Pas 7 orësh negociata në Bruksel mes Kurtit, Vuçiç dhe krerëve të BE-së, qeveria e Kosovës ka shpërndarë një deklaratë për mediat. Aty thuhet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar Marrëveshjen Bazike të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit 2023. Madje gjatë gjithë ditës Kurti u ka thënë liderëve evropianë se marrëveshja duhet firmosur.
“Këto dokumente të dakorduara janë një sukses i përbashkët me Bashkimin Evropian. Marrëveshja duhet zbatuar në tërësi, pa kushte, pa vonesa”, thuhet në njoftim. Sipas qeverisë së Kosovës, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka refuzuar të hedhë firmën duke dhënë një tjetër arsyetim.
“Presidenti i Serbisë, Vucic, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën 3 parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga 5 emisarët me 21 tetor 2023”, – thuhet në njoftim.
Në takimet e ndara me Kurtin dhe Vuçiç në Bruksel ishin të pranishëm Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, zv.Presidenti i KE dhe njëkohësisht Përfaqësues i Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak.
“Kryeministri Kurti theksoi që, pas sulmit të agresionit të 24 shtatorit, në Zveçan, prioritet për të është siguria në Kosovë, në veçanti siguria e kufirit me Serbinë, meqë nga ana tjetër erdhën paramilitarët të cilët kryen sulm terrorist e kriminal duke vrarë e plagosur policë të Kosovës. Që kjo të mos përsëritet kurrë më, nevojiten sanksione dhe ndëshkim për Serbinë”, – thuhet në deklaratën e policisë së Kosovës që citon Kurtin të ketë folur edhe për atë që ndodhur në banjskë.
“Hetimet për grupin paramilitar e terrorist të sponzorizuar nga Serbia, duhet të përcaktojnë saktë se kush krejt çka bëri dhe si e ekzekutoi këtë akt agresioni, ndërkohë që nuk ka më dilema as te faktorët ndërkombëtarë mbi fajtorin.
Grupi paramilitar terrorist i Milan Radoicic dhe përgjegjësit e tjerë duhet të ekstradohen në Kosovë, ku do të kishte një gjykim të drejtë dhe të ndershëm, aq më tepër kur dihet se sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe proceset gjyqësore monitorohen nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX” – thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, “në fund të takimit, Kryeministri Kurti tha: Pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin”.
Më herët shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, paralajmëroi mundësinë e takimeve të reja të udhëheqësve evropianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Puna është në vazhdim e sipër. Ndoshta duhet të largohemi nga samiti i BE-së dhe të ulemi sërish me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe të shohim nëse mund të gjejmë ndonjë zgjidhje përmes dialogut. Nuk ka zgjidhje tjetër. Rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon përmes këtij dialogu”, – u tha Borrell gazetarëve në Bruksel.