Roli i KFOR në veriun e Kosovës duket se ka përplasur sërish kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe atë të Shqipërisë Edi Rama.
Kryeministri Albin Kurti nuk është dakord me deklaratën më të fundit të Ramës se KFOR-i duhet të vendoset në veri të Kosovës dhe të marrë kontrollin, nisur nga situata e krijuar në ditët e fundit.
Në një intervistë për mediat boshnjake, Kurti u shpreh se kudo në Kosovë e para përgjigjet policia e pastaj KFOR e EULEX.
“Për propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama që KFOR-i të marrë kontrollin e veriut të Kosovës, ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. E për sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është vendosur. Kudo në Kosovë, e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet ndryshuar”, u shpreh Kurti.
Rama për KFOR-in në veri
Në një konferencë për gazetarët një ditë më parë në Tiranë, kryeministri Edi Rama propozoi që “KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës”. Ai tha se me këtë propozim ishte dakord dhe qeveria e Kosovës. Deklaratë kjo që u përgënjeshtrua më pas nga zyrtarë të Kosovës dhe vetë kryeministri Albin Kurti.
Berisha: Kërkesa djallëzore, për llogari të Vuçiç
Pas tij, reagoi dhe kreu i PD-së, Sali Berisha, i cili e quajti kërkesën e Ramës djallëzore. Sipas tij, kërkesa e Ramës është e porositur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
“Kërkesa e Edi Ramës me porosi të Aleksandër Vuçiç që komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe të vendosen nën kontrollin e KFOR-it është një kërkesë djallëzore e cila nuk ka qëllim tjetër përveç indirekt për të dalë tek ndarja e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë. Këtë projekt Edi Rama për Komunat e Veriut të Kosovës e mbrojti për vite të tëra me shkëmbim territoresh, por ky projekt ka dështuar, është arkivuar njëherë e mirë. Ndaj dhe dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim të Edi Ramës që shkon fund e krye në përputhje me kërkesat e Beodradit”, tha Berisha.