Ashtu siç ishte paralajmëruar dy ditë më parë studentët e Mjekësisë janë mbledhur edhe ditën e sotme për të çuar deri në fund “misionin” e tyre për të kërkuar të drejtat e tyre sa i përket vendimit të fundit të marrë nga qeveria që detyron studentët të punojnë deri në 5 vite në vend për t’u siguruar me diplomën.
Studentët janë mbledhur ditën e sotme në orën 09:00 te Godina e Kuqe duke bojkotuar mësimin dhe duke vijuar me betejën e tyre.
Ata kërkojnë dialog për të shmangur pengesat që u sjell marrëveshja e kërkuar nga universiteti, sipas të cilës, ata do ta tërheqin diplomën e studimeve pas një punësimi disavjeçar në sistemin shëndetësor shqiptar.
Studentët kanë bojkotuar nisjen e vitit të ri akademik që ditën e parë dhe kanë insistuar se ata nuk do t’i bashkohen mësimit deri sa të arrijnë qëllimet e tyre.
Ata kanë shtuar se ligjin do e çojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Një prej tyre ka zbuluar hapat e radhës.
Ai u shpreh se pas tubimit pranë ambienteve të Universitetit të Mjekësisë, studentët do të marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit.
Mjekët e rinj do të kërkojnë dorëheqjen nga detyra të zëvendës-ministres së Arsimit, me arsyetimin se ajo ka deklaruar në mënyrë arbitrare se studentët që nuk pranojnë të paguajnë tarifat e reja duhet të ndërpresin studimet.
Po ashtu ata kërkojnë një përballje publike me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu, pasi sipas tyre ajo nuk ka pranuar ballafaqimin në studio televizive më herët.