Fred Abrahsms, një nga njerëzit më të afërt të George Soros dhe mik i Ramës, dëshmoi në Hagë kundër UÇK-së. Fred Abrahams është përzënë nga Shqipëria në vitin 1995 nga ish-Presidenti Berisha si “i padëshiruar”.
Fred Abrahams nga Human Rights Watch, i cili ka punuar në raportet për Kosovën gjatë luftës më 1998-99, po dëshmon tash e dy ditë në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe tre bashkëpandehurve të tjerë me të në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ai, të mërkurën tha në gjyq se Human Rights Watch nuk qe në gjendje të kryente një hetim të detajuar të krimeve të supozuara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK, në vitin 1998 për shkak të mungesës së qasjes në skenat e krimit dhe te dëshmitarët.
“Ne nuk kryem një hetim të thelluar”, tha Abrahams në gjykatë në përgjigje të një pyetjeje të avokatit mbrojtës të të pandehurit Kadri Veseli, Ben Emmerson.
Por, Abrahams është njëri nga zyrtarët e parë që me këmbëngulje kishte kërkuar hetime për krime të pretenduar “Shtëpinë e Verdhë”, të cilat ishin baza themeltare e Gjykatës Speciale në Hagë. Megjithatë, kjo gjykatë nuk ka arritur të gjejë prova për krimet që pretendohen të jenë kryer aty.
Në muajin maj të vitit 2008, pas publikimit të disa deklaratave nga libri i Carla Del Pontes, ish-kryeprokurores së Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi (ICTY), Fred Abrahams kishte kërkuar të fillonin hetime për zbardhjen e fatit të “rreth 400 serbëve të humbur gjatë luftës”.
Ai, këtë kërkesë ua kishte paraqitur qeverive në Kosovë dhe Shqipëri gjatë asaj kohe.
“Deklarata serioze dhe të besueshme mbi abuzime të tmerrshme në Kosovë dhe Shqipëri në periudhën mbas lufte kanë dale në shesh”, ishte shprehur Abrahams.
Në një shkrim të Human Rights Watch më 4 maj 2008, thuhej se organizata ka shqyrtuar informatat që i kishte në dispozicion ICTY-ja, të cilat sugjeronin se shtatë shqiptarë të UÇK-së kishin “treguar në detaje mbi pjesëmarrjen apo praninë si dëshmitarë gjatë transportimit dhe rrëmbimit të serbëve dhe të burgosurve të tjerë nga Kosova drejt Shqipërisë në periudhën e pasluftës”.
“Duke iu referuar informatave të marra nga ICTY –ja trupat e disa prej individëve të rrëmbyer janë varrosur pranë shtëpisë së verdhë dhe në afërsi të një varreze rreth 20 kilometra në jug të Burrelit”, thuhej në këtë raport të Human Rights Watch.
“Në shkurt të 2004 –rës hetues të Tribunalit dhe të Misionit të OKB –së në Kosovë ( UNMIK ), të shoqëruar nga një prokuror Shqipëtar, kanë inspektuar shtëpinë. Ajo ishte lyer me ngjyrë të bardhë por në një fotografi ne faqen e internetit mbi hetimet të shqyrtuar nga Human Rights Watch dallohet një rrip i verdhë në themel të shtëpisë”, vazhdon raporti.
Në raport thuhet se Human Rights Watch bisedoi veç për veç “me dy persona të cilët ishin prezent gjatë vizitës së hetuesve të ICTY-it dhe UNMIK –ut në shtëpinë pranë Burrelit”.
“Të dy personat përforcuan historinë siç tregohet në librin e Del Pontes”, thuhej në raport.
Të dy qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë asokohe e kishin hedhur poshtë kërkesën e Human Rights Watch për fillimin e hetimeve, duke e cilësuar atë si fyese.