Berisha: Nuk kam asnjë firmë për këtë çështje, Rama ka firmosur dhe ka verifikuar pronësinë!

Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi në një konferencë shtypi se nuk ka asnjë firmë për këtë çështje. Berisha tha se, Rama jo vetëm ka firmosur, por edhe ka verifikuar pronësinë.
“Në atë kohë, Departamenti i Antikorrupsionit kishte vetëm dy inspektorë kontrolli juristë dhe të tjerët ishin ekonomistë. Përgjithësisht, anëtarët e departamentit vinin nga Kontrolli i Lartë i shtetit me eksperiencë në kontroll dhe audit. Tani vijmë te rasti i Kadiut, kushëririt të Abi Malltezit. Është e vërtetë që ka shkuar, por ai që lexon ligjin, ai ka një përcaktim, njeriu në konflikt interesi bën deklaratë që jam në konflikt interesi. Dhe nëse ka shkelur ligjin, ndaj tij mbahet çdo qëndrim.
Unë nuk kam pasur asnjë dijeni, se natyrisht nuk do shkonte kurrë. Por nuk ka pasur asnjë pasojë, pasi aty ka qenë edhe inspektori tjetër dhe asnjë nga gjetjet e tyre nuk është kundërshtuar dot. Përkundrazi, Qirjazi ka bërë çdo gjë që t’i zbatojë ato rekomandime. Por, Qirjazi që ata e bëjnë personazh në gjysmën e aktpadisë, duhet t’u them se jo nga ne, por nga socialistët është nxjerrë nga shërbimi fill mbrapa.
Në dacibaon e tyre, Edi Rama dhe larot e tij kanë aludime, shpifje dhe trillime nga më banalet. Për shembull, u amendua ligji për të ndihmuar pronarët, në një kohë kur ligji është amenduar më 17 korrik 2006, kurse Edi Rama në qershor të vitit 2006, ka firmosur kthimin nga terren sportiv, në terren urban. Dy vite para se të përfundonte privatizimi. Dy vite para se të jepeshin lejet e ndërtimit.
Por pse e ka bërë këtë? Ka një dokument që ata e fshehin. Dokumenti thotë, me firmën e Edi Ramës, se ky terren ka humbur funksionin e tij. Në paçavuren e tyre, rendisin si argument se Sali Berisha, kryetar i Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, ka firmosur planin e ndërtimit në parcelën e klubit Partizani për 17 pallate.
Sali Berisha nuk ka asnjë firmë te veten për këtë çështje që nuk ka dërguar Edi Rama. Për dijeni, Edi Rama është jo vetëm autori i genplaneve, i planit të ndërtimit të çdo parcele, por është edhe autori që ka verifikuar pronësinë në përputhje me ligjin e të gjitha parcelave dhe kanë firmën e Bashkisë së Tiranës. Sepse ashtu e kërkon ligji.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Është koha për sulm, t’u dëshmojmë partnerëve tanë se shqiptari i ndershëm nuk ka humbur kurrë besimin tek vota

Lideri i opozitës, Sali Berisha deklaroi se tashmë është koha për sulm, t’u dëshmojmë partnerëve …

Leave a Reply