Opinioni publik është tronditur nga një ngjarje e rëndë e regjistruar pak ditë më parë, ku një 26-vjeçare në Vlorë u përdhunua në grup nga tre djem, sipas njoftimit të policisë së qytetit bregdetar. Vajza dyshohet se u drogua dhe më pas djemtë, që dyshohet se po festonin lirimin e shokut nga burgu, e çuan në hotel ku abuzuan seksualisht me të dhe më pas e braktisën në gjendje të rëndë për jetën dhe duke shkumëzuar nga goja.
Ngjarja duket se nuk ka marrë vëmendjen që meriton në media. E për këtë, në Vlorë flasin se është bërë shkak influenca e familjarëve të tre autorëve të dyshuar, të cilët janë njerëz me pushtet në qytet. Vajzës i është bërë presion dhe si pasojë ajo ka deklaruar se ka shkuar me dëshirë më tre djemtë e zyrtarëve ndërsa Policia dhe Prokuroria kanë mbyllur çështjen.
Duke komentuar këtë ngjarje të rëndë, gazetarja vlonjate Afrovita Hysaj, ka raportuar (në një faqe të sajën në Facebook) se në ngjarje janë përfshirë 4 djem, dhe jo 3, siç raportoi policia. Ajo ka dhënë detaje duke zbuluar se motrat e dy prej autorëve të dyshuar janë drejtoresha në administratë. Ndërsa një e tretë është drejtuese e televizionit lokal 6+1 Vlora.
Kjo deklaratë duket se ka irrituar drejtuesit e televizionit në fjalë, që kanë reaguar me një artikull jashtë çdo norme duke sulmuar gazetaren Hysaj. Në artikullin e televizionit lokal, gazetarja etiketohet me termin e rëndë “prosti”, teksa e akuzojnë se po mundohet të përfshijë padrejtësisht këtë televizion në ngjarje.
Pas këtij artikulli skandaloz, shumë gazetarë i kanë dalë në mbrojtje koleges së tyre Afrovita Hysaj, teksa një reagim ka ardhur dhe nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, ku e konsideron si një akt të rëndë.
Në një postim në rrjetet sociale theksohet se “përmes gjuhës dhe fjalorit që përmban, cënon rëndë kodet e etikës së gazetarisë, linçon publikisht një punonjëse të medias, përdhos komunikimin publik dhe detyrimin ndaj tij dhe shënon një precedent të rrallë në sulmin e një medieje ndaj një gazetareje vendore”.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u kërkon drejtuesve të televizionit lokal që të heqin lajmin dhe i kërkon AMA-s ndërhyrjen e menjëhershme.