“Boro e Ramiz”, “Enver-Miladin” ose vëllai që të vret vazhdimisht për hatër të armikut…

Nga Gent STRAZIMIRI

Historia e vëllavrasjes mes shqiptarëve, në thelb ka dramën e vëllait-armik që natën, i hap derën e pasme të kalasë  armikut, i tregon rrugën, kohën dhe vendin ku të gjen në gjumë, aty ku nuk e pret, që të të vrasë më kollaj.

Shembuj kemi pafund, që nga koha e Batos e Teutës, Gjergj Kastriotit e Gjergj Balshës dhe vëllai-armik sipas rastit quhet Dhimitër Fari a Hamza Kastrioti apo thjesht mbetet një vëlla-armik pa emër.

Vëllai-armik ka ndodhur edhe të jetë ditën për diell në krah të armikut, me armë në dorë, gati për të derdhur gjakun e vëllait, jo fort për përfitim personal por, më shumë për sedër e për budallallëk e papjekuri.

Abdullah Pashë Dreni e Mehmet Ali Pasha në kohën e Lidhjes së Parë të Prizrenit, apo “Boro e Ramiz” në kohën e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, janë ilustrim i sa më sipër, të dyja rastet, për rastësi në Kosovë…

Vëllai-armik Shefqet Peçi me brigadat partizane nga Shqipëria, vrau vëllain e tij, heroin e kombit Shaban Polluzha për hatër të “Miladin-Enver”…

Vëllai-armik Haxhi Lleshi me “Divisionin e Mbrojtjes së Populli” masakroi me gjak të ftohtë mijëra vëllezër të tij në Tivar, për hatër të “Tito-Enver”…

Vëllai-armik është bashkëudhëtar i historisë sonë, mbase edhe sepse shpesh e kemi trajtuar dhe përçuar në breza me nota romanticizmi si gkysëm të vërtetë, të vërtetën e tij.

Tragjedia e vëllavrasjes, në fakt, i kalon përmasat e fatkeqësisë së shpjegueshme e të përçueshme me fjalë brezave që vijnë, mbase prandaj preferojmë ta përçojmë më shumë përmes gojëdhënave sesa përmes historisë.

Gojëdhëna është më “bujare” në ngjyrimin e sheqerosjen e së vërtetës së tmerrshme, ndërsa historia është e pamëshirëshme e kësisoj ka pak miq e dashamirë… njësoj si e vërteta…

Çmimin për këtë e ka paguar kujtimi që duhej të përçonim në breza për heronjtë tanë të vërtetë, dhe kjo, jo thjesht dhe vetëm se nuk kemi qenë të lirë ta bëjmë.

Jo!

Që prej 1992, a nëse doni që prej 1999 kemi patur kohë mjaftueshëm në liri, për të vendosur mbi piedestale vëllain që dha jetën, veçanërisht atë që ra prej dorës së vëllait-armik.

Për 46 vjet Kosovës së robëruar nga serbi, iu imponua nga armiku pushtues si model bashkëjetese, si simbol bashkim-vllazërimi “Boro e Ramiz”, ndërsa Shaban Polluzha ishte anti-modeli, ishte “krimineli irredentist” e “bashkëpunëtor i fashizmit”.

Shqipërisë së robëruar komunizmi, iu imponua si model mirësie e heroizmi vëllai-Miladin Popoviç, ndërsa Shaban Pulluzha, njësoj si armiku serbomadh pushtues i Kosovës, cilësohej “kriminel lufte”, “bashkëpunëtor i okupatorit”…

Sot ende jemi nën të njëjtën dramë, në buzë të së njëjtës shëmti, sepse pjellat e “Tito-Enver” ende e quajnë kriminel Shaban Polluzhën e, ende kanë hero Shefqt Peçin, Haxhi Lleshin e Miladinin…

Prandaj, vëllai-armik vazhdon të endet si fantazmë e të na vrasë më të mirët për hatër të armikut duke ndërruar thjesht emrin në binomin e vëllavrasjes.

“Enver-Miladin”, “Tito-Enver”, “Boro e Ramiz” ka derdhur boll gjak shqiptari sa për ta dënuar në breza si binom tradhëtie ngjizur nga vëllai gjakshprishur.

Do të ishte e pafalshme që i njëjti binom të na vriste prapë përmes “Aleksandar i Edvin”…

About Redaksia

Check Also

Republika e Mafias

Nga Luçiano BOÇI Në një shkrim pa bujë por me plot kuptim një gazetar i …

Leave a Reply