DEKLARATË PËR MEDIA SHEFI ORGANIZIMIT NË PD, KLEVIS BALLIU
Para 2 muajsh Edi Rama shpalli me të madhe se, të hënën e 3 Korrikut, Kadastra do te bëhej digjitale dhe e aksesueshme për këdo dhe vetëm nga e-albania. Kjo sipas tij do të zhdukte korrupsioni nga zyrat e Kadastrës.
Kryeministri e njoftoi këtë ‘rilindje’ të Kadastrës në krah të drejtoreshave Mirlinda Karcanaj dhe Dallëndyshe Bici. Ato i shpjeguan me zell dhe gëzim publikut se proceset e punës në Kadastër do bëheshin elektronike dhe do të ndodhte ‘ri-inxhinierizimi’.|
Karcanaj madje premtoi edhe Kadastrën 3D.
Sot jemi më 16 gusht dhe Kadastrës nuk i punon as sistemi elektronik dhe as analogu. Shërbimi i përshpejtuar fast-track nuk funksionon. Përgjigjet online janë pezulluar dhe nuk mund të ndiqet më ecuria e një aplikimi, siç bëhej më parë. Asnjë qytetar nuk shet as blen dot prona.
Nuk është një bllokim rastësor dhe as defekt teknik. Siç shpjegojnë ekspertët e IT ështe stopim diabolik i ‘Riinxhinjerizimit’, shpikur prej Mirlinda Karcanajt. Ri-nxhinierizmi, që u shit si gjë e e paparë, eshte nje vjedhje e organizuar sa kohë as ekspertët, as publiku nuk di asgjë për të.
Çfarë synon, cilat janë kosto, si i ndihmon qytetarët dhe kush e bën implementimin? Te zbatimi i projektit fle edhe lepuri digjital. Dihet që Akshi vepron me nënkontraktorë që i prokuron për projektet e veta. Çudia digjitale me Kadastrën që reklamoi KM me dy drejtoreshat para 2 muajsh u reklamua si e finalizuar dhe në fazë zbatimi.
Faktet tregojnë se shpallja u bë para punës dhe para procedurës, në zakonin e përhershëm të kësaj qeverie. Lajmet shumë, punët për lumë.
Faqja e APP ka të postuar tenderin “Përmirësimi i sistemit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës” me autoritet kontraktues Akshi. Tenderi është shpallur më 27 qershor, pak dite para reklamës pa mall të kryeministrit. Pranimi i ofertave do të mbyllej më 1 gusht. Mirlinda Karcanaj po vlerëson ofertat, ndërkohë që tenderi me fond limit 482,999,999.00 leke sipas termave të references të publikuara në faqen e APP do duhet të bëjë atë punë që Karcanaj dhe Bici e shiten live si proces të finalizuar, në zbatim e sipër.
Pra, ato kanë deklaruar si të mbyllur një punë që ishte në tenderim.
Pse është thurur mbrapsht kjo fije e zezë e një tjetër punë publike?
Sepse, si të gjithë tenderat e Akshi fituesi dihet para se të shpallet gara. Ky tender i shpallur nga APP dihet se do implementohet nga shoqëria Soft – Solution e Ermal Beqirit, e cila është paraqitur ndërkohë në Kadastër për të filluar punë që do t’i fitojë më vonë. Emri fitues në letra nuk ka rëndësi.
Karcanaj dhe Beqiri kanë futur me kohë si drejtor IT ne Kadastër Ervin Muçën. I njëjti Ervin që u kap duke vjedhur databazën e policisë, siç kishte bërë më parë me tatimet. Ervin Muça përgatiti projektin, termat e referencës, caktoi dhe fondin limit në qershor per episodin e ri të grabitjen së buxhetit të shtetit.
Kadastra digjitale e Karcanajt, Bicit dhe Ramës nuk është gjë tjetër, veçse një mjegull pompoziteti poshtë së cilës fshihet dora e gjatë e vjedhjeve.
Ky është ‘suksesi’ tjetër në qeverisje i Edi Ramës: edhe gratë, që nuk njihen për korrupsion, i ka rilindur duke i bërë hajdute të sprovuara.