Autoritetet në Kosovë po vijojnë të publikojnë prova që e lidhin grupin sulmues terrorist ndaj policisë së Kosovës me Beogradin zyrtar. Këtë të mërkurë, Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla, zbuloi se njëri nga të vrarët në Banjskë të Zveçanit, është e truproja e shefit të inteligjencës serbe, Aleksandër Vulin.
Në një postim në “FB” ai publikon dhe foton e personit në fjalë, ndërsa shprehet se shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm që e cilëson terrorist me qëllim sipas tij, destablizimin e Republikës së Kosovës.
“Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë”, ka shtuar ai.
Më tej, ai shton se këto fakte janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviçit.
Një ditë më parë, Sveçla publikoi një video në rrjetet sociale, në të cilën siç shpjegoi, shfaqet nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, gjatë sulmit kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator.
Më 24 shtator, në orët e para të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur teksa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rruge nga dy kamionë pa targa në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë, u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia vrau tre sulmues të shtetësisë serbe, ndërsa arrestoi tetë të tjerë.