Zogjtë migratorë të Shqipes 

Klodian XHYHERI
Sekretar Politik i PD Dega Vlorë 

9 tetor, Dita Botërore e Zogjve Migratorë (Shtegtarë).

Dita Botërore e Zogjve Shtegtarë kujtohet në mbarë botën më 9 tetor, kushtuar shpendëve shtegtarë.

Qëllimi i kësaj dite është, të tërheqë vëmendjen ndaj kërcënimeve me të cilat përballen shpendët shtegtarë, rëndësinë e tyre dhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar për ruajtjen e tyre, të rrezikuar gjithnjë e më shumë nga ndryshimet klimatike.

Fatkeqësisht, i nxitur nga kjo ditë domethënëse për botën mbarë, më shpuri mendimi te shqiptarët tanë, që po shpopullojnë vendin nga dita në ditë.

Të mërzitur, të pa shpresë dhe të lodhur nga regjimi gati monist, ikin pa kthim, ndryshe nga zogjtë shtegtarë, të cilët të paktën kthehen sërisht në folezën e tyre.

Shqiptarët po ikin ora-orës, për mos t’u kthyer më në atdheun e tyre, për të ngritur folezën e tyre familjare në një tjetër vend, ku u ofron më shumë siguri, më shumë ekonomi, më shumë horizont për fëmijët e tyre dhe të ardhme më të mirë për ta.

Nuk ka sfidë më të madhe për momentin mendoj unë, sesa kriza e shpopullimit. Pasojat do të jenë katastrofike, për ekonominë, arsimin, mjekësinë, biznesin dhe gjithë shoqërinë për dekada të tëra.

Duket si një një skemë piramidale diabolike, e mirëmenduar me qëllim shkatërrimin e kombit shqiptar. Pasojat e saj do jenë ndoshta 100-fish më katastrofike se edhe vetë diktatura moniste, për ata që e jetuan.

Të dorëzuar si në një “knockout”, nga indiferentizmi qeverisë, duket se jemi mpirë fizikisht dhe mendërisht dhe s’bëjmë asnjë përpjekje për të ngritur zërin të paktën. Qeverisë ndërkohë, i vjen mirë kjo dramë shoqërore, sepse i shton jetën. Ata që duan ndryshime ikin jashtë, këta që mbeten brenda janë gjithnjë e më të varur ndaj rrogës në shtet dhe rast më të favorshëm për qeverinë nuk ka. Kështu që, mos prisni të bëjë ndonjë përpjekje për të frenuar ikjet kjo qeveri, përkundrazi bën çdo politikë që të nxisë ikjet.

At Zef Pllumi ka thënë:
“Asht i mjerë ai popull që nuk ia del me zotnua bijtë e vet të këqij.”

Mjerimi si popull na ka kapluar kretësisht, se as po i zotnojmë bijtë tanë të këqij dhe as po i tundim që mos të na hedhin në skëterrë këta bij.

Përpara se të kujtojmë Ditën Ndërkombëtare të Zogjve Migratorë (Shtegtarë), duhet të vajtojmë shtegtimin pa kthim të shqiptarëve tanë. Duhet të ngremë zërin dhe dorën, për t’i thënë NDAL, pesë hajdutëve që kanë vendosur të na rrjepin nga puplat dhe pastaj të zhduken në vende tropikale për të gëzuar ato që vodhën.

T’i thërrasim mendjes se nuk i prishet terezia asnjë ndërkombëtari apo të huaji që kalon këtu për një karrierë të mirë dhe ndoshta mbush edhe ndonjë trastë.
T’i dalim zot të vetes se nuk do të dijë asnjë diplomat se u shkrive ti si popull apo u zhyte më shumë në varfëri e mjerim.

Një i mençur ka thënë:
“Fjala dhemb, heshtja godet, indiferenca vret”.

Duhet të shkundemi: studentë, pedagogë, mësues, mjekë, avokatë, inxhinierë, ekonomistë, sportistë, poetë e shkrimtarë, përpara se indiferentizmi të na vrasë dhe asgjësojë plotësisht.

 

About Redaksia

Check Also

Kriza e progresizmit

Ajo që po shohim është rezultati i përplasjes mes dy formave të brendshme të teknokapitalizmit. …

Leave a Reply