Kush është prokurori që amnistoi krimin e bandës së Rrajave, ONM rekomandoi ankim

Një skandal ndodhi ditën e sotme, me protagonist sistemin e drejtësisë, pasi Prokuroria e Tiranës ka lehtësuar akuzat ndaj anëtarëve të fisit Rraja, të cilët rreth një muaj më parë dhunuan brutalisht dy kushërinjtë Jashar dhe Bilbil Maja, pasi këta të fundit denoncuan në polici dëmet që u shkakton në banesat e tyre gurorja e Rrajave në Borizanë të Fushë Krujës.

Fillimisht, Prokuroria e Tiranës e regjistroi procedimin penal më 8 korrik për “plagosje të rëndë me dashje”, pas publikimit të pamjeve tronditëse të dhunës që shkaktoi zemërim publik. Por, përmes një shkrese që mban datën 8 gusht, i njëjti institucion thotë se bazuar tek ekspertizat mjeko-ligjore, akuza është “plagosje e lehtë me dashje”.

Sipas ekspertizës, dëmtimet e shkaktuara nga dhuna barbare me shkopinj bejsbolli nga 9 të akuzuarit, kanë sjellë humbje të aftësisë së përkohshme në punë të dy kushërinjëve Maja, por nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën.

Ky arsyetim skandaloz, duket i qëllimshme për të shpëtuar nga burgu të afërmit e ish-deputetit socialit Rrahman Rraja, pasi dy vëllezërit dhe djali i tij, janë ende në arrati. Kodi Penal parashikon dënime nga 3-10 vjet burg për plagosjen e rëndë me dashje dhe nga gjobë deri në 2 vjet burg për plagosjen e lehtë me dashje; kjo e fundit vetëm me kushtin që viktimat të paraqesin ankim.

Por, kush është prokurori i këtij arsyetimi skandaloz që po shpëton nga burgu Rrajat?

Bëhet fjalë për prokurorin Ylli Bashaj, i cili ka një karrierë të gjatë në prokurori e cila është zhvilluar në Prokurornë e Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyësor Tiranë. Ai nuk i ka mbyllur ende “hesapet” me procesin e Vettingut.

Fillimisht, ai u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), ku seanca në shkallën e parë të vetingut u mbajt më 12 Qershor, dhe u përball me pyetje nga KPK që kishin të bënin kryesisht mbi koherencën dhe vërtetësinë e një kontrate për blerjen e një shtëpie në vitin 2000.

Në përfundim, ai u konfirmua në detyrë, pasi KPK vlerësoi se problemet e konstatuara në kriterin e pasurisë, pasaktësitë në deklarim dhe balanca negative e fondeve në vlerën 133 mijë lekë në një vit në rastin kur vlera e një apartamenti me sipërfaqe 93.09 m2 i blerë në vitin 2000 është çmuar 28 mijë USD, ose 1.2 milionë lekë nëse do të konsiderohej se ishte blerë për 36 mijë USD, e përqendruar në një vit të vetëm, si dhe duke vlerësuar faktin se subjekti ka një karrierë më shumë se 30- vjeçare si prokuror, është konkluduar se nuk janë të mjaftueshme për të sjellë penalizim.

Por, më 30 Qershor, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) institucionit të Komisionerëve Publikë që të ankimojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Ylli Bashaj, duke e cilësuar të pasaktë dhe në vlerësim të gabuar të provave.

“Një hetim dhe analizë e duhur e elementeve të mbledhura dhe një vlerësim i duhur i provave, ka gjasa që t’i drejtonte organet e verifikimit drejt një vendimi që çon në shkarkimin e subjektit të rivlerësimit”, shprehej ONM.

Lidhur me blerjen e apartamentit, ONM vëren se KPK vlerësoi se çmimi i blerjes ishte 28 mijë USD, por e konsideron si një supozim këtë vlerë dhe çmon se duhej të ishte vlerësuar me më shumë kujdes dhe nuk duhej të ishte përdorur për arsyetimin dhe konkluzionet përfundimtare.

Sipas ONM, megjithëse subjekti ka këmbëngulur se ka paguar 28 mijë euro për apartamentin, provat janë kontradiktore pasi ka rezultuar se është marrë dhe një kredi 8 mijë euro për blerje apartamenti.

“Duke pasur parasysh përmbajtjen e kontratës së shitjes ku thuhet se çmimi është paguar tërësisht jashtë zyrës së noterit dhe deklaratave bankare që dëshmojnë për lëvrimin e 8.000 USD, vëzhguesit ndërkombëtarë besojnë se çmimi real që duhet të konsiderohet për apartamentin është 36 000 USD dhe jo 28 000 USD”, thuhej në rekomandim dhe shtohet se përgjigjet e pyetësorit dhe komentet që ka siguruar subjekti nga shoqëria ndërutese nuk mund të konsiderohen si prova të besueshme.

“Në të vërtetë, në Shqipëri nuk ndodh rrallë që vlera e deklaruar në kontratën e shitjes së një pasurie të paluajtshme të jetë më e ulët se vlera reale e rënë dakord ndërmjet palëve, që blerësi të financohet nga banka me një pjesë të çmimit të deklaruar në kontratë e cila nuk është”, vëren ONM dhe konkludon se është i pabazuar në prova konkluzioni i KPK se shuma e kredisë ka shërbyer për shlyerjen e vlerës 28 mijë euro.

Në vijim, ONM vlerëson se prokuroi Bashaj nuk ka dorëzuar asnjë provë të besueshme dokumentare për dy hua, një në shumën 2000 USD dhe tjetrën 1500 USD. Po ashtu, në rekomandim kundërshtohet edhe konstatimi i KPK, se huadhënësit kishin pasur mundësi financiare për këto shuma.

“Duket se KPK-ja i ka përcaktuar kapacitetet financiare të huadhënësve duke u hequr vetëm kostot e jetesës nga të ardhurat e tyre. KPK as nuk ka pyetur dhe as ka hetuar nëse huadhënësit kanë pasur fëmijë, nëse kanë blerë pasuri të paluajtshme apo kanë bërë investime të tjera, si dhe as nuk kanë kontrolluar nëse kanë detyrime apo shpenzime të tjera financiare për familjet e tyre”, evidenton ONM dhe e cilëson si të vështirë të ndajë të njëjtin qëndrim me Komisionin për këto gjetje.

Në rekomandim thuhet se mosdeklarimi i shlyerjes së borxheve, është një pasaktësi shtesë ndaj pretendimeve të subjektit. Vëzhguesit ndërkombëtarë çmojnë se konfirmimi i Bashajt është rezultat i një hetimi jokoherent dhe jo të plotë të kryer nga KPK në krriterin e pasurisë.

“Provat e përdorura nga KPK për konkluzionet dhe vendimin e saj janë larg të qënit të besueshme ose në përputhje me provat e tjera të mbledhura gjatë këtij procesi rivlerësimi”, citohet në rekomandim dhe theksohet se KPK duhej të kishte arritur një përfundim tjetër në përputhje me atë që është paraqitur në rekomandim.

Pas rekomandimit të ONM-së dorëzuar institucionit të Komisonerëve Publikë lidhur me vendimarrjen e KPK-së për konfirmimin në detyrë të prokurorit Ylli Bashaj, Komisionerja Irena Nino ushtroi ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, më 12 korrik. Nino çmonte se rrethanat e rezultuara nga hetimi administrativ i Komisionit në kriterin e pasurisë, duhen rivlerësuar nga Kolegji.

Lidhur me apartamentin 93.09 m2, Nino vlerëson se rrethanat e rezultuara nga hetimi administrativ i Komisionit, duhen rivlerësuar nga Kolegji në drejtim të arritjes së konkluzionit mbi saktësinë dhe vërtetësinë e deklarimeve të subjektit të rivlerësimit për vlerën e blerjes së kësaj pasurie.

Në konsideratë dhe të rekomandimit të ONM-së, Nino vëren probleme në dy marrdhënie huaje të Bashajt. “[…]Përveç mospërputhjeve të deklarimeve mbi shumat e huave nga individët e mësipërm në deklaratën e vitit 2003 dhe atë ‘Vetting’, mbetet i provuar dhe mosdeklarimi nga ana e subjektit të rivlerësimit në deklaratat periodike vjetore, dorëzuar pranë ILDKPKI-së, i ecurisë së marrëdhënies së huave dhe shlyerjeve të tyre. Këto marrëdhënie interesi të krijuara mes palëve, duhet të ishin deklaruar rregullisht që nga momenti i krijimit dhe deri në shuarjen e tyre, në deklarimet periodike të subjektit pranë ILDKPKI-së”, shprehet Komisionerja Publike.

Ajo çmon se deklarimet kontradiktore lidhur me shumat e marra hua; mosdeklarimet nga subjekti i rivlerësimit në deklaratat periodike vjetore të shlyerjes së tyre; si dhe mungesa e provueshmërisë me dokumentacion provues lidhur me marrjen, kthimin dhe mundësisë financiare të huadhënësit për të dhënë vlerën, janë rrethana që duket se duhet të analizohen dhe rivlerësohen nga Kolegji.

Po ashtu, Nino i kërkon Kolegjit që të vlerësojë zërat e analizës financiare lidhur me vlerën reale të blerjes së pasurisë dhe burimeve të ligjshme të deklaruara nga subjekti si burim krijimi, kryesisht për huat nga personat e tjerë të lidhur.

Komisionerja Publike arsyeton se proporcionaliteti vlerësohet rast pas rasti, duke pasur parasysh disa aspekte në drejtim të pajtueshmërisë së përmbajtjes së deklarimeve me provat e tjera.

Lidhur me shkollimin e vajzës së subjektit për periudhën tetor 2013 – prill 2014, Nino konstaton se dokumentacioni i vënë në dispozicion nga subjekti i rivlerësimit, nuk është në formën ligjore të kërkuar, që të konsiderohet me vlerë provuese dhe për të krijuar bindjen se në llogari ka kaluar vetëm bursa dhe jo transferta të tjera.

Në përfundim, Nino vlerëson se shkaqet e ankimit në vlerësimin e kriterit të pasurisë do të duhet të gjejnë përgjigje gjatë vlerësimit të çështjes në Kolegj dhe bazuar në konkluzionet e arritura të ndryshohet ose të lihet në fuqi vendimi i Komisionit për prokurorin Ylli Bashaj.

Mbetet të shihet nëse a do të shkarkohet apo jo nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë e vettingut, pas ankimimit nga ONM./Boldnews

About Redaksia

Check Also

Kërcënimi mafioz i Ramës për Ahmetajn: Po fole…

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj do të flasë sërish nga arratia. Gazetari Çim Peka ka publikuar disa …

Leave a Reply