Dule flet pas seancës: S’ka ligj që e mban larg betimit Fredi Belerin!

Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule ka folur pas seancës së sotme në Gjykatën e Durrësit, ku kreu i zgjedhur i bashkisë së Himarës Fredi Beleri kërkoi leje për t’u betuar.

Teksa Gjykata e Durrësit iu drejtua Gjykatës së Lartë, Dule e cilëson një vendim politik dhe deklaron se nuk ka ligj që e mban larg betimit Fredi Belerin.

“Ju e shikoni se topi hidhet në shkallët e stadiumit në vend që të luhet loja juridike me norma dhe me rregulla. Kompetenca e moskompetencës. Do ju thosha të gjithëve, t’i hedhin një sy konventës kuadër për të drejtat e njeriut, neni 6, pika 2 që flet për prezumimin e pafajësisë së çdo qytetari që nuk ka një dënim të formës së prerë. Një qytetar pra, i cili prezumohet i pafajshëm, i cili është i zgjedhur nga komuniteti i Himarës për të qenë kryetar i bashkisë së tyre, me çfarë ligji pengohet që të shoqërohet minimalisht për të marrë detyrën duke nisur nga kryerja e betimit. Nuk ka asnjë ligj që e mban larg betimit dhe marrjes së detyrës, përveç arbitraritetit. Është një çështje kryekëput politike. Beleri vazhdon të mbetet një i burgosur politik personalisht i z. Rama në shërbim të interesave të tij okulte në bashkinë e Himarës që lidhen pronën, me respektimin i identitetit dhe shumë elementeve të tjera, të cilat nuk ka vullnet politik për t’u përmbajtur”, deklaroi Dule.

Ai theksoi se “kushdo mund të jetë i ndaluar, por nuk është i dënuar”.

“Ekziston parimi universal, prezumohet i pafajshëm dhe një njeri që prezumohet i pafajshëm, nuk ka ligj, nuk ka vendim që ta pengojë në marrjen sipër të detyrës. Kjo është shkelja flagrante, të tjerat do t’i zgjidhë gjyqi që fillon ditën e enjte.

Nuk kemi një çështje që mbështetet në ligj, por mbështetet në Maliq. Duhet që të jemi në alarm, është një precedent i rrezikshëm.

Një kryetar bashkie, i cili bën betimin dhe merr përsipër detyrën, komandon edhe në kushtet e ndalimit deri në daljen e vendimit përfundimtar.

Rama kërkon me insistim që në krye të bashkisë të jetë ish-kryetari të cilin e dëbuan me votë bashkëqytetarët e tij më 14 maj. Ky është strumbullari i së ligës, Rama-Goro, qëndrimi i Goros në mënyrë krejt të paligjshme në krye të bashkisë dhe vazhdimi i implementimit të projekteve të cilat synojnë rrëmbimin e pronës së himarjotëve dhe ofrimin e saj klientëve të z.Rama dhe të qeverisë së tij”, tha kreu i PBDNJ-së.

About Redaksia

Check Also

Vëllai i Veliajt numëron 32 milionë euro pas 10 viteve në Bashki të Erionit, e nisi me 240 mijë euro

Pas kontrollove ndaj familjarëve të kryebashkiakut Veliaj, SPAK zbuloi se ato janë kryer në kuadër …

Leave a Reply