Email zyrtar i një departamenti, apo shtëpi private?!

Nga Elona CASLLI

Shumë njerëz mund të jenë habitur sot me deklaratën e qeverisë rilindase lidhur me komunikimin që kjo e fundit ka pasur me UNESCO-n mbi çështjen e Butrintit.

Deputetja Ina Zhupa ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion komunikimi që është kryer përmes email-it mes qeverisë shqiptare dhe UNESCO-s. Si përgjigje ka marrë nga qeveria një copë letër ku me shkrim dore shkruhej; Specialistja që ka kryer komunikimet është larguar nga puna dhe si rrjedhim nuk mund të hyhet në email-in përkatës.

Së pari komunikimi nuk kryhet nga një adresë personale, por nga një adresë departamenti zyrtare, në mënyre që historiku i komunikimit të një departamenti të caktuar me UNESCO-n dhe jo vetëm, të mbetet dhe jo të largohet bashkë me x apo me y specialiste. Këtë bëjnë vendet e qytetëruara të paktën. Specialisti, që largohet, i lë fjalëkalimin e email-it zyrtar të departamentit specialistitqë vjen, pasi specialistët ikin e vijnë, por departamentet mbeten.

Përveç habisë kolektive që haset në rrjet mbi çështjen në fjalë, unë jam e prirur të besoj se qeveria rilindase në copën e letrës me shkrim dore ka thënë të vërtetën.

Në institucionet shqiptare është kthyer në modë që emaile-t zyrtare të departamenteve të përdoren si shtëpi private për interesa thellësisht personale dhe aspak institucionale. Përvoja ka dëshmuar se ekzistojnë pengmarrës të adresave zyrtare të departamenteve të ndryshme në institucionet shqiptare dhe pengmarrësi komunikon me x apo me y institucion ndërkombëtar sipas humorit të vet dhe aspak sipas një protokolli dhe shprehie institucionale.

Nuk do të çuditesha aspak, sikur mes UNESCO-s dhe qeverisë rilindase të kishte dhjetra komunikime mbi Butritin nga adresa të ndryshme dhe jo nga një adresë e mirëpërcaktuar që i përket departamentit përgjegjës për këtë çështje.

Shprehia institucionale e departamenteve të ndryshme në Shqipëri është në nivelet e një mediokriteti të skajshëm, ku sharlatanë të pandreqshëm ngatërrojnë email-in zyrtar të në departamenti me dhomën e pritjes në shtëpinë e tyre.

Post Scriptum- Letra me shkrim dore mbi çështjen e Butrintit është fytyra e vërtetë e institucioneve në këtë vend.

About Redaksia

Check Also

Patriot shqiptar?!

Nga Redin HAFIZI Në Shqipëri edhe patriotizmi ka ndryshuar thelbin dhe është kthyer nga ndjenjë …

Leave a Reply