Mbi 2.3 miliardë lekë është dëmi ekonomik dhe efektet negative për shkak të parregullsive, të shkaktuara në buxhet, nga institucionet publike, në 4 muajt e parë të këtij viti. Konstatimi vjen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që gjatë periudhës janar – prill 2023 ka zhvilluar auditime në 55 subjekte, duke përfshirë nivele të ndryshme të qeverisjes si: institucione qendrore, ministri dhe agjenci, njësi të vetëqeverisjes vendore, drejtori të përgjithshme të administrimit fiskal, shoqëri aksionare me kapital shtetëror, etj.
Sipas KLSH, dëmi ekonomik vlerësohet në rreth 87,6 mln lekë, 98% e të cilit është në fushën e shpenzimeve. Ndërkaq, vlera më e madhe i takon menaxhimit joefektiv të fondeve, me rreth 2.3 mld lekë. Rreth 66% e kësaj vlere është konstatuar në fushën e të ardhurave, ndërsa rreth 34% në fushën e shpenzimeve. Tenderët dhe zbatimi i punimeve zënë rreth 99% të menaxhimit jo efektiv në fushën e shpenzimeve.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, AKSHI, ministritë e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe për Rininë dhe Fëmijët, ujësjellësit e Tiranës dhe Durrsit apo bashkitë e Belshit, Kamzës, Lezhës e Vaut të Dejës janë disa nga institucionet e audituar nga KLSH përgjatë periudhës 4-mujore.
Për të gjitha shkeljet e konstatuara ky dikaster ka dhënë 428 rekomandime, 280 prej të cilëve janë për masa organizative, ndërsa 83 të tjerë për masa disiplinore ndaj punonjësve që kanë kryer shkeljet. Paralelisht, janë dhënë edhe 5 propozime për ndryshime apo përmirësime ligjore./SCAN