I ngjan një bilanci lufte me 7 të vrarë dhe të plagosur në dy ditë ndërkohë që ministri i Brendshëm ka nisur biznesin e karrotrecave.
Krismat e kallashit tronditën qytetin e vogël të Rrëshëniet paraditen e së martës. Viktimë mbeti Martin Bardhi (Marku). Të plagosur rëndë, Oltion Gjini, Ilir Bardhoku dhe Indrit Bardhi, të tre të afërm të viktimës. Në atentat kanë marrë pjesë dy autorë të maskuar. Me fuoristradë të zezë ata mendohet se kanë ardhur nga pjesa e qendrës së qytetit dhe janë ndaluar në rrugën kryesore, në afërsi të komisariatit të policisë. Si gjithmonë në ngjarje të tilla, pak pas krimit u raportuar për gjetjen e makinës së djegur, me të cilën lëvizën autorët. Mjeti u gjet i shkrumbuar në fshatin Gëziq të Mirditës ndërsa atentatorët të ndihmuar nga bashkëpunëtorët kanë arritur të largohen pa gjurmë.
Sot duke u gdhirë e mërkura, një tjetër atentat mafioz ndodhi në Sukth pranë shinave të trenit. Viktimë mbeti Fatjon Dervishi, 38 vjeç. Ai u qëllua me dy plumba teksa po lëvizte me një makinë tip “Audi” bashkë me një person tjetër të identifikuar si E.SH, banor i zonës. Viktima rezulton nën hetim në shtetin e Holandës për trafik të lëndëve narkotike. Deri më tani as kjo ngjarje nuk është zbardhur.
Mbrëmjen e së mërkurës në Dukagjin u raportua për një tjetër ngjarje kriminale. Viktimë e një atentati mbeti shtetasi Zef Guri dhe i plagosur Gjin Guri. Dyshohet se shënjestra ishte Gjin Guri, i cili kishte probleme dhe konflikte të mëparshme. As për këtë ngjarje s’ka të arrestuar deri më tani.