Qeveria, 1.6 milionë euro pa paguar për sigurimet shoqërore të administratës

Krijimi i detyrimeve të prapambetura është bërë i paevitueshëm për qeverinë, por kulmi po arrin me mos shlyerjen në kohë të sigurimeve shoqërore për punonjësit dhe kjo vlen edhe për administratën qendrore të qeverisë.

Imagjinoni një nëpunës publik që është në administratë dhe shteti nuk i paguan sigurimet, një pagesë e cila vjen e para në radhë në të gjithë hierarkinë e pagesave kudo në botë si në sektorin publik dhe në atë privat.

Ministria e Financave raportoi së fundmi se detyrimet e prapambetura të administratës qendrore arritën në 6.7 miliardë lekë në fund majit 2023, teksa 2.8 për qind e shumës rreth 160 mln lekë (1,6 milionë euro) ishin sigurimeve shoqërore të papaguara në kohë.

Sakaq me qindra persona në moshë pensioni orvaten në gjyqe për vitet e munguara të sigurimeve edhe pse ata i kanë paguar kontributet rregullisht dhe në shumë raste kanë punuar në sektorët e arsimit dhe të shëndetësisë.

Sigurimet shoqërorë vijnë në krye të hierarkisë së pagesave për dy arsye themelore. E para lidhet me financimin e skemës se pensioneve, ku me kontributet aktuale paguhen pensionet aktuale dhe e dyta me garantimin e pensionit të pleqërisë për pensionistët e sotshëm.

Borxhi ndaj sigurimeve shoqërore është duke u rritur me ritme të shpejta vitet e fundit sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Në fund të vitit 2022 stoku i këtij detyrimi arriti në 20,5 miliardë lekë rreth 200 mln euro me një rritje 48% në krahasim me vitin 2028 ku stoku ishte 13.8 miliardë lekë.

Në vend të frenohet, ky borxh po zgjerohet me shpejtësi nga viti në vit, duke vëne në vështirësi jo vetëm arkën e sigurimeve shoqërore, por edhe pensionet ne të ardhmen.

Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një inspektimi në skemën publike të pensioneve gjeti se, se 94 për qind të detyrimeve ndaj ISSH zotërohen nga sektori privat dhe kryesisht biznesit i madh me mbi 63 për qind të shumës dhe pjesë tjetër nga biznesi i vogël. Entet publike zotërojnë rreth 6% të totalit të detyrimeve.

Detyrimet e akumuluara, të cilat duhet të shkonin për llogari të arkës së Sigurimeve Shoqërore kanë krijuar efekte negative të shumëfishta.

Në kushtet e mos-pagesës së sigurimeve buxheti i shtetit duhet të subvencionojë nga taksat e përbashkëta skemën e pensioneve për të kryer pagesat për përfituesit aktualë./B.Hoxha/MONITOR

About Redaksia

Check Also

Shifra e frikshme/Paguan 140 milionë euro për një incenerator që nuk ekziston, paratë i vodhën

Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, foli për hetimet …

Leave a Reply