Nga Enver BYTYÇI
Besoj ju kujtohet ndeshja e futbollit midis kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë në Beograd tetorin e vitit 2014! Të gjithë e mbajmë mend dronin mbi stadium dhe sherrin “nacionalist” me hartën e asaj që serbët e quajnë “Shqipëria e Madhe” dhe ne i themi “Shqipëria Etnike”! E mbajmë mend edhe faktin se kjo skenë e atëhershme, disi e çuditshme, shërbeu për të akuzuar për nacionalizëm vëllain e kryeministrit, Olsin, si dhe vetë Edi Ramën. Kam shkruar dhe kam thënë asokohe se gjithçka ishte e sajuar, skenarizuar dhe kishte për regjizor presidentin e Serbisë dhe strukturat shtetërore të saj.
Ndërsa tani po ndodh diçka e e ngjajshme dhe njëkohësisht e ndryshme nga ajo kohë. Po shfrytëzohet vizita e kryeministrit të Kosovës në Tetovë dhe Shkup (Ju lutem mos përdorni emërtimin Çair, se nuk ka diçka të tillë), me qëllim që të shtyhet përpara projekti i Serbisë për këtë “Shqipërinë e Madhe” që ata e stimulojnë. Në Serbi e dinë se Serbia e Madhe mund të realizohet si projekt, nëse shqiptarët dalin e thonë se “Ne duam Shqipërinë e Madhe” dhe kroatët gjithashtu kërkojnë po ashtu “Kroacinë e Madhe”! Vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, janë angazhuar fort pas vizitës së zotit Kurti në Maqedoninë e Veriut të flasin për atë që ata e quajnë “Shqipëria e Madhe”! Ky i fundit paralajmëroi gjithashtu Maqedoninë e Veriut dhe Malin E Zi.
Sipas serbëve, nëse ndërtohet rruga me tunel Prizren-Tetovë, kjo i shërben “Shqipërisë së Madhe”! Ju kujtohet besoj kur të njëjtën gjë thoshin udhëheqësit serbë për ndërtimin e Rrugës së Kombit dhe Sali Berishën e paraqisnin si gogolin e destabilizimit të rajonit, pasiqë ai “synon Shqipërinë e Madhe”. Në fakt nuk kishte asgjë të tillë. Edhe gjatë viizitës së Kurtit në Tetovë e Shkup nuk pati asnjë deklarim dhe asnjë sinjalistikë të një strukture, çfarë në Beograd propagandojnë. Askush nga liderët shqiptarë që akuzohen nuk e përmendin atë që quhet “krijimi i Shqipërisë së Madhe”!
Por është interesant fakti se në terma politikë këtë aksiomë e ka përmendur kryeministri Edi Rama. Ai bëri thirrje para disa vitesh nga Prishtina për zgjedhjen e një presidenti të përbashkët. Dhe shumë shqiptarë ishin entuziastë për këtë, pa llogaritur pasojat ose përparësitë që do të kishte një iniciativë e tillë. Atëherë Beogradi nuk foli, së paku kaq sa flet sot. Nuk alarmoi institucionet ndërkombëtare. Sot po bën një fushatë agresive për “destabilitetin e Albin Kurtit” dhe “përpjekjeve të tij për krijimin e Shqipërisë së Madhe”! Njësoj siç denoncon p.sh Sali Berishën për këtë lloj nacionalizmi.
Ndërkaq në Beograd luten natë e ditë që bota të bie dakord para institucionalizimit të pavarësisë së Kosovës për “krijimin e Shqipërisë së Madhe”! Sepse në këtë rast Serbia përfiton shumëfish. Nuk zgjerohet vetëm në Republikën Srpska. Ajo do të përitonte territore të shumta në Kosovë e gjetkë. Nëse Serbia ia arrin të bindë ndërkombëtarët se duhen shtete me kufij etnikë, atëherë do të hedhin pikërisht këto teza.
– Dakord, do të thotë Aleksandër Vuçiç. Edhe unë nuk bëhem pengesë për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Por serbët duhet të jetojnë në shtetin e tyre dhe jo në një shtet të huaj, ku ndjehen të kërcënuar”! Ai nuk ka asnjë provë se serbët në Kosovë kërcënohen, por proaganda e tij i ka bindur disa ndërkombëtarë për këtë. Dhe në këto rrethana çfarë përgatitet të ndodhë?
Përgatitet ndarja e Kosovës në vijat e saj etnike dhe Serbia do të pretendojë territore deri në Brezovicë. Ndaj duhet të jemi të vetëdijshëm se liderët serbë e përdorin akuzën kundër “Shqipërisë së Madhe” për të parapërgatit ndarjen në vija etnike të territorit të Kosovës dhe rrëmbimin e pasurive të saj. Edhe si konotacion negativ dhe kritikë ndaj Albin Kurtit, zhurma për “Shqipërinë e Madhe” është strategji e ndarjes së Kosovës.
A e keni dëgjuar zotin Rama para dy-tri vitesh kur Ballkanin e Hapur e arsyetonte me heqjen e kufirit me Kosovën? “Pa Ballkanin e Hapur, thoshte ai, nuk mund të hapemi me Kosovën”! Sipas tij, është Serbia ajo që kundërshton hapjen e Shqipërisë me Kosovën dhe për këtë arsye duhej mbështetur Open Balkan. E vërteta është se Serbia kundërshton çdo lloj integrimi brenda shqiptar në Ballkan.
Dhe secilin hap në këtë drejtim e konsideron përpjekje për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Por është fakt se një integrim të tillë nuk e ka mbështetur as Edi Rama. Jo se ai është kundër “Shqipërisë së Madhe” që merr parasysh bashkimin e gjysmës së Kosovës me Shqipërinë, por se ai ka frikë se në këtë skemë përfshihet e gjithë Kosova së bashku me trojet shqiptare të Maqedonisë së Veriut dhe pushteti i tij nuk trashëgohet te Zahua, siç u trashëgua nga Koleka e Kristaqi te Edi!