Franci Nuri
Avokat dhe Këshilltar Ligjor në Partinë Demokratike
Muaji shtator përkon zakonisht me shumë ngjarje socio-politike të rëndësishme në vend, një nga të cilat është edhe çelja e sesionit të ri parlamentar, si pikënisje e aktivitetit intensiv politik. Edhe kësaj here, nuk mund të ishte ndryshe. Shtatori 2023 ka nisur me ndryshime pozitive në kampin opozitar, nën frymën e bashkërendimit dhe të bashkimit e aktorëve politikë që duan t’i kundërvihen këtij pushteti.
Ndërsa për kampin e qeverisë, temperaturat e larta të verës përvëluese që sapo lëmë pas, mbushur me skandale, arreste apo urdhër-arreste zyrtarësh e eksponentësh të lartë të pushtetit vendor dhe qëndror, deri në largimin në drejtim të paditur të ish-Zv/Kryeministrit, duket se do të vazhdojnë gjatë edhe në këtë vjeshtë.
Nëse analizojmë nismat e reja dhe projektligjet e ndryshme që janë paraqitur për shqyrtim në Kuvend deri tani, nuk mund të mos evidentojmë nismën e qeverisë së Edi Ramës për të rikthyer sërish bastet dhe lojrat e fatit në vend.
Pas disa vitesh mbyllje (vetëm zyrtarisht) të basteve apo llotove sportive në vend, qeveria detyrohet që të bëjë kthesë 180 gradë, duke hapur sërish lojrat e fatit. Pse ndodh një fenomen i tillë? Dihet se bastet sportive nuk arritët kurrë të mbylleshin totalisht. Përkundrazi, ato lulëzuan dhe po përhapen me shpejtësi të madhe dhe në ilegalitet të plotë. Mbyllja e basteve dhe e llotove sportive përkoi më pas, çuditërisht edhe me shtimin e “kazinove” në vend e sidomos në Tiranë, ku nga një kazino e vetme në kohën kur bastet sportive ishin të ligjshme, sot janë mbi 6 a 7 kazino të liçensuara vetëm në Tiranë. Mos vallë, mbyllja e përkohshme e basteve sportive ishte thjesht sa për t’i rritur “vlerën” dhënies së liçensave të kazinove?
Por pa dashur t’i mëshojmë debatit nëse duhen apo nuk duhen legalizuar lojërat e fatit (të cilat u shpallën të paligjshme vetë përpara pak vitesh nga po kjo Qeveri, duke e shtuar këtë aktivitet si një vepër panele), për këdo është mister fakti se si dhe pse bëri prapakthehu qeveria në këtë çështje kaq sensitive për opinionin publik. Debatet publike dhe komentet lidhur me këtë projektligj të lojrave të fatit sapo kanë filluar, pikërisht sepse drafti nisi këtë javë të shqyrtohet nga komisionet parlamentare të Kuvendit.
Të shumtë do të jenë padyshim argumentat pro dhe kundër nismës, sikundër të shumta mund të jenë analizat e nismës nga pikëpamja sociale dhe ekonomike. Të shumta janë në fakt edhe vërejtjet, kritikat dhe problemet që vetë projektligji mbart në vetvete. Por si jurist, do t’a fokusoj analizën time tek ajo çka mungon më së shumti në shkrimet dhe analizat publike në përgjithësi: tek oponenca ligjore e draftit të projekligjit të depozituar në Kuvend.
Sipas relacionit të projektligjit, synimet “zyrtare” të aktit janë : “Rikthimi i kategorisë së basteve sportive, por tashmë vetëm në formën on-line me qëllim formalizimin e tregut të lojërave të fatit për këtë kategori loje, duke licencuar subjekte të cilat kanë eksperincë në ushtrimin e aktivitetit “baste sportive””, si dhe “Garantimi për përdorimin e të ardhurave të mbledhura nga aktiviteti i basteve sportive on-line në mbështetjen direkte në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit por dhe financimin e programeve të mbrojtjes së lojtarit”.
Në fakt, ndryshe nga sa propagandon qeveria se bastet do të hapen vetëm online, në realitet bastet do mund të luhen edhe në ambiente dhe lokale fizike. Kjo del fare e qartë nga analiza e vetë projekligjit që qeveria ka sjellë përmiratim në Kuvend. Ideja e qeverisë se bastet do të jenë “onlinë”, lë të kuptohet se bastet do të luhen nga shtepia apo nga celulari. Por në fakt, nuk rezulton të jetë tamam kështu. Por çfarë kuptimi i jep projektligji basteve “online”?
Vetë projekligji (Neni 2, pika 6) jep këtë përkufizim të basteve online, ku përfshin edhe platformat elektronike të dedikuara: “6. “Baste sportive on-line” janë bastet e vendosura në faqe interneti, aplikacione ose platformë elektronike të dedikuar, të autorizuar dhe të monitorueshme të subjekteve të licencuara, në përputhje me parashikimet e këtij ligji, për ngjarjet sportive ose/dhe lojërat sportive të cilat do të ndodhin në të ardhmen dhe që nuk përfshijnë garat e pistave.”.
Në asnjë vend në projektligj nuk shpjegohet dhe nuk përkufizohet termi “Platformë elektronike e dedikuar”. Pra nuk sqarohet se çfarë janë dhe si do të funksionojnë këto “platforma”. Këto platforma mund të jetë makina/suporte elektronike (si ato të kazinove) ku lojtarët do mund të luajnë dhe vendosin bastet e tyre. Pra teknikisht loja do të jetë elektronike, por praktikisht lojtarët për të luajtur do të shkojnë në ambiente fizike/lokale, ku ndodhen këto pajisje.
Shkurt, ligji i ri do të hapë lojrat e fatit kudo në Shqipëri dhe termi “online” nuk e zbut aspak situatën. Që bastet do të vendosen edhe në ambiente/lokale fizike, kjo vertetohet edhe tek një element tjetër i rëndësishëm në projektligj. Nëse shohim dispozitën që cek detyrimin për organizatorët e lojrave të fatit për të afishuar njoftime, (në Nenin 4 të projektligjit), parashikohet të vendoset ky rregull, sipas të cilit :
“1. Organizatorët e lojërave të fatit janë të detyruar të vendosin në mënyrë dalluese në ambientet ku luhen lojëra fati si dhe në website-et e tyre zyrtare sipas formatit të miratuar nga Komisioni i Licencave, informacion në lidhje me masat mbrojtëse për lojtarët, mesazhe në lidhje me luajtjen e lojërave të fatit nga lojtarët në mënyrë të përgjegjshme, rreziqet e mundshme të lojërave të fatit, …”.
Pra, mjafton kjo dispozitë në projekligj për të nxjerr bllof gjithë propagandën e Qeverise, sipas te cilës lojrat e fatit do të hapen vetëm “online”. Nëse është vërtetë kështu, atëherë përse detyrohen organizatorët e lojrave të vendosin shenja informuese dhe sensibilizuese për lojtaret, në ambientet ku luhen lojëra fati?
Nga ana tjetër, një problem shqetësues është ai i dhënies së licensave për bastet. Sipas propozimit të qeverisë, për liçensat do të ngarkohet një “Komision Licensash”, ku do të përfshihet edhe një përfaqësues i AKSHI. Problematikat dhe skandalet e AKSHI me tenderat por edhe me dështimet lidhur me sistemet e ruajtjes të sigurt të të dhënave personale të shqiptarëve, tashmë dihen. Përveç këtyre detyrave, AKSHI (nëpërmjet përfaqesuesit të tij) do te duhet te “vlerësojë” edhe kandidaturat që duan të pajisen me licensa lojrash fati. Por edhe përberja e këtij komisioni kaq të rëndësishëm, nga i cili varet fati i liçensës së kompanive, në projektligjin e qeverisë lejon shumë hapësira për abuzim.
Më konkretisht, në pikën 3 të nenit të ri 17/1, parashikohet kjo dispozitë e cila nuk haset në asnjë rast analog në legjislacionin shqiptar: “3. Ministrat, sipas parashikimit të pikës 1, mund të caktojnë si anëtarë edhe persona që nuk ushtrojne funksione publike dhe që kanë jo më pak se 5 vite përvojë pune. Anëtarët e Komisionit caktohen një herë në katër vjet”. Me fjale të tjera, Ministri apo titullari i insitucionit mund te caktoje si anëtar të Komisionit të liçensave të lojrave të fatit, jo vetëm cilindo funksionar të ministrisë, por më keq akoma, projektigji i lejon të caktojë anetar me mandat 4-vjecar, edhe dike qe nuk eshte fare funksionar i Shtetit.
Mjafton që individi në fjalë të ketë 5-vite eksperiencë pune. Duke mos parashikuar asnjë kriter moshe, arsimimi, eksperiencë të mëparshme në këto fusha, projekligji lejon de jure që liçensat e lojrave të fatit t’i kenë në dorë edhe njërëz pa asnjë lidhje me Shtetin Shqiptar!
Së fundmi, disa komente lidhur me vetë kriteret e licensimit të basteve spotive. Projektligji kërkon që kompanitë që do të aplikojnë për liçensë të kenë jo më pak se 3-vite eksperiencë në lojrat e fatit, në të paktën 3 shtete të BE ose OECD. Në draft ka edhe kritere të tjerateknike tek të cilët nuk po ndalem. Megjithatë ky është rregulli i përgjithshëm, por çuditerisht, sipas draftit të qeverisë, këto kritere konsiderohen të përmbushura edhe nëse i përmbush edhe nje aksionar i një kompanie bastesh të huaja. Këtu lind pyetja: A mund te ekuivalentohet eksperienca, pervoja, etj. e nje kompanie me ate te nje aksionari te saj ? Nese nje kompani bastesh online e huaj qe operon ne BE prej shumë vitesh, mund te kete supozojme 10, 100 apo 1000 aksionarë, cfarë na garanton se pikerisht ai aksionar i cili aplikon në Shqipëri i përmbushka kriteret? Thjesht dhe vetem se dikush ka patur emrin si pronar i një aksioni të caktuar në nje kompani bastesh të huaja per 3 vite rresht nuk mjafton dhe nuk zevendeson kurrë eksperiencen e nje kompanie të tërë.
Por duke mos parashikuar asnje minimun te tille, edhe nje person anonim me 0.0001% aksione ne nje kompani bastesh (dhe ne Botë ka shume te tilla) do t’i plotesonte keto kritere, duke marre mbi vete “eksperiencen” e kompanise ku ai figuron “pronar”, pavarerisht se nuk ndikon aspak ne punen dhe politiken e perditshme te asaj kompanie. Ndaj përfundimisht, projekligji i qeverisë në variantin aktual, lë të hapur shtegun që licensat e basteve/llotove sportive në vend t’i marrin individë dhe jo kompani të huaja e të mirenjohura ne tregun boteror te basteve.