“Katastrofë”! Kështu shkruajnë mediat polake pas humbjes së tyre mbrëmjen e së dielës në “Air Albania” të Tiranës. Trajneri Fernando Santos është vënë në qendër të kritikave teksa Polonia numëron 6 pikë në 5 ndeshjet kualifikuese të Euro 2024.
“Rreth 22 mijë persona u shfaqën në stadiumin “Air Albania”. Panë dy gola dhe fatkeqësisht, të dyja u shënuan nga mikpritësit. Në të 37-ën minutë Jasir Asani nga klubi korean Gëangju FC shënoi dhe në 62-ën minutë Mirlind Daku që luan me Rubin Kazan, dyfishoi rezultatin”, shkruan Przeglad Sportowy Onet.
Ndoshta për polakët ndeshja mund të kishte shkuar ndryshe pas golit të Kiwior, por që u anulua për pozicion jashtë loje.
Kjo humbje bën që të lëkundet toka poshtë këmbëve të Santos, me mediat që thonë se ai mund të japë dorëheqjen 8 muaj pasi mori në dorë drejtimin e skuadrës.
Presioni ka filluar të ndihet nga vetë trajneri i cili nuk e shmangu irritimin në intervistat me mediat polake. Santos u pyet për të ardhmen si trajner i kombëtares polake dhe kjo pyetje e bëri shumë nervoz.
“E kam shpjeguar tashmë. Çfarë është e pakuptueshme në këtë deklaratë? Në fakt, çdo gjë është në dorën e federatës të cilët mund të duan të flasin me mua, por ky nuk është momenti i duhur. Jam në dispozicion të plotë të federatës”, tha ai.
E të tjera media kanë filluar të bëjnë të tjera llogari.
“Ka shumë zëra që thonë se Santos i ka ditët e numëruara”, shkruan Meczyki.
Por polakja ndalet tek paratë që mund t’i shkojnë trajnerit portugez nëse atë e shkarkojnë dhe bëhet fjalë për një humbje deri në 300 mijë Euro.
Por jo vetëm mediat polake. Edhe ato spanjolle i kanë bërë jehonë rezultatit të djeshëm në Tiranë. Shkak është bërë edhe Leëandoëski që luan për Barcelonën.
“Robert Lewandowski bie dhe skuadra e Sylvinho-s komplikon situatën e kombëtares polake. Skuadra e Fernando Santos ka vetëm dy fitore në pesë ndeshje. Lewandowski ishte një ‘ishull i vetmuar’ në linjën e sulmit të Polonisë”, shkroi “Mundo Deportive”.
“Tre ditë më parë Polonia ishte pranë humbjes kundër Ishujve Faroe, por 17 minuta përpara fundit Lewandowski u shfaq dhe shpëtoi ekipin nga një katastrofë. Këtë herë nuk ndodhi dhe polakët kanë një detyrë të vështirë përpara nëse duan të jenë në kampionatin e ardhshëm europian”, shkruan “Marca”.
Ndërsa Sport ka theksuar: Shqipëria edhe një herë konfirmoi rritjen dhe evoluimin e saj, duke marrë një fitore vendimtare ndaj Polonisë.
Pas fitores 2-0 ndaj Polonisë, Shqipëria tashmë është “koka” e grupit E me 10 pikë. Pas kuqezinjve qëndrojnë çekët me 8 pikë, por me një ndeshje më pak.
Në vendin e tretë ka habitur Moldavia që ka grumbulluar po ashtu 8 pikë. Polonia qëndron e katërta me 6 pikë, ndërsa Ishujt Faroe me 1 pikë është e fundit e grupit.