Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp publikoi videon e atentatit ndaj Salvador Kaçajt. Berisha tha se, manovrimi i shoferit e bëri të pamundur aktin kriminal.
“Aktet horror në farsën elektorale të 14 majit, mbeten dëshmi flagrante e asaj që kemi thënë se në këtë farsë, krimi u shndërrua në votë dhe vota në krim.
Me datën 14 maj, këtu së bashku kam denoncuar atentatin e dështuar, të organizuar nga bandat kriminale, ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Shëngjinit, njërit prej futbollistëve më të shquar të vendit, demokratit Salvador Kaçi, i cili po kalonte së bashku me të birin, po udhëtonte, dhe banditë të armatosur i dalin përpara për ta ekzekutuar, por një manovrim i shpejtë i shoferit, e bëri të pamundur aktin e tyre kriminal.
Atë ditë Edi Rama reagoi menjëherë, me një cinizëm dhe unë jam këtu për të paraqitur para jush këtë video, në të cilën tregohet qartë se si kriminelët i zunë rrugën makinës së tij dhe të armatosur dolën për të kryer krimin makabër, por dështuan.
Këtu do shihni makinën e Salvadorit, ia zënë rrugën. Ja ku janë vrasësit me revole në dorë. Por largimi i shpejtë i makinës së Salvatorit, bën të pamundur kryerjen e aktit.
Manovrimi me shpejtësi i shoferit i bën të pasigurt vrasësit në realizimin e aktit të tyre makabër”, tha Berisha.