“Monitor”
Forma që gjeti qeveria vitin e kaluar, kur çmimet e karburanteve filluan të rriteshin me shpejtësi pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, ishte krijimi i një Bordi Transparence për fiksimin e çmimeve tavan të shumicës e pakicës. Bordi u krijua në mars 2022 dhe funksionoi më shumë sesa një vit.
Çmimet normalisht vijuan rritjen apo uljen, duke ndjekur tendencën globale të bursave të arit të zi. Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të grupit të shërbimeve personale ndaj mjeteve të transportit ishte 23% në vitin 2022, nga 6.7% që ishte ndryshimi gjithsej i inflacionit.
Ajo që nuk do të mësojmë asnjëherë është nëse çmimet do të ishin rritur më pak, apo më shumë, nëse tregu do të ishte lënë të reagonte i lirë.
Operatorët tregtues pohuan vazhdimisht se ndërhyrjet e vazhdueshme në çmim u ulën atyre fleksibilitetin, për t’u përshtatur me kushtet e tregut, që do t’u mundësonte të blinin sasi më të mëdha karburanti kur bursat ishin më të lira, teksa çmimet e pakicës mund të ishin të paktën 5% më të lira sesa ato të fiksuara nga Bordi.
Rezultati i dukshëm ishte që pothuajse të gjitha kompanitë rezultuan me humbje, ose rënie të ndjeshme të fitimeve. Vetë shoqëritë kishin më pak mjete financiare në dispozicion për të amortizuar pasojat e krizës, duke çuar në mbylljen e më të vegjëlve e duke krijuar terren për përqendrimin e tregut, që në afat të gjatë, sërish i dëmton konsumatorët me fiksimin e çmimeve.
Historia e tranzicionit të Shqipërisë ka shumë raste kur institucionet qeveritare, në pamundësi për të kontrolluar transaksione reale, ndërhyjnë nëpërmjet vendosjes së çmimeve të referencës.
Disa vite më parë, në pamundësi për të gjurmuar pagat reale dhe për të mbledhur detyrimet fiskale përkatëse, Ministria e Financave vendosi paga referencë, që u hoqën, pasi ato nuk ishin në linjë me parimet e Bashkimit Europian. Doganat, prej vitesh, përdornin referenca për llogaritjen e detyrimeve në zhdoganimin e mallrave.
Tatimet bëjnë të njëjtë gjë gjatë kontrolleve të tyre te bizneset, bazuar në udhëzimet e ligjit për TVSH-në. Për shitblerjen e pronave po ashtu prej vitesh përdoren vlerat e referencës.
Teorikisht, informatizimi i sistemeve ai ato fiskale, apo të kadastrës duhet të ulte mundësinë për të bërë shmangie apo evazion dhe të sillte transaksionet sa më afër me vlerën reale, duke e bërë të pavlerë përdorimin e referencave nga institucionet ligjzbatuese.
Vitet e fundit, qeveria shqiptare ka investuar miliona euro në përmirësimin e sistemit të fiskalizimit, informatizimin e kadastrës, apo kryerjen online të shërbimeve të tjera, me synimin për të reduktuar mundësitë për të kryer shmangie dhe evazion.
Praktikisht, ajo që po ndodh është një vrull i ri i institucioneve ligjzbatuese për të përdorur edhe më shumë vlerat e referencës. Kryeministri Edi Rama, pak ditë më parë, tha se shifra e turistëve nuk korrespondon me të ardhurat që deklarojnë hotelet dhe si rrjedhojë, vitin e ardhshëm, të gjitha strukturat akomoduese do të kenë çmime referencë!
Zgjidhet direkt të kalohet në arbitraritet, pa shqyrtuar realisht se çfarë po ndodh në treg, duke rrezikuar që të dëmtohen bizneset formale, pasi historia ka treguar se ato joformalet sërish do ta gjejnë rrugën për të deklaruar më pak, ose aspak.
Jo vetëm kaq! Por duket se çmimet e referencës do të përdoren edhe për qytetarët, të cilët nuk janë të përfshirë në përditshmërinë e tyre në transaksione financiare.
Taksa e pronës është shembulli më i fundit i gjetjes së rrugës më të shkurtër, por me pasoja më të mëdha për të gjithë qytetarët e taksapaguesit.
Në faturat e ujit, familjarëve u ka ardhur e rritur taksa e pronës deri në 76% më shumë, pa ndryshuar asgjë në ligj, vetëm nga rritja me vendime e referencës së pronave.
Edhe në projektligjin “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme”, që pritet të hyjë në fuqi në 2026-n, ndonëse parashikohet lehtësi në uljen me 50% të taksës për ndërtesat e para, rritja e referencave është aq e lartë sa taksa e paguar do të jetë 50% më shumë.
Efekti nuk mbaron këtu. Ndërtuesit kanë paralajmëruar se rritja e çmimeve mesatare referuese do të ndikojë si në rritjen e tatimit mbi të ardhurat, që paguhet për rastet e transaksioneve të shitblerjes së pronës, por edhe te pagesat e taksës së ndikimit në infrastrukturë, që paguajnë ndërtuesit, dhe te detyrimet e tyre për taksën 3% të strehimit social. Sërish ai që do ta paguajë, do të jetë konsumatori fundor, pasi rritja e barrës tatimore te sektori i ndërtimit do të shtrenjtojë dhe më tej çmimet e apartamenteve.
Parimi i ekonomisë së tregut është të ofrojë produkte dhe shërbime me çmime optimale, që i vendos tregu dhe u lejon liri zgjedhjeje konsumatorëve, familjeve e bizneseve nëpërmjet krijimit të një mjedisi konkurruese e rregulla loje të paktën neutrale për të gjithë, pa ndërhyrje administrative shtetërore.
Ndërhyrja e shtetit apo institucioneve rregullatore mbështetet në rastet kur ato korrektojnë papërsosmëritë në treg, apo kur tregu nuk funksionon me efikasitet.
Por, ajo që po ndodh në Shqipëri, është e kundërta. Shteti po ndërhyn e dikton në ekonomi e mbi të gjitha, mbi vullnetin e lirë të palëve në transaksion e krijim pasurie, nëpërmjet referencave.
Shqipëria e ka përjetuar përvojën çmimeve e pagave të fiksuara me vendim shtetëror, që nuk linin hapësira vendimmarrëse.
Duket sikur këtij modeli po i përafrohemi përsëri, me çmimet e referencës. Konsumatorët dhe bizneset kanë vuajtur e do të duhet të vuajnë pasojat që sjell përdorimi arbitrar i referencave, duke denatyruar transaksionet dhe vlerën e tregut, por edhe duke tkurrur lirinë për të marrë vendime ekonomike, për të investuar e për të kursyer.