Qeveria ndryshon buxhetin për agjencinë shtetërore të kadastrës për vitin 2023. Në vendimin e botuar në Fletoren zyrtare për buxhetin e ASHK parashikohet që për periudhën janar-dhjetor 2023 totali i të ardhurave të kadastrës për periudhën janar-dhjetor 2023 të shtohen 301,2 milionë lekë, ndërsa shpenzimet të rriten 237,1 milionë lekë.
Nga totali i shpenzimeve shtesë të parashikuara për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës 489,4 milionë lekë shtohen te shpenzimet për personelin. Shpenzimet kapitale ulen rreth 79 milionë lekë dhe shpenzimet për projektin e qendrës së kadastrës dixhitale reduktohen rreth 3,9 milionë lekë.
Një nga zërat e buxhetit të shpenzimeve të ASHK-së që pëson rritjen më të larta është ajo për personelin. Konkretisht fondi “Për pagat e punonjësve sipas strukturës organike të propozuar” nga 1,4 miliardë lekë që ishte parashikuar në vendimin e mëparshëm është shtuar rreth 288 milionë lekë, duke arritur në vlerën e 1,7 miliardë lekëve.
Ndërsa fondi i shpenzimeve për pagat e punonjësve me kontratë rritet 20%. Sipas zërave të detajuar të buxhetit të ASHK-së në vendimin e miratuar së fundmi fondi për pagat e punonjësve me kontrata nga 602,5 milionë lekë arrin në 722,3 milionë lekë. Ndërsa shpenzimet e kontributeve për sigurimet shoqërore për punonjësit e strukturës së organikës dhe atyre me kontratë shtohen 67,3 milionë lekë.
Ndryshimet e buxhetit për shtesë të shpenzimeve për personelin miratohen në periudhën kur pas 3 Korrikut në ASHK ka nisur zbatimin projekti për dixhitalizimin e kartelave të pasurive të paluajtshme. Dixhitalizimi i kartelave të pasurive të paluajtshme u shoqërua me vendimin për mbylljen e sporteleve fizike të shërbimeve, ku si subjektet ashtu edhe individët mund të aplikojnë për marrje shërbimesh vetëm nëpërmjet platformës e-Albania dhe zyrave noteriale. Me qëllim luftimin e korrupsionit për kthimin e përgjigjeve për aplikimet që bëjnë individët dhe bizneset po zbatohet një sistem i ri, i cili shqyrton aplikimit sipas algoritmit që përcaktohet nga njësia e quajtur “kulla e vrojtimit”.
Ndryshimi i sistemit për shqyrtimin e aplikimeve në një kohë kur kadastra ka ende të papërfunduar procesin e dixhitalizimit të dosjeve të pronave, sipas agjentëve imobiliarë të shitjeve po krijon bllokim në sektorin e shitje-blerjes së pasurive të paluajtshme, pasi vonon kthimi i përgjigjeve dhe në të shumtën e rasteve përgjigja është e paqartë.
Në total nga të dhënat e dhënë më herët nga ASHK dhe të dhënat e pasqyruara në vendimin e qeverisë të botuar në Fletoren Zyrtare në muajin mars 2023 për buxhetin e kadastrës rezulton se vetëm 85% e dosjeve të pronave kanë regjistrim të plotë. Reforma synon dixhitalizmin e rreth 3,187,000 pasurive dhe skanimin e 2,252,000 dosjeve. Më herët Agjencia Shtetërore e Kadastrës kur prezantoi nisjen e projektit të dixhitalizimit u shpreh se nga 4,7 milionë pasuri të paluajtshme, 2,8 milionë pasuri kanë referencë pasurore dhe vetëm 700,000 prona rezultojnë të regjistruara me dosje të plotë.
Mbyllja e plotë e sporteleve fizike të kadastrës po krijon probleme të mëdha edhe për sektorin bankar. Më herët edhe Shoqata Shqiptare e Bankave ngriti shqetësimin se moskryerja e veprimeve të bllokimit të pronave që lihen si kolateral është bërë një faktor me ndikim të rëndësishëm në frenimin e kredisë në dy muajt e fundit./Monitor