Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviç, mohoi të hënën akuzat e zyrtarëve në Prishtinë se ushtria serbe kishte planifikuar pushtimin e Kosovës, ndërsa nënvizoi se tashmë është ulur prania e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën.
Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë në Beograd së bashku me ministrin serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, në të cilën mohuan përfshirjen e Serbisë në sulmin e 24 shtatorit në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.
“Forcat e Armatosura të Serbisë janë një organizatë serioze, e fortë që nuk lejon asnjë improvizim apo gënjeshtër. Akuzat se Forcat e Armatosura të Serbisë kanë planifikuar pushtimin e Kosovës, kjo fyen intelektin”, tha gjenerali Mojsiloviç.
Kosova e akuzon Serbinë se qëndron prapa sulmit të 24 shtatorit, në të cilin një grup i armatosur qëlloi mbi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer dhe plagosur një tjetër. Përgjatë përleshjeve që pasuan, tre sulmues mbetën të vrarë. Sulmi u mor përsipër nga Milan Radoiçiç nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi.
Të dielën, autoritetet në Kosovë, publikuan në një konferencë shtypi pamje nga dronët e sekuestruar në Banjskë, të cilat sipas tyre dëshmojnë përfshirjen e shtetit serb në organizimin e sulmit. Në pamjet e publikuara shihet grupi i armatosur i cili sipas tyre ishte duke u stërvitur pak ditë para 24 shtatorit në një nga poligonet më të mëdha të ushtrisë serbe.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të hënën në rrjetet sociale se në “bazë të dokumentacionit të konfiskuar nga policia e Kosovës është konfirmuar se sulmi terrorist ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës përmes një sulmi të bashkërenduar në 37 pozicione të dallueshme. Do të pasonte krijimi i një korridori për në Serbi, për të mundësuar furnizimin me armë dhe trupa”, shkroi ai.
Shefi i Shtabit të ushtrisë serbe Milan Mojsiloviç, mohoi akuzat se Milan Radoiçiç ka marrë pjesë në stërvitjet në poligonet e ushtrisë në Serbi dhe sipas ai nuk ka shtënë në ato poligon asnjë plumb apo hedhur ndonjë granatë. Ai tha se qytetarët serbë të Kosovës kanë të drejtë të kryejnë stërvitje ushtarake në Serbi.
Sulmi i 24 shtatorit rriti tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shtoi shqetësimet perëndimore për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën shqetësimin për atë që e cilësuan si “një grumbullim të shtuar ushtarak serb në kufi me Kosovën”, ndërsa i kërkuan Beogradit që urgjentisht të tërheqë trupat ushtarake.
Ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock i bëri sot thirrje Serbisë që të zvogëlojë trupat e saj në kufi me Kosovën.
“Ishte e rëndësishme që ditët e fundit ne si evropianë, por edhe bashkë me amerikanët, e kemi bërë të qartë se nuk duhet të ketë tensione të mëtejshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha ajo.
Gjenerali serb tha se vendi i tij i ka tërhequr disa trupa të vendosura pranë kufirit me Kosovën.
“Serbia kishte vendosur 8 mijë e 350 trupa pranë kufirit me Kosovën, dhe i shkurtoi në 4 mijë e 500 aktualisht”, tha ai, duke nënvizuar se nuk ka pasur një urdhër formal për ngritjen e gatishmërisë ushtarake.
Agjencia e lajmeve Associated Press publikoi të dielën pamje ku shiheshin automjete të ushtrisë serbe duke u larguar drejt Serbisë qendrore, një shenjë se ushtria mund të zvogëlojë praninë e saj në rajon pas thirrjeve amerikane dhe evropiane.
Javën e kaluar NATO-ja vendosi shtimin e forcave paqeruajtëse në Kosovë në përgjigje të shqetësimeve për situatën e sigurisë pas sulmit të 24 shtatorit. Mbretëria e Bashkuar u përgjigj me vendimin për të vendosur rreth 200 ushtarë në ditët në vijim në Kosovë.