Shpëtimi për shqiptarët

Nga Redin HAFIZI

“Liri!-Po, liri dhe gaforrja gëzon,
por gaforre asht…
Liri, ku plogsi ndërgjegje gjallon,
jo, liri nuk asht”. 

Nuk duhet një lider për të mposhtur një regjim, por duhet një gladiator që me shembullin e tij të sakrificës të fitojë zemrat e njerëzve. Fuqinë e vërtetë e kanë njerëzit dhe kjo fuqi ka vetëm dy rrugë, të drejtohet ose të mbahet e shtypur. Të dyja rrugët janë të përkohëshme siç ka treguar historia, por nëse të parën e vendos vullneti i njerëzve për të jetuar të lirë apo të shtypur, të dytën e vendos patjetër fati i diktatorit që pa kuptuar ose me dëshirë merr të gjithë pushtetin dhe kërkon t’i shndërrojë njerëzit në të pafuqishëm, në skllevër. Pra në të dyja rastet nuk ka ndryshim por njerëzit i dorëzohen të keqes, të mërzitur dhe të lodhur nga liria, apo të mërzitur apo të lodhur nga shtypja. Njerëzit mërziten dhe lodhen. Shpëtimi vjen vetëm nga individë që jetojnë jashtë mërzitjes dhe lodhjes. Shpëtimi vjen nga jashtë sistemeve ku qeverriset fuqia e njerëzve. Shpëtimi vjen kur fuqia njerëzore mbetet e tillë në përjetësi dhe kjo nuk sanksionohet. Shpëtimi vjen nga njerëz që jetojnë të lirë dhe me shembullin e lirisë së tyre u tregon njerëzve se edhe ata mund të bëjnë si ai, të jetojnë të lirë. Shpëtimi vjen vetëm kur udhëheqësia do të thotë drejto përmes shembullit personal.

Pra sërish duhet njeriu. Një njeri që tregon se nuk ka ambicie për pushtet, por më shumë dashuri për njerëzit. Një njeri që di të dyluftojë me të keqen dhe diktatorin, por i aftë të fitojë dashurinë e të lërë pushtetin fuqisë së njerëzve. Pra kërkohet të vijë një njeri që rrespekton sistemin dhe jo fuqinë e vetvetes kur mund paraardhësin. Kërkohet një njeri që të japi fund fjalimeve përballë qytetarëve, të cilët në fund i dinë të gjitha, por janë të heshtur, pasi ata nuk kanë ardhur në këtë botë të sakrifikohen për liderin, por patjetër historia e luftës të së mirës ndaj së keqes ka treguar se është lideri që duhet të sakrifikohet për të fituar dashurinë e njerëzve.

Pra shkojmë sërish tek fuqia e vërtetë që e kanë njerëzit dhe dikush mund të pyesë se kush do e drejtojë sistemin kur njeriu i fuqishëm lindi dhe vdiq. Këtu kthehemi tek fuqia e ligjit të njerëzve, pra tek kushtetuta. Kur njeriu i fuqishëm jep jetën dhe derdh gjakun për pafuqinë e të tjerëve atëherë ai nuk e ka problem që fuqisë së lindur të shumicës t’i shtojë edhe fuqinë e tij si individ dhe do të jenë njerëzit që do të dinë të zgjedhin vërtet liderin e tyre që ka mendjen e tij por zemrën e njerëzve, apo që njerëzit e kanë në zemër. Merreni si të doni, por ky njeri nuk ndodhet në Shqipëri tani, ndoshta janë të rrallë në botë, por një gjë është e sigurtë se ai njeri lind aty ku djalli apo e keqja i ka futur rrënjët më thellë. Ai njeri lind aty ku njerëzit ulërasin për shpëtim.

Pa tjetër që: “Të lindet një njeri
i madh si madhni
dhe ndërgjegjet tona t’i ndezi në dashni,
për një ide të re, ideal bujar,
për një agim të lum e të drejtë kombëtar”.

About Redaksia

Check Also

Patriot shqiptar?!

Nga Redin HAFIZI Në Shqipëri edhe patriotizmi ka ndryshuar thelbin dhe është kthyer nga ndjenjë …

Leave a Reply