Nga Basir ÇOLLAKU
A ka miqësi dhe njohje të hershme ministri i brendshëm, Taulant Balla, me të shumë akuzuarin Suel Çela, një ndër më të kërkuarit nga policia, nga struktura e rendit në krye të së cilës, sot është politikisht si ministër Taulanti?! A ka shërbyer Çela dhe organizata rreth tij si ekip elektoral për Ballën në krye të socialistëve kur ky drejtonte fushatat në Elbasan?
A është Çela në takime elektorale me Taulant Ballën??
Dështimet për arrestim janë adresë dyshimesh jo të pakta, duke kujtuar edhe ngjarjen e vitit 2017 kur Suel Çela u akuzua për sulmin ndaj policisë tek tregu ushqimor i Elbasanit kur janë bërë me dije pamjet e Audit të zi, të blinduar që përplasi makinën zëvendësdrejtorit të policisë Gjergj Oshafi. Kërkesa e prokurorisë për shtatë vite burg gjykata iu përgjigj me një vendim pafajësie, duke dënuar dikë tjetër për këtë ngjarje.
Më parë ministrin Balla e akuzonte edhe oficeri i infiltruar Emiljano Nuhu, se ka pasur përgjime parandaluese, mes Ballës e Çelës për biseda rreth financimeve elektorale në miliona euro dhe shkarkimeve të policëve që u prishnin punë personave të inkriminuar. Tashmë rikthimi në hetim për Suel Çelën prej më tepër se një vit, vjen pas dëshmive në dosjet e Prokurorisë së Posaçme, për llogari të hetimeve për operacionin “Plumbi i artë” si dhe ngjarje të pa zbardhura jashtë vendit me përfshirjen e aktorëve shqiptarë, ka qenë ndër të tjera dëshmia e të penduarit Nuredin Dumani ku ai ka pohuar se Suel Çela i njohur dhe me emrin Marjus Lulaj ka paguar për të vrarë Elton Kilën, të njohur me emrin Oti si edhe administratorin e një shkolle private në Tiranë Lulëzim Masha, krime për të cilat sipas dëshmitarit janë paguar mijëra euro, por atentatet nuk përfunduan me vrasjen e shënjestrave. Një vrasje në Belgjikë vitin e shkuar sjell dyshime për Çelën.
Darka e fundit
Por ka edhe të pathëna të një tjetër dosje ku është ajo e 21 prillit, pas së cilës vijnë zgjedhjet e 25 prillit 2021. Akuzat, dyshimet dhe denoncimet për lidhjet e Taulant Ballës me të dyshuar të botës së krimit janë të shumta. Në zgjedhjet e 25 prillit kreut të grupit parlamentar të PS, ishte drejtues i grupit të punës së qarkut në Elbasan. Një foto e shtabit të Ballës në fund shkurtin e vitit 2021, para zgjedhjeve të 25 prillit, dëshmon se personazhet e fortë nuk qëndrojnë larg tij, kur bëhet fjalë për të marrë dhe ndarë pushtetin. A janë Çela, Shega, Sharra, miqtë shoqërues të tij në evente të shumta zgjedhore? Njerëzit me shenjë janë aty dhe vendosin..
Por e gjitha kjo ka nisur më herët
Në vendimin e 17 shkurtit të vitit 2016, Prokuroria ka kërkuar përgjimin e Taulant Ballës, pas ngjarjes së 3 shkurtit të po atij viti, ku u vranë tre persona dhe plagosën shtatë të tjerë. Dy ditë më vonë trazimi i politikës, ndikimi mbi drejtësinë, prodhoi si asnjëherë tjetër argument një lapsus dhe u kërkua ndërprerja e përgjimit. Skandali dhe vepra penale e prokurorisë, policisë gjykatësve në këtë hetim, ka të bëjë me fshirjen e përgjimeve në SERVERIN qendror në Prokurorinë e Përgjithshme, në selinë e përgjimeve.??!! Këtu është vënë dorë në burimin e provës, për të pamundësuar regjistrimin e një procedimi penal, për të përgjuarin, pasi procedura të korrektohej, në formën e kërkuar nga ligji. Po të përgjuarit e tjerë të cilët bisedonin me deputetin? Kush ishin? Për cilën ngjarje flisnin. Çfarë porosish merrnin dhe jepnin? A ka deputetë, ministra, ish ministra të tjerë të përfshirë në këtë histori?
A ka folur Balla në këtë periudhë me Edi Ramën, Sajmir Tahirin, Mimi Kodhelin, Suel Çelën, e të tjerë emra të dyshuar të dosjes??!! A kishte dhe ka lidhje kjo dosje edhe me vrasjen e avokatit Ravik Gurra?
A ka kryebashkiakë, ministra e zyrtarë të tjerë të lartë në këtë histori, që u bënë regjia e masakrës hetimore?!
Kush nga ministrat ka shkuar nga qeveria të nesërmen në Elbasan, me kë pushtetarë e deputetë të tjerë është takuar?
Si kanë rënë dakord, për të vënë dorë të fortë në veprimet e mëvonshme hetimore, për ti devijuar ato?
Kush ishin dhe mbeten të dyshuarit
Ku u fsheh makina e krimit të tre shkurtit 2016? Ku u dogj makina e përdorur nga atentatorët e avokatit Ravik Gurra?
Me këto ngjarje të mëparshme lëkundja e besimit për arrestimin e Çelës vetëm shtohen, pasi ai mund të jetë një arkiv i dëmshëm dhe frikshëm për politikanë socialistë, përfitues të angazhimit të tij. Balla ka kujtesë të mjaftueshme për aktet zgjedhore e politike.