhe gjenerali John Fremont. Kurse Borglum ishte i bindur se për të tërhequr turistët shërbenin fytyrat më të njohura dhe më të njohshme, kështu që vendosi të skalisë në granit të katër presidentët, që simbolizonin “një krijim të lindur, planifikuar dhe formuar në mendjen dhe në duart e amerikanëve për amerikanët”.

Me goditje monumentesh

Lakota dhe tributë e tjera indigjene e kontestuan projektin qysh nga fillimi. Si gjë të parë e shikonin si një profanim të territoreve të shenjta dhe pastaj nuk mund të duronin që në malet e tyre të shfaqeshin fytyrat gjigante të njerëzve që patën zbatuar politika shfarosjeje ndaj vendasve. Theodore Roosevelt, i cili qe president nga 1901 në 1909, ishte i njohur për pozicionet ekstreme të tij, një herë tha: “Nuk u arrit në pikën që të mendohej se indianët e vetëm të mirë janë indianët e vdekur, por besoj se është e vërtetë për 9 nga 10 prej tyre dhe do të preferoja të mos hetohej deri në fund për të dhjetin”. Kështu Mali Rushmore u bë simboli i padrejtësive të shkaktuara nga qeveria e Shteteve të Bashkuara popujve vendas dhe nga këtu lindi ideja e përgjigjes së monumentit ë realizuar nga njerëzit e bardhë me një vepër tjetër, mundësisht edhe më e madhe, për t’i treguar botës së edhe popujt vendas kishin heronjtë e mëdhenj të tyre. Zgjedhja ra mbi Kalin e Çmendur (Crazy Horse), luftëtarin oglala lakota që në vitin 1876 shpartalloi gjeneralin George Armstrong Custer dhe Regjimentin e 7 të Kalorësve në betejën e Little Bighorn. Një skulpturë e menduar për të errësuar një tjetër, por edhe monumenti për Kalin e Çmendur qysh nga fillimi i shënua nga kontradikta dhe polemika.

Historia filloi në vitin 1939, kur një lakota i moshuar i quajtur Ariu në Këmbë i shkroi Korczak Ziolkowski, një skulptori që kishte punuar për nkë kohë të shkurtër në Malin Rushmore, duke i kërkuar të imagjinojë një vepër që të celebronte historinë dhe kulturën e vendasve. Ziolkowski ishte bir i dy emigrantëve polakë të emigruar në Shtetet e Bashkuara në fillimet e shekullit. Kur qe shumë i vogël prindërit i vdiqën në një incident me varkë dhe ai u rrit nga një familje irlandeze e Boston. Babai adoptiv ishte një boksier. Mësoi vetëm të skulptojë dhe në 1939, pasi pati fituar një çmim artistik në Ekspozitën Universale të New York, u vërejt nga Ariu në Këmbë. Në vitin 1947 Ziolkowski u transferua në South Dakota dhe filloi të blerë troje. Një vit më pas prezantoi projektin e veprës së tij. “Dua të riparoj gabimin që kanë bërë këta njerëz”, tha ai. Arikulli i “New Yorker” rrëfen se “Ziolkowski u nis me pak para, një kompresor të vjetër difektoz dhe një shkallë prej druri me 741 shkallë për të arritur anën e malit”. Gruaja e la sepse mendonte se ishte tepër i zënë me këto projekte dhe shumë pak me familjen. Në vitin 1950 skuptori u rimartua me Ruth Ross, një vullnetare në vend që ishte 18 vite më pak se ai. Ceremonia u mbajt Ditën e Falenderimit, në mënyrë që Ziolkowski të mos merrte një ditë pushim. Në një intervistë Ruth rrëfeu se i shoqi e kishte paralajmëruar përpara martesës: mali do të kishte qenë në vendin e parë, ajo në të dytin dhe fëmijët në të tretin. “Mund ta kuptoni pse kemi pasur 10 fëmijë”, tha një herë Ziolkowski. “Djemtë mund të punonin në mal dhe vajzat mund të merreshin me vizitorët”.

Ziolkowski ka konceptuar një vepër që është produkt i megalomanisë së tij. Teorikisht duhet të përfaqësojë Kalin e Çmendur mbi kalë, me flokët e gjata që ia merr era dhe krahun e majtë të shtrirë që tregon horizontin. Në përfundimin e punimeve, monumenti duhet të ketë përmasa marramendëse: sikur kokat e presidentëve të Malit Rushmore të qenë vendosur njëra sipër tjetrës, do të arrinin në më pak se gjysma e Kalit të Çmendur; veshët e Kalit duhej të ishin të mëdha si autobus. Megalomania e çoi skulptorin t’i nënvlerësonte kostot dhe afatet e nevojshme për kompletimin e veprës. Në vitin 1951 vlerësoi se do t’i duheshin 30 vjet, por kur vdiq në vitin 1982, “skulptura ishte akoma një shkëmb amorf dhe i thepisur”, rrëfen “New Yorker”.

Pas vdekjes së Ziolkowski, e shoqja vendosi t’i përqëndrojë të gjitha përpjekjet për rifiniturën e fytyrës së Kalit të Çmendur, deri më sot pjesa e vetme e përfunduar e objektit. Në ceremoninë e inaugurimit në vitin 1998 mori pjesë presidenti Bill Clinton. Fakti që nuk është përfunduar kurrë nuk e ka penguar memorialin të bëhet një atraksion i madh turistik dhe një makinë parashë. “Çdo vit më shumë se 1 milion njerëz vizitojnë Crazy Horse Memorial, një emër thuajse gjithmonë i ndjekur, në broshura dhe kartela, nga simboli i copyright. Paguajnë një biletë hyrëse (aktualisht 30 dollarë për automobil), plus një ekstra të vogël për një udhëtim të shkurtër me autobus deri në rrëzën e malit, ku fotografitë bëhen më mirë, dhe një ekstra të konsiderueshme (një donacion i detyruar prej 125 dollarësh) për të vizituar majën. Në restorant hanë frybread (një pjatë tipike vendase) dhe mish bualli, në dyqanin e suvenireve blejnë bluza, peliçe lepuri, kit për ndërtimin e tepive dhe helmetave përkujtuese”.

Në vitin fiskal 2018, Crazy Horse Memorial Foundation ka arkëtuar 12.5 milion dollarë nga biletat e hyrjes dhe nga donacionet, si dhe ka deklaruar një pasuri neto prej 77 milion dollarësh. Këto shifra të dhëna nuk mbajnë parasysh fitimet e Korczak’s Heritage INC, një organizatë me qëllim fitimi që menaxhon dyqanin e suvenireve, restorantin, snack bar dhe shërbimin e autobusit që të çon tek skulptura. Broshurat e shpërndara në uebsajt shpjegojnë se paraja e shpenzuar në memorial shkon në përfitim të kauzave të vendasve amerikane. Në realitet jeta e komuniteteve vcndase të South Dakota, si ato të pjesës tjetër të vendit, shënohet nga varfëria dhe nga mungesa e mundësive. Në rezervën Pine Ridge, rajoni në juglindje të memorialit ku në ‘800 u transferuan me forcë tributë e përzëna nga Black Hills, shumë familje mezi arrijnë të paguajnë faturat, në disa raste dhjetëra njerëz jetojnë bashkë në një rulot, dhe mbështeten në subvencionet e qeverisë për të arritur të ushqejnë fëmijët.

Por përveç aspektit socioekonomik ka një kulturor, që ka të bëjë me kuptimin e një vepre si ajo e ideuar nga Ziolkowski. Fakti që del në një vend që për vendasit është simboli i padrejtësive të paimagjinueshme, duhet konsideruar një fitore për pinollët e tribuve të keqtrajtuara, sikur në një farë mënyre një popull ta ripronësonte shtëpinë e tij historike? Shumë prej vendasve të këtyre zonave mendojnë se jo. Ka që beson se ideja ishte e gabuar në nisje, rrëfen “New Yorker”: “Disa theksojnë se një skulpturë e dimensioneve të një mali nuk e përfaqëson jetën e Kalit të Çmendur, që ishte i njohur për thjeshtësinë e tij, e konsideruar një vlerë themelore në kulturën lakota. Nuk vishej kurrë siç duhej dhe nuk fotografohej kurrë. Përpara se të vdiste i kërkoi familjes së tij të futej në një varr pa emër: “Në gjuhë lakota, Black Hills njihen si He Sapa apo Paha Sapa, emra që nganjëherë përkthehen si “zemra e gjithë asaj që ekziston”. Kali i Çmendur ka luftuar gjithë jetën e tij për t’i mbrojtur. Shpërthimi fjalë për fjalë i një mali mbi këto toka të shenjta mund të shikohet si një sulm i madh ndaj gjithë asaj që ai ka përfaqësuar”. Për këtë shumë njerëz mendojnë se vepra është bërë më shumë se çdo gjë tjetër një monument për Ziolkowski dhe familjen e tij, që ka fituar miliona dollarë duke shfrytëzuar imazhin e një lideri indigjen.

Është një parabolë që nuk habit, nëse mendohet mënyra e rrezikshme me të cilën shfrytëzohet prej më shumë se një shekulli imazhi i Kalit të Çmendur. Në vitin 2001 Hornell Brewing, një kompani prodhuese e birrës, u detyrua ta ndryshojë emrin dhe logon e modelit Kali i Çmendur, i lançuar 9 vite më parë, pasi që pinjollët e Kalit të Çmendur kishin bërë një padi (lideri vendas e përçmonte alkoolin pasi mendonte se kishte një efekt shumë të keq mbi vendasit). Kompania kërkoi falje publike dhe si dëmshpërblim u dorëzoi vendasve jorganë, kuaj dhe bishtalecë prej sweetgrass. Në vitin 2016, gjatë një padie të lindur nga një diskutim midis një strip club dhe një kompanie konsulence, të dyja të quajtura Kali i Çmendur, një gjykatës shkroi: “Individë dhe kompani që e kanë përdorur markën “Kali i Çmendur” për të promovuar pajime për motoçikleta, uiski, pushkë dhe, natyrisht, lokale strip dhe vallëzimi ekzotik. Të paktën nga vitet ’70, lokalet e natës Kali i Çmendur qenë hapur kudo, nga Anchorage, në Alaska, në Pompano Beach të Florida”. Në thelb, është kështu që kultura e indigjenëve është absorbuar nga ajo amerikane gjatë shekujve. Fakte, njerëz dhe ngjarje qendrore në historinëe vendasve kanë qenë private në vlerën e tyre fillestare dhe kanë përfunduar për ta ushqyer mitin e pushtimit të perëndimit dhe nostalgjinë për këtë botë të vjetër.

(nga Americana)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

“Kam 10 vite pa fjetur në krevat”, Pareshqevi Simaku u gjet duke fjetur mbi valixhe

Elvira Tata, gruaja që gjeti në rrugët e Amerikës ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simakun, …

Leave a Reply