Oligarkia e avancuar në qeverisjen e Ramës dhe pushtetet e padukshme

Nga Ndriçim KULLA

A mund të bëhet një politikë më e mirë në këtë kohë krize të përgjithshme në këtë vend ku ka pllakosur jo vetëm një krizë e fortë ekonomike, por edhe një krizë akoma dhe më e thellë sociale dhe politike?

Pra, a mund të bëhet politikë edhe jashtë prej “traditës” së sjelljes së klasave udhëheqëse politike gjatë gjithë kësaj periudhe të tranzicionit, jashtë prej të gjithë atyre “historive” të mazhorancave dhe opozitave që me radhë kanë shoqëruar këtë tranzicion?

Një shtet i përdorur për të ruajtur pushtetin dhe një pushtet i “degjeneruar” deri në atë masë sa të mos ruajë dot as funksionet e veta më kryesore, nuk është shkak në vetvete, është vetëm pasojë e faktit që grushti i oligarkisë, çdo vit e më shumë, është bërë kaq i rëndë e goditës sa ka arritur ta shkallmojë parzmoren e politikës.

Fuqisë ekonomike i është hapur rrugë të sundojë fuqinë politike.

Nëse nevojitet, ajo duhet luftuar nga politika, për ta sjellë në binarët e vet ekonominë, shkruan Karl Popper.

Problemi është se në Shqipëri, ky mendim politik aq shumë i vlerësuar në demokracitë perëndimore, ka ndeshur gjithmonë vështirësi të zbatohet, për të mos synuar më pas të fitojë terren e të propozohet si një alternativë e domosdoshme, ndaj dy plagëve tona të sotme: oligarkisë së avancuar në qeverisje dhe pushteteve të padukshme të pleksura me qeverisjen.

Në teorinë politike lindja e “pushteteve të padukshme” humbet deri në labirintet e shkuara të së moçmes. Intrigat e oborreve, vrasjet e pallateve mbretërore, janë skena që për shekuj me radhë kanë gjallëruar teatrin e politikës europiane.

Zhvillimi dhe konsolidimi i demokracisë nuk mundi ta shkulë fenomenin nga skena publike, përkundrazi.

Politika moderne, edhe në vendet me traditë të shëndoshë demokratike, ka njohur një strukturim progresiv dhe shpërhapje të gjerë të kanaleve të pushtetit të fshehtë dhe skajshmërisht të fuqishëm e kompleks.

Aq më tepër sot  në politikën e sundimit rilindas, që si busull të udhëheqese   ka  vetëm pushtetin dhe si “kartë vlerash’ vetëm intrigën për ta fituar këtë pushtet, ullukëzimi kapilar i “tentakulave” të pushteteve të padukshme i cili është ndihmuar edhe nga “mjeshtëria bizantine” dhe “arsenali i jashtëzakonshëm i mjeteve që kjo “zejtari e veçantë shqiptare” na afron, ka arritur të lulëzojë në të gjithë rrethin tonë shoqëror, mendor e politik.

Ushtrimi i fshehtë i fuqisë politike – e drejtuar drejt sekretësisë dhe gënjeshtrës – përforcon sot një problem të rangut më të lartë të shoqërisë sonë, që pret zgjidhje qoftë në nivelin e veprimit politik, ashtu dhe në një nivel më të përgjithshëm, në nivelin e aktivitetit shoqëror.

E kjo për faktin se një aspekt i saj i rëndësishëm ka të bëjë drejtpërdrejt me vetë faktin e demokracisë së një vendi.

Pushteti i padukshëm nuk konsiston thjesht në një pengesë në realizimin më të plotë apo më të mirë të një demokracie, por përbën faktorin bazë të degjenerimit të kësaj forme të qeverisjes.

Transparenca e politikës dhe pushtetit është mënyra më qenësore e çdo modeli demokratik. Aty ku sfera e qeverisjes është e mbuluar nga errësira nuk mund të flitet më për menaxhim apo kontroll të pushtetit nga ana e qytetarëve.

Aty, ushtrimi i fshehtë i pushtetit i transformon njerëzit nga individë politikisht të lirë në individë të nënshtruar.

E kjo për faktin se errësira, nga njëra anë, nevojitet të fshehë nga sytë e të qeverisurve veprimet e pushtetit që bien ndesh me parimet e legjitimitetit demokratik, dhe nga ana tjetër, kërkon të mbulojë strategjitë që pushteti përdor shpesh për të neutralizuar veprimet apo lëvizjet e “segmenteve të tjera të caktuara të klasave udhëheqëse”.

Për rrjedhim, korrupsioni, menaxhimi instrumental i informacionit dhe i konflikteve sociale, përgjimi, shantazhimi (për të mos shkuar deri në mjete më të dhunshme si urrejtja apo si  hakmarrja e kryeministrit të sotëm që është emblematike ), janë disa prej instrumenteve përmes të cilëve synohet të arrihet një neutralizim i tillë.

Duke sjellë ndërmend këto radhë të mësimeve politike, rrëqethesh me përpikërinë me të cilën puthitet ky shpjegim me gjendjen e sotme të qeverisjes shqiptare të bojaxhiut të shkarravinave.

Sa herë me radhë këto 10 vjet  qytetarët kanë qenë të fundit që janë informuar ose në shumicën e herës nuk janë informuar për ligje, norma, tendera e trafiqe të kryera në errësirë nga shteti e qeverisja, e që kanë nxjerrë në dritë vetëm majën e tyre të ajsbergut, falë shpërthimit të   vjedhjeve apo të skandaleve fenomenale.

Sa herë kemi dëgjuar për video që pritet të dalin, por nuk dalin kurrë, ose dalin vetëm ato video që i interesojnë pushtetit ose klasave udhëheqëse të partive politike.

Sa dosje skandaloze të korrupsionit qeveritar që disponon SPAKU dhe heziton t’i aktivizojë hetimet e tyre për shkak të presionit personal të kryeministrit të gjithpushtetshëm?!

Po skandalet e shpërthyera të përgjimit që si një flluskë fryhen dhe shfryhen dhe në fund shpesh dalin barazim si në ndeshje futbolli, ndoshta nga të dyja palët e politikës, a nuk janë shenja alarmante se pushteti i padukshëm në Shqipëri ka zënë rrënjë të forta, gati të pashkulshme, aq sa së fundi ai arriti të pleksej me një masë të madhe njerëzish duke i orientuar ata me “forcën e parasë dhe të skamjes” drejt rrugës së kanabizimit.

Por ajo që e bën akoma dhe më të tmerrshëm kontrastin midis pushtetit të padukshëm dhe demokracisë sonë është se një kontrast i tillë  ka lindur dhe po vazhdon të zhvillohet si në planin e parimeve politike ashtu dhe në planin e konflikteve të interesit.

Kjo e fundit është ajo që e bën kaq të rrezikshëm këtë fenomen, duke e shndërruar jo thjesht në një limit, siç përpiqet shumëkush ta thjeshtëzojë, por në një virus vdekjeprurës për demokracinë.

Ky është skenari ku ka rrëshqitur  shoqëria jonë, që mbart mbi supe aq e aq konflikte të pazgjidhura pronash apo dhe interesa thjesht mbijetese apo të karakterit të padrejtësisë sociale.

About Redaksia

Check Also

Derrkuci transgjinor i Tiranës

Nga Luçiano BOÇI Fëmijët dhe prindërit e shfaqjes së ofruar nga Bashkia e Tiranës u gjendën …

Leave a Reply