Rama mban ‘peng’ Belerin, PD: Organet ligjzbatuese të shoqërojnë kryetarin e zgjedhur për të bërë betimin!

DEKLARATË E SEKRETARIT PËR ÇËSHTJET LIGJORE DHE ZGJEDHORE NË PD, IVI KASO

32 vite në pluralizëm na kanë mësuar tashmë se e drejta e zgjedhjes është e drejtë kushtetuese për çdo shtetas shqiptar, pa asnjë dallim.
E drejta e zgjedhjes ka dy pjesë me të njëjtën vlerë: E drejta për të zgjedhur me votë të lirë, të barabartë e të fshehtë dhe e drejta për t’u zgjedhur me votë të lirë, të barabartë e të fshehtë.
Këto janë dy pjesë që nuk bëjnë dot pa njëra tjetrën. Nuk ka zgjedhje të lira nëse qeveria vendos kush do të votojë apo kush do të votohet.
Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor ia garantojnë të drejtën e votës çdo te paraburgosuri dhe çdo të burgosuri, me përjashtim të atyre që janë dënuar për krime të rënda.
Një i paraburgosur ka të drejtë jo vetëm të votojë, por edhe të kandidojë nga qelia e paraburgimit dhe të zgjidhet. Në vitin 2001, Azgan Haklaj kandidoi për deputet, ndërkohë që ishte i paraburgosur, qartazi me motive politike, u zgjodh, fitoi, u lirua, bëri betimin dhe ushtroi mandatin, ndërkohë që ndiqej penalisht.
Kodi Zgjedhor siguron ushtrimin e votës nga të paraburgosurit. Nëse nuk ngrihet qendër e posaçme votimi në ambientet e burgut, të burgosurit votojnë në një qendër votimi jashtë, sa më pranë burgut, të shoqëruar sipas ligjit.
Kjo praktikë u përsërit në zgjedhjet e 14 majit 2023 në bashkinë e Kukësit. Gjykata e Shkallës së Parë Kukës, me vendimin nr. (332) 91 të datës 13 maj 2023, ka urdhëruar lejimin e votimit të 26 shtetasve të paraburgosur dhe burgosur, në qendrën e votimit n0647/01 të ngritur në Poliklinikën e Kukësit.
Këta zgjedhës, më 14 maj 2023 janë shoqëruar nga organet ligjzbatuese pranë qendrës së votimit dhe kanë votuar rregullisht duke garantuar të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur.
Fredi Beleri, kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” u zgjodh me votë të lirë, të barabartë e të fshehtë, pavarësisht presioneve të Edi Ramës.
KQZ i dha mandatin më përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Gjykata e Vlorës çertifikoi sipas ligjit mandatin e Fredi Belerit. Hapi i fundit për fillimin e ushtrimit të detyrës është betimi solemn para këshillit bashkiak.
Edhe pse ushtrimi, menjëherë e pa pengesë, i detyrës për të cilën është zgjedhur është detyrim në kuadër të OSBE, Këshillit te Europës dhe Kushtetutës, Edi Rama po përdor sistemin e drejtësisë për ta mbajtur peng bërjen e betimit. Justifikimi i Ramës është se Fredi Beleri është i paraburgosur.
Qëllimi është mbajtja e kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë deri sa të kalojë afati 90 ditor për bërjen e betimit. Kjo është pengmarrje e një të drejte kushtetuese.
Fredi Beleri prezumohet i pafajshëm deri në ditën që dënohet me vendim përfundimtar të formës së prerë dhe ruan të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur. Prokuroria nuk ia ka provuar ende fajësinë para gjykatës.
Partia Demokratike u bën thirrje organeve ligjzbatuese që të garantojnë shoqërimin e kryetarit të zgjedhur në mbledhjen e këshillit bashkiak për të bërë betimin. Për ushtrimin e të drejtave civile e zgjedhore nuk nevojitet vendim i gjykatës penale.
Bërja e betimit nuk pengon ndjekjen penale. As ndjekja penale nuk është dënim dhe nuk mund të pengojë ushtrimin e një të drejte dhe detyre kushtetuese.
Çdo vonesë e bën drejtësinë aksesor të Edi Ramës dhe orekseve të tij për ta marrë me dhunë pushtetin aty ku nuk e merr dot me votë.

About Redaksia

Check Also

Alizoti: Ministri i Brendshëm ka frikë të përmendë emrat e banditëve të zonës ku është zgjedhur

Deputeti i PD, Tomorr Alizoti ka folur për lidhjet e kryeministrit Edi Rama me eksponentë …

Leave a Reply