Kryetari i PD, Sali Berisha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të klerikut, At Artur Liolin. Berisha ështs shprehur se Kisha Orthodokse Autoqefale Shqiptare, diaspora jonë në SHBA dhe kombi shqiptar humbën një udhëheqës shpirtëror të urtë, atdhetar dhe mendjendritur, humbën dishepullin e shquar të themeluesit të kishës orthodokse autoqefale shqiptare Fan S. Noli dhe vazhduesin e denjë të veprës së tij të përjetshme
Postimi
Dielli perëndoi përgjithmonë për At Artur Liolin.
Të dashur miq, kancelari i Kryepeshkopatës Orthodokse Shqiptare, dishepulli i Fan Nolit At Artur Evans Liolin mbylli sytë përgjithmonë.
Kisha Orthodokse Autoqefale Shqiptare, diaspora jonë në SHBA dhe kombi shqiptar humbën një udhëheqës shpirtëror të urtë, atdhetar dhe mendjendritur, humbën dishepullin e shquar të themeluesit të kishës orthodokse autoqefale shqiptare Fan S. Noli dhe vazhduesin e denjë të veprës së tij të përjeteshme. At Artur Liolin i diplomuar në Princton, në vitin 1970 u dorëzua prift në Boston dhe i shërbeu me devocion të madh si udhëheqës shpirtëror komunitetit shqiptar në kryekishën e tij të Shën Gjergjit në Boston. Në vitin 1975 u emërua Kancelar i Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Orthodokse në Amerikë, të cilës i shërbeu derisa ndërroi jetë.
Gjatë shërbimit të tij, At Arturi si princ i vërtet i kishës sonë ortodokse në SHBA ai gjallëroi jetën shpirtërore dhe veprimtaritë e komunitetit orthodhoks shqiptar dhe e shëndrroi atë në një votër të fuqishme të besimit tek Zoti, djep atdhetarie dhe qendër të dashur kulturore për shqiptarët. At Artur Liolin ka bërë disa vizita në Shqipëri, ai mbeshteti që në fillim fort proceset demokratike dhe vepren e ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga gërmadhat e regjimit ateist.
Unë kam patur fatin e veçantë që ta pres dhe takoj disa herë në Tiranë, por edhe në Boston në Kishën e Shën Gjergjit. Me këtë rast shpreh dhimbjen e thellë për këtë humbje të pakompensueshme të kombit tonë, shpreh mirënjohjen time të pakufijshme dhe nderimin tim më të thellë për veprën dhe kontributin e pavdekshëm të At Artur Liolinit për kishën orthodokse shqiptare dhe i përcjell ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve,diasporës sonë në Boston, udhëheqjes së Kishës Orthodokse Autoqefalë të Shqipërisë, për ndarjen e tij nga jeta. Unë lutem së bashku me ta që shpirti i mirë i At Artur Liolin të gjej paqen e merituar! Amin. sb
POLITIKO, 29 SHTATOR 2023
At Artur Liolin, kancelar i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare, pasuesi i Fan Nolit, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lajmin e ka bërë të ditur Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.
“Një humbje e madhe për familjen, për kishën ku shërbente dhe për të gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë. At Arturi ishte nxënës i Imzot Theofan Nolit dhe vazhdoi me përkushtim veprën e tij”, shkruan Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.
Jeta dhe veprimtaria e At Artur Liolinit
Artur Evans Liolini lindi më 19 qershor 1943 në Neë York, në një familje me origjinë nga Boboshtica e Korçës.
Në vitin 1967 mbaroi studimet për Histori Arti (Mesjeta dhe Bizanti) në Universitetin “Princeton”. Në vitin 1970 u dorëzua prift në Boston dhe i shërbeu komunitetit shqiptar në kryekishën e Shën Gjergjit.
Në vitin 1975 u emërua Kancelar i Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Orthodhokse në Amerikë, të cilës i shërbeu derisa ndërroi jetë.
Gjatë shërbimit të tij, At Arturi gjallëroi jetën shpirtërore dhe veprimtaritë e komunitetit orthodhoks shqiptar.
Ai ka bërë disa vizita në Shqipëri, duke qenë dashamirës i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ka mbështetur veprën e ringritjes së saj nga gërmadhat e regjimit ateist.
Në vitin 2010 ai mirëpriti në Boston Kryepiskopin Anastas, me rastin e 100-vjetorit të Kryedioqezës Shqiptare.