Prokuroren që donin ta vrisnin kriminelët, e ka vrarë më parë vetingu

Luan RAMA

Ndoshta do të duhej që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të mblidhej menjëherë që atë ditë kur u publikua lajmi se disa kriminelë, qoftë edhe të penduar, paskan patur në plan të vrasin dy zonjat prokurore që kanë hetuar dosje të veprimtarisë së tyre kriminale. Në mos që atë ditë, të paktën medoemos ky organ i lartë i qeverisjes së prokurorisë duhej të mblidhej të nesërmen, ose në pamundësi, të shtunën, të dielën, kurdo…

Por duhej të mblidhej patjetër.
Sepse në kësi rastesh nuk ka (në fakt nuk duhej të kishte!) ditë pushimi.
Mirëpo, edhe ky lajm, shumë i rëndë sepse bëhet fjalë për plane për të vrarë prokurorë dhe avokatë, nuk është se krijoi ndonjë gjendje kushtrimi apo vëmendjeje të veçantë ndër institucionet tona, përfshirë edhe vetë qeverinë. Sepse nuk pati asnjë reagim. Përveç zotit Altin Dumani në cilësinë e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, i cili kërkoi mbrojtje të posaçme për njërën prej zonjave prokurore që aktualisht është prokurore në SPAK.

Siç ndodh rëndom tek ne, vëmendjen e tërhoqi një lajm tjetër “nga burime të sigurta”, sipas të cilit, disa video me pamje erotike të vajzave të spektakleve televizive, apo thënë ndryshe me një togfjalësh më sugjestiv “të showbizit shqiptar” na qenkërkan gjetur nëpër telefonët e sekuestruar të eksponentëve të botës së krimit.

Kaq u desh që të gëlonin portale e gazeta, lajme ekranesh e thashetheme rrugësh me “merakun” se kush është në ato video apo se ne telefonin e cilit kriminel ishin gjendur. Edhe në këtë rast, rendin e përparësisë e përcaktoi spekullimi dhe jo problemi i vërtetë.

Meqenëse përgjegjësitë e detyrave që kam kryer përgjatë karrierës time më kanë vënë në pozitën e atij që merr informacione të klasifikuara apo të rezervuara edhe për raste të tilla, pra kur dikush planifikon të vrasë një punonjës të shtetit në detyrë, e kosideroj jo thjeshtë të gabuar, por krejtësisht të pafalshëm publikimin e këtyre fakteve prej kujtdo që ka shërbyer si burim i informacionit.

Nëse dëshmi të tilla janë produkt i seancave hetimore, nëse të penduarit e drejtësisë i ndajnë këto fakte nga veprimtaria e tyre kriminale me prokurorët apo oficerët e policisë gjyqësore, kjo do të thotë se ato dëshmi duhet të mbeten brenda dosjeve e jo të bëhen publike siç u bënë.
Përballë rasteve të tillë mblidhen menjëherë drejtuesit e organeve të sigurisë dhe bazuar në aktet ligjore në fuqi marrin masa, programojnë punën me përgjegjësi maksimale që jeta e cilitdo që është në rrezik të mbrohet me çdo kusht.

Mandej personat e rrezikuar kontaktohen konfidencialisht dhe zyrtarisht prej funksionarëve më të lartë të shtetit, në mos prej Presidentit të Republikës apo Kryeministrit (ç’ka do të ishte më e mira e mundshme), me patjetër nga Ministri i Brendshëm, nga ai i drejtësisë ose nga Prokurori i Përgjithshëm, dhe përveç solidaritetit njerëzor që në situata të tilla është shumë i rëndësishëm, iu bëhet atyre e qartë se janë marrë të gjitha masat për mbrojtjen e jetës së tyre dhe të familjes, pasi në kësi rastesh është i domosdoshëm edhe bashkëpunimi i tyre. Të gjitha këto bëhen në mënyrë institucionale dhe me shumë përgjegjësi, nuk bëhen publikisht dhe as duke e shërbyer lajmin nëpër portale.

Se ndërsa u tha se kriminelët e penduar paskan patur në plan që të vrasin dy zonjat prokurore dhe një avokat, të bën pështypje fakti se njëra prej zonjave, Merita Selimi ka qenë prokurore dhe jeta e saj rrezikohet për shkak të detyrës që ka kryer, pavarësisht faktit se atë e ka “vrarë” më parë vetë shteti me vetingun që e ka përzënë nga Prokuroria.

Thënë ndryshe, “merakun” e kriminelëve që donin ta vrisnin, e kanë çuar në vend koleget e saj juriste në komisionin e vetingut, të cilat edhe pse me rekorde të dyshimta profesionale, edhe pse nuk ia kanë idenë se çdo të thotë të hetosh, të gjykosh apo të dënosh banda kriminelësh, kanë në dorë të “vrasin” siç edhe e kanë bërë në shumë raste, me hedhjen në rrugë e lënien në mëshirë të fatit, pra edhe në dorë të kriminelëve, të dhjetëra e dhjetëra prokurorëve dhe gjykatësve.

Jo se ndër ta nuk ka patur të atillë që nuk e meritonin të ishin as prokurorë dhe as gjyqtarë. Por, prej të “vrarëve” nga vetingu ka shumë që janë penalizuar edhe në kundërshtim me vetë kriteret e përcaktuara ligjërisht, vetëm e vetëm se ashtu kanë vendosur disa juristë të paaftë të emëruar në komisionet e vetingut apo se ashtu ka dashur ndonjë vëzhgues prej ndërkombëtarëve si ai Theo Jacobs që në jo pak raste shfaqej si “komision” mbi vetë komisionin!

Është risjellë në vëmendjen e opinionit këto kohë edhe një fakt tjetër; rasti i vrasjes së komisarit të policisë Artan Cuku. Sipas raportimeve të gazetarëve, Fredi Beleri të cilin opozita e vendit e kandidoi si përfaqësuesin e vet në garën për bashkinë e Himarës, por që u arrestua e vazhdon të mbahet në burg i akuzuar për “korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, paska qenë dëshmitar në gjyqin që i është bërë në Greqi të shumëkërkuarit nga drejtësia shqiptare, Bledar Jambelli, i akuzuar si porositësi i vrasjes së komisar Artan Cukut.

Nëse është kështu, jemi para një skandali tjetër që kërkon zgjidhje nga organet ligjzbatuese të shtetit shqiptar, te cilat duhet të bëjnë të ditur se çfarë ka dëshmuar Beleri dhe nëse me dëshminë e tij ai ka mbajtur anën e porositësit të vrasjes apo të komisarit të vrarë. Por, unë tjetër gjë dua të theksoj duke iu referuar këtij rasti.

Edhe Artan Cukun, më parë se ta vriste vrasësi i porositur nga krimineli që mbrohet në Greqi, e “vrau” shteti vetë që e përzuri nga Policia e Shtetit padrejtësisht dhe e braktisi duke e lënë në rrugë, në mëshirë të fatit e në dorë të kriminelëve, derisa ata edhe e vranë mu në hyrjen e pallatit ku banonte.
Asgjë më shumë nga sa bënë ata që e hoqën padrejtësisht Artan Cukun nga puna nuk ka bërë edhe vetingu në një farë mënyre me zonjën Merita Selimi dhe me shumë të tjerë si ajo, prokurorë e gjyqtarë emrat e të cilëve janë nëpër dosjet e kriminelëve të dënuar me burgim të përjetshëm apo të tjera dënime nga më të rëndat.

Prandaj lajmi se disa kriminelë të penduar kanë dëshmuar se kishin planifikuar të vrisnin dy zonjat prokurore për shkak të detyrës së tyre si shërbëtore të shtetit, humbi në morinë e lajmeve, ku kryelajm u bë thashethemi se video me përmbajtje erotike të dy vajzave të showbizit shqiptar ishin gjendur në telefonin e një krimineli!

About Redaksia

Check Also

Idiotët e dobishëm të copëzimit tonë!

Nga Kim MEHMETI Trajneri i kombëtares sonë është duke zbatuar një strategji shumë të thjeshtë: …

Leave a Reply