Do pastronin 18 milionë euro të “Cosa Nostrës”, Apeli lë në fuqi vendimin për kunatin dhe shoferin e Rezart Taçit

Më 25 prill 2023 Gjykata e Posaçme dënoi me 11 vite burg Artur Ballën dhe 10 vite burg Bledar Lilon, përkatësisht kunatin dhe ish-truprojën e Rezart Taçit, të akuzuar për pastrim parash, grup kriminal si dhe konfiskimin e shumës prej 18 399 941 eurosh.

Apeli i Posaçëm i GJKKO-së ka lënë në fuqi dënimin për Ballën dhe Lilon, të cilët do të pastronin eurot e mafias italiane “Cosa Nostra”.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar) dhe Igerta Hysi (anëtare), më datë 02.10.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 45 akti, datë 07.07.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit/të pandehurit A.B., B.L., kundër vendimit nr. 26, datë 25.04.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:

“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.B. për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 287, pg 1, shkronjat a), b), dh), në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 11 (njëmbëdhjetë) vite burgim, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, pg 2 i Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.

Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehur A.B. dënohet me një dënim të vetëm prej 11 (njëmbëdhjetë) vite burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit A.B. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 7 (shtatë) vite e 4 (katër) muaj burgim.

2.Deklarimin fajtor të të pandehurit B.L. për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 287, pg 1, shkronjat a), b), dh) në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 10 (dhjetë) vite burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit B.L., për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, pg 2 i Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.

Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehura B.L. dënohet me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vite burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit B.L. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 (gjashtë) vite e 8 (tetë) muaj burgim…”.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 26, datë 25.04.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”

Ata akuzohen se në bashkëpunim me biznesmenin Taçi transferuan 18.3 mln euro në një bankë të nivelit të dytë para që dyshohen se i përkasin organizatës mafioze Coza Nostra.

Dosja ndaj Rezart Taçit është ndarë për shkak së është në kërkim.

About Redaksia

Check Also

Mes Alpeve në Theth, ligji ndëshkon edhe ata që përpiqen ta respektojnë

Banorët e Thethit fajësojnë mesazhet kontradiktore të kryeministrit Edi Rama dhe mosveprimin e administratës, ndërkohë …

Leave a Reply