Protesta/ PD: Studentë, pedagogë dhe gjimnazistë të solidarizohemi me studentët e Mjekësisë

Deklaratë e drejtueses së Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula

Protesta dhe bojkoti i studentëve të Mjekësisë, është një akt i drejtësisë sociale të munguar dhe padrejtësive të qeverisë Rama. Partia Demokratike e mbështet pa rezerva këtë qëndrim civil dhe kurajoz.

Pasi shkatërroi atë që gjeti në Shëndetësi, edhe pse nuk ishte sektori më solid i shoqërisë, qeveria e Rilindjes po bën çmos që të shkatërrojë edhe atë që mund të vijë nesër.

Si pedagoge, si nënë, si shqiptare, si veprimtare e opozitës, i ftoj të gjithë, që nga prindërit e këtyre studentëve me të drejta të mohuara dhe qytetarët e çfarëdo fashe, t’i bashkohen kësaj proteste.

Studentëve, pedagogëve të universiteteve dhe gjimnazistëve, u bëjmë thirrje të solidarizohen me studentët e Mjekësisë, dhe të mbështesin kauzën e tyre të drejtë kundër arbitraritetit të pashembullt të qeverisë.

Nuk duhet lejuar qeveria dhe askush të tjetërsojë të drejtën e individit për të lëvizur, për të zgjedhur, për t’u arsimuar, për të qenë qytetar i Shqipërisë dhe botës së lirë.

Ajo çka po bën qeveria për të përballuar krizën e shkaktuar prej saj është krijimi i një vatre tjetër krize.

Studentët kërkojnë shfuqizimin e ligjit të cilin, me të drejtë, e cilësojnë diktatorial.

I tillë është. Rezistenca kundër tij është sot detyrë e të gjithëve.

Ka ikur koha kur partia dhe pushteti mbanin të lidhur njerëzit në fshatin apo qytetin e tyre, apo nuk i linin të iknin nga vendi nga tmerri që u zgjonte liria e individit.

Qeveria Rama po i përzë me mijëra qytetarët e këtij vendi dhe, në një eksperiment diktatorial, ka vendosur të mbajë disa qindra me forcë këtu brenda.

Dështimet nuk mbulohen me projektligje.

Ajo protestë dhe bojkot i studentëve të Mjekësisë është faqja e zezë e Edi Ramës dhe qeverisë së tij mbi stofin social të Shqipërisë: dështimi spektakolar në Arsim dhe Shëndetësi.

Sa nuk është tepër vonë të gjithë bashkë duhet ta ndalim!

 

About Redaksia

Check Also

“O milet, Rama ka siklet”! Mijëra qytetarë dhe diaspora marshojnë nëpër Tiranë

Dita e 63-të e fjalimeve në podiumin e protestës në bulevardin para Kryeministrisë u mbyll …

Leave a Reply