Nga Iva V.GRILLO
Në morinë e skandaleve “rilindase” që plasin për ditë si bumje mu para syve të publikut, do të ishte pothuajse e pamundur që drejtësia të mos bënte disa levizje, qoftë edhe për të përligjur ekzistencën e vet, si një drejtësi e re, e promovuar me shumë tam-tame vitet e fundit.
Gjithsesi, serioziteti dhe performanca e një organi drejtësie përcaktohet nga thellësia me të cilën i shkon aferave korruptive dhe sidomos shpejtësia me të cilën reagon.
Fatkeqësisht, deri tani, shenjat kanë qënë dekurajuese- dekurajuese jo përsa i përket scoop-eve të krijuara me patate te nxehta që SPAK-ut duket se i mbeten në dorë pasi afera korruptive ka dalë sheshit e bën “muuu” në sy të publikut, por dekurajuese për nga mungesa e vullnetit për të shkuar në zemrën e problemeve, në kohën e duhur…faktorë këta që përcaktojnë më pas nëse bëhet vërtetë drejtësi apo sakrifikohen disa cironka për të shpëtuar disa peshkaqenë.
Në këtë rastin e fundit, të krijuarit e një iluzioni se “po bëhet drejtësi”..apo…”prisni dhe pak se do bëhet shpejt drejtësi”, në fakt indirekt amniston këta peshkaqenët e mëdhenj të cilët nuk e kanë për gjë të hedhin në shesh bashkëpunëtoret apo ish çirakët e vet, për të çimentuar veten në një vend ku me demek “drejtësia funksionon dhe për ne nuk gjeti gjë”…
E thënë troç, ka vetëm një provë zjarri për SPAK-un dhe drejtësinë shqiptare në përgjithësi:
A do të ketë SPAK-u këllqe të shohë elefantet që ka në mes të dhomës, apo do të sillet nëpër këmbët e tyre duke u hequr se nuk ekzistojnë?!
Afera e Teatrit Kombëtar, Inceneratori i Tiranës, Afera McGonigal, Porti i Durrësit, etj janë të gjitha bumje që kanë rënë “live”, para syve të publikut. Askush nuk bën dot sikur nuk i ka parë…aq më pak një organ drejtësie.
Çdo minutë vonesë në hetimin dhe thirrjen para drejtësisë së Edi Ramës dhe Erion Veliajt si inspirues publikë dhe ekzekutues të aferave të mësipërme e kthen SPAK-un nga një organ drejtësie në një patericë të një regjimi të korruptuar në thelb.
Të gjithë duam që çdo delinkuent sado i vogël të dalë para drejtesisë, të gjithë duam të besojmë se drejtësia do të bëjë vërtetë drejtësi, por para se të mbërrijmë në këtë pikë SPAK-u duhet të japë prova me veprime e jo me fjalë, sado të bukura të na duken këto të fundit.
SPAK kalo provën e zjarrit!
Heto çiftin Rama-Veliaj, si kokat e korrupsionit të shtrirë në çdo qelizë të shtetit.
Provat i ke sheshit…me zë dhe figurë!