Kopshti i Encës dhe Edeni i Ramës

Nga Luçiano BOÇI

Lajmi për ndalimin e Encës, këngëtares së njohur, për pesë saksi me kanabis prodhoi pothuaj të gjitha emocionet.

Rivalët u gëzuan me buzëqeshje cinike që Enca e “hangu”, fansat u revoltuan duke u qeshur e u përqeshur me “shtetin e famshëm”, i cili merret me Encën dhe jo me grosistët e vërtetë që trafikojnë tonelata hashash dhe investojnë ethshëm paratë e trafikut në ndërtim.

Një pjesë e qytetarëve qeshën me zemër me “seriozitetin” banal të shtetit tonë komik..

Policët që kanë marrë pjesë në ruajtjen e parcelave me hashash u gajasën fare. Ndonjëri, madje nënqeshi me fantazi pse Enca se kishte marrë atë për ruajtës të kopshtit me pesë saksi që mos t’i ndodhte kjo që i ndodhi.

Të burgosurit VIP për hashash, janë të qeshur e të gëzuar që zbuluan një partnere VIP pa konkurrencë në sferën e biznesit të tyre.

Dhe vetë Enca qeshi me aktin e vet. Ajo e di mirë që ndonëse ditët e burgut janë të vështira, fama e saj dhe like-t për arsye të “skandalit” do jenë eksponenciale.

Thonë që dhe Rama ishte “zgërdhirë” fare nga të qeshurit e qejfi i talljes, kur i dhanë lajmin.

Domethënë ishte një histori nga ato të rrallat ku të gjithë dalin pothuaj të kënaqur e të lumtur nga historia.

Edhe shteti dhe publiku. Dhe policia dhe “krimineli”. Dhe kryeministri delinkuent dhe masa e nënshtruar.

E qeshura nuk shteron…

E gjitha kjo sepse kopshti i Encës nuk është më mëkat në kopshtin e Edenit-Shqipëri që ka ndërtuar Rama.

Një Eden ku lumturia nëpërmjet përdorimit të lëndëve psikotrope është forma më e gjetur dhe më e frekuentuar e lumturisë.

Një Eden ku trullosja e masës është agjendë qeveritare.

Një Eden me hashash sheshit e me trafik ndërkombëtarisht të njohur dhe tanimë të legalizuar.

E qeshura nuk pushon…

Sepse në një vend ku pothuaj i gjithë territori jeshilon nga hashashi, është qesharake të “kapësh” kopshtin me 5 saksi të Encës.

Në një vend ku deri Gjeneralët dhe ushtria shqiptare pjesë e ushtrisë më të fuqishme të botës, kultivojnë hashash e s’u trembet syri, ngjan qesharake që Enca si këngëtare kapriçoze, të mos e bëjë.

Në një vend ky hyn derri e dosa bashkë, plas nga gazi tek sheh të kalojnë në vrimë të gjilpërës saksiat e Encës.

Në një vend ku Kryeministri ia kërcet me pink-cocaine është qesharake të mos e përdorë Enca hashashin “e lehtë” e ta mbjellë për përdorim personal.

Në një vend ku pihet hashash pa hesap në shkolla nga nxënës të mitur, është qesharake të mos e pijnë artistët për të justifikuar aty frymëzimin haluçinant çmendurak.

Në një vend të vetëshpallur Republikë hashashi, duket absurde në opinionin e thjesht të penalizohen njerëz për hashash.

Në këtë histori duhet të ketë vetëm një të dënuar. Ai është personi që kanabizoi dhe ligjëroi kanabizimin për të na sjellë pranë Edenin si ferr dhe jo si parajsë.

Kjo është njëherazi tragjedia dhe komedia e Edenit tonë fatkeq që Rama dhe qeverisja e tij kanë imponuar në Shqipëri.

About Redaksia

Check Also

Kur mediat nuk kanë interesin publik primar, por pagesat nga inceneratorët…

Nga Adriana KALAJA Sot gjithë mediat që paguhen nga inceneratorët, dhanë lajmin e dosjes së …

Leave a Reply