Leonardo Bonucci po luan sezonin e fundit të karrierës me fanellën e Union Berlin në Bundesliga. Mbrojtësi u largua pa dëshirën e tij nga Juventus dhe në një intervistë të fundit për mediat gjermane, shprehet se tashmë nuk dëshiron të flasë shumë për të kaluarën e tij, për t’u përqëndruar te aventura e re dhe Europiani me Italinë në të cilin dëshiron të jetë me çdo kusht.
“Të jem i sinqertë nuk më shkonte ndërmend të largohesha nga Italia. Juventus ishte jeta ime dhe mendoja se do ta luaja aty vitin e fundit të karrierës, por tani nuk dua të flas sërish për të kaluarën. Transferimi te Union Berlin? Doja të eksperimentoja një kulturë të re, një gjuhë të re dhe një stil jete të ri.
E doja shumë këtë eksperiencë dhe tani jam i përqëndruar këtu. Gjermanishtja është një gjuhë shumë e vështirë, po ashtu edhe futbolli. Këtu lojtarët janë shumë të gjatë dhe që në fillim i thashë trajnerit se do të më duheshin tre apo katër javë për t’u përshtatur. Tani jam thuajse gati.
Kombëtarja? Kam biseduar me trajnerin Luciano Spalletti. Më ka thënë se duhet të luaj shumë ndeshje që të rikthehem në kombëtare. E di që është e vështirë, por objektivi im kryesor është të jem mes lojtarëve të grumbulluar për Europian”, u shpreh Bonucci.