20 vjet nga lufta në Irak

«Iraqi Freedom»

Këtë vit bie përvjetori i 20 i fillimit të luftës dhe i pushtimit të Irakut nga ana e një koalicioni ndërkombëtar të madh të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Mbretëria e Bashkuar. Objektivi i deklaruar atëhere ishte të përmbysej Saddam Hussein, në pushtet nga 1979, i akuzuar se fshihte armë shkatërrimi në masë dhe mbronte e financonte grupe terroriste, sidomos al Qaeda. Operacioni, i mbiquajtur Iraqi Freedom, futej në të ashtuquajturën «luftë globale kundër terrorizmit» e filluar nga Shtetet e Bashkuara dhe që tashmë në 2001 kishte çuar në pushtimin e shpejtë të Afganistanit dhe më pas, në marsin e 2003, të atij të Irakut. Dy luftëra paralele, të ushqyera nga shpirti i hakmarrjes (për shkeljen e territorit amerikan nga ana e al Qaedas dhe për mijëra qytetarët e vrarë) dhe në të njëjtën kohë nga dëshira për ta çuar demokracinë e markës perëndimore në Lindje të Mesme. Pavarësisht shpejtësisë së jashtëzakonshme në operacione (që nxorrën në terren një fuqi zjarri të paparë kurrë më parë) ata në realitet zgjatën shumë vite – e para 20 vjet dhe e dyta 9 vjet – dhe rezultuan katastrofike si për bilancin amerikan, ashtu edhe për numrin e viktimave, midis ushtarakëve dhe civilëve. Është thënë se në të dyja situatat, ndërsa ushtarakët dhe Pentagoni «e bënë me nxitim punën e tyre, politikanët nuk e fituan paqen».

Në momentin ku Saddam u shkarkua nga ushtria e koalicionit dhe partia Ba’ath u margjinalizua, qe e natyrshme për shiitët në kërkim të hakmarrjes të shikonin jo edhe aq ndaj elitave shekullare mbi të cilën synonin pushtuesit e rinj – burra si Ahmad Chalabi dhe Iyad Allawi – sesa më shumë në eksponentë të botës fetare si ajatollahu Ali al-Sistani, tek klerikët e Këshillit Suprem për Revolucionin në Irak dhe personalitete si Muqtada al-Sadr. Rënia e diktatorit përbënte një mundësi unike, për komunitetin shiit iraken, për të fituar një pozicion force që për dekada i ishte mohuar, por që ndërkohë i kishte hapur derën një «skenari të errët luftërash vëllavrasëse që në disa aspekte kishte ndodhur në Pakistan në dekadën e mëparshme».

Faktet përpara pushtimit

Faktet që i paraprinë pushtimit janë tashmë të njohura dhe janë pjesë e historisë. Mbi të gjitha diskutimi i presidentit George W. Bush, që përpara popullit amerikan propozoi në mesazhin e tij mbi Gjendjen e Unionit 2003 një ndërhyrje të shpejtë dhe radikale në Irak për të shmangur një kërcënim në rritje për Shtetet e Bashkuara në një prej rajoneve më të nxehëta të planetit: «Rrallë historia ka ofruar një mundësi të madhe për të bërë kaq shumë për kaq shumë», nënvizoi ai. Ai tha se Saddam Hussein ishte e «keqja absolute», që duhej shfarosur, dhe premtoi se sekretari i Shtetit Colin Powell do të zbulonte sa më shpejt të ishte e mundur informacione në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi programet rreth armëve të shkatërrimit në masë të mbajtura nga Iraku dhe mbi lidhjet midis klasës politike të tij dhe terrorizmit ndërkombëtar. Pohoi edhe se, kur do ta konsideronte të nevojshme, do tl vepronte edhe pa miratimin e Kombeve të Bashkuara. Në Shtetet e Bashkuara, ashtu si në shumë vende perëndimore, u ngritën shumë zëra kritikë për projektin e pushtimit, por për elitat politike në pushtet, ushtarakët, agkencitë e sigurisë dhe shtypi i rreshtuan me presidentin dhe këshilltarët e tij. Në debatin në Senat, Joe Biden e paralajmëroi administratën republikane të mos e kryente «mëkatin e Vietnamit», edhe pse më pas, në votimin final, u shpreh në favor të rezolutës. Tre vite më pas e quajti atë votë gabim. Veç kësaj, zëvendëspresidenti Dick Cheney, mbështetës i flaktë i ndërhyrjes, garantoi se në Niger qenë provat e blerjes së uraniumit nga ana e Saddam për ndërtimin e atomikes dhe se duhej ndërhyrë përpara se të ishte shumë vonë.

Më 5 shkurt sekretari i Shtetit, siç parashikohej, i tregoi Kombeve të Bashkuara provat, më pas të rezultura false, të zhvillimit të armëve të shkatërrimit në masë nga ana e Irakut të Saddam. Në fund të ndërhyrjes së tij në Këshillin e Sigurimit, Powell tundi përpara telekamerave një epruvetë plot me pluhur të bardhë. Ishte «prova materiale» e posedimit të armëve të shkatërrimit në masë nga ana e diktatorit iraken. Vite më pas, në 2005, pranoi se ai aktrim i «dhimbte akoma». Burimi amerikan lidhur me këtë argument, ishte një iraken, inxhinieri Rafid al-Janabi, i cili për të siguruar azil në Gjermani kishte bërë zbulime të rëndësishme shërbimeve sekrete të këtij vendi, domethënë se në Irak kishte trupa të gatshme për t’i përdorur armët kimime e fshehura inspektimeve të Kombeve të Bashkuara. Qysh në atë kohë shërbimet sekrete gjermane i konsideruan pak të besueshme zbulime të tilla, ndërsa ato amerikane i morën për të mira dhe të mjaftueshme për shpërthimin e luftës.

Më 15 shkurt 2003 miliona njerëz në të gjithë botën u mobilizuan, me manifestime të çdo lloji, kundër luftës. Fronti diplomatik «pacifist» udhëhiqej nga dy vende të rëndësishme: Franca e Chirac dhe Gjermania e Schröder. Edhe Gjon Pali i II e dënoi hapur «luftën parandaluese» si të pajustifikuar. Si vendet e tjera perëndimore, Italia aderoi në koalicionin ndërkombëtar në favor të ndërhyrjes së armatosur që po ndërtohej. Me pak fjalë, nga ai vendim ka buruar trazira që prej vitesh ka tronditur Lindjen e Mesme dhe një botë të tërë; faktikisht prej saj shpërthyen fillimisht kaosi e lufta civile në Irak dhe më pas ngjitja e të ashtuquajturit «Shtet Islamik» (cifël e çmendur e al Qaeda), duke filluar nga rajoni al-Anbar dhe i Mosulit deri sa të pushtojë një pjesë të Sirisë dhe kërcënimit të sigurisë të të gjithë rajonit. Veç kësaj, kjo luftë i dha Iranit, që e mbështeti shumicën shiite irakene, mundësinë e bërjes një fuqi rajonale e nivelit të parë.

Lufta e 20 marsit 2003

Lufta në Irak filloi më 20 mars 2003. Qe një fushatë, është thënë, e karakterizuar nga surpriza, nga shock i një sulmi të fuqishëm dhe të rrufeshëm: sulmi ajror dhe tokësor asgjësoi brenda një kohe të shkurtër forcat e armatosura irakene, që atëhere qenë ushtria e katër më e fuqishme e botës. Bagdadi u pushtua në pak më shumë se 3 javë. Saddam ishte zhdukur natën e sulmit, pasi kishte përshëndetur shtabin e përgjithshëm të tij, duke i lënë takim për të nesërmen. Ushtria irakene, e përbërë nga 4 milion e gjysmë ushtarë, në fillim reagoi ndaj sulmit; më pas u zhbë, e asgjësuar nga superioriteti i zjarrit të atij të koalicionit, por sidomos kur oficerët braktisën fushën e betejës. Ata u kthyen në fshatrat e tyre të origjinës, domethënë në zonën sunite të Irakut, midis Tirkitit, fshatit të origjinës së Saddam, dhe Mosulit, që ishte kryeqyteti i pakicës etnike të vendit gjithmonë në pushtet. Në fshatra të tilla sunite disa muaj më pas u organizua rezistenca ndaj pushtuesve perëndimorë, duke e shtrënguar ushtrinë e koalicionit ta modifikojë planin fillestar të sulmit dhe të studiojë teknika të reja kundërrebelimi për të luftuar guerriljen e grupeve të armatosura. Duke filluar nga 2006, shumica e këtyre oficerëve të Saddam do të përbënte nivelin drejtues ushtarak dhe politik të «Shtetit Islamik të Irakut», i ngritur nga gjakatari Abu Musab al-Zarqawi (armik i deklaruar i shiitëve) dhe i bërë më pas ISIS (apo Daesh, në arabisht).

Në përgjithësi, iushtarët e koalicionit u mirëpritën nga pjesa më e madhe e popullsisë, sidomos nga shiitët, që prej kohësh pësonin angari dhe sektarizmibn e zgjedhjeve politike të regjimit të Saddam. David Petraeus, gjenerali që drejtoi trupat amerikane në Irak, lidhur me këtë aspekt pohon: «U pritëm si çlirimtarë. Gabime masive u kryen më pas dhe jam i gatshëm t’i pranoj, por pjesa më e madhe e irakenëve donin ta përmbysnin regjimin brutal të Saddam». Gjithësesi, armët e shkatërrimit në masë nuk janë gjetur asnjëherë. Al Qaeda nuk është pritur kurrë nga rais, edhe pse ai, që ishte laik, nuk e ndante ideologjinë radikale të islamiste. Nga ana e tij, Usama bin Laden nuk do të strehohej kurrë në Irak dhe në çdo rast nuk do t’i besonte kurrë Saddam.

Interpretime mbi luftën në Irak

Momenti më simbolik i fazës së parë të luftës qe kur më 9 prill në sheshin Firdeus në qendër të Bagdadit i rrëzua nga ushtarët amerikanë statuja më e madhe e bronztë e diktatorit (e lartë 12 metra). Gjesti përfaqësonte një diçka që do të ndodhte më pas: më 13 dhjetor 2003 Saddam u gjend nga nga forcat amerikane i fshehur në Tikrit; u var pas një gjykimi të emetuar nga një gjykatë irakene më 30 dhjetor 2006. Më 15 prill 2003 të gjitha qytetet kryesore të Irakut qenë në duart e ushtrisë së koalicionit; më 1 maj presidenti Bush pohoi se qenë arritur objektivat e luftës në Irak dhe i deklaroi të përfunduara operacionet ushtarake në shkallë të gjerë, por konflikti vazhdoi me intensitet gjithnjë e më të madh për 8 vite të tjera, duke u transformuar nga luftë konvencionale në guerrilje. E para ishte fituar, por në vend të saj kishte hyrë një konflikt asimetrik i pafundëm, i përbërë nga prita dhe atentate vetëvarsëse me kamionë bombë, që do të shtyrej gjatë.

Në seli historike, është debatuar shumë mbi motivacionet reale të rendit politik apo strategjik që e shtynë në 2003 administratën Bush të ndërmarrë një luftë që i impenjonte Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, në një front tjetër të Lindjes së Mesme, të luftonin kundër njërës prej ushtrive më të mëdha dhe moderne të botës. Sipas të ashtuquajturve «realistë», i këshilluar nga fajkojtë e administratës së tij (ku kujtojmë Donald Rumsfeld, Dick Cheney dhe Paul Wolfowitz), Bush do të përfitonte nga situata kontigjente (lufta kundër terrorizmit) për ta «ribërë luftën në Irak», pas asaj së 1991. Faktikisht, për shumë konservatorë, ganmi që në atë luftë kishte bërë Bushi baba kishte qenë se qe ndalur në çlirimin e Kuvajtit, duke e mundur ushtrinë irakene, pa shkuar në Bagdad, duke e shpëtuar kështu regjimin ba’athist, që mbeti në pushtet. Tani, siç pohoi presidenti në Gjendjen e Unionit 2003, kishte ardhur mundësia e «duhur e ofruar nga historia».

Sipas të tjerëve, qenë sidomos motivet e natyrës ideologjike që e shtynë administratën Bush të vepronte kundër Saddam, i konsideruar një prej diktatorëve më të pamëshirshëm të Lindjes së Mesme, me qëllimin e «sjelljes së demokracisë» në këtë rajon, i konsideruar nga Shtetet e Bashkuara i rëndësishëm për sigurinë botërore. Max Boot, një prej ideologëve më të mëdhenj neokonservatorë, shkroi për një aspekt të tillë: «Pushtimi i Irakut do të jepte mundësinë e instalimit të demokracisë së parë arabe dhe t’i tregonte gjithë Lindjes së Mesme se Amerika është e impenjuar për ta siç ka qenë për ish komunistët e Europës Lindore». Analistë të tjerë dyshojnë se qenë edhe qëllime me natyrë ekonomike, si kontrolli i rajoneve shumë të pasura me hidrokarbure, që i shtynë ushtritë perëndimore të futeshin «në tokën e Dy Lumenjve», dhe sidomos në shkretëtirën mesopotamike, aq më shumë që në atë kohë Shtetet e Bashkuara nuk kishin akoma vetëmjaftueshmërinë energjitike.

Çfarë lloj demokracie u «eksportua» më pas në Irak? Sigurisht që jo ajo e markës perëndimore, e themeluar mbi parimin e përfaqësueshmërisë dhe mbi shtetin e së drejtës. Në 2004 guvernatori Paul Bremer njoftoi shkrirjen e qeverisë së përkohshme të Iraqi Governing Council me drejtim amerikan dhe formimin e qeverisë së parë të përkohshme të Irakut, i  ashtuquajturi Iraqi Interim Government, që do të duhej ta onte vendin në zgjedhjet e para multipartiake të historisë së tij më 30 janar 2005 (siç edhe ndodhi). Ajo e formua në bazën e të njëjtave kritere të precedentit ekzekutiv, i cili përfundoi për ta ndërtuar modelin e demokracisë irakene që po krijohej, e bazuar mbi kritere haptazi etnike dhe tribale. Qeveria e re ishte e formuar nga 25 anëtarë, prej të cilëve 13 shiitë, 5 sunitë, 5 kurdë dhe 2 përfaqësues të komuniteteve të vogla, në rastin konkret turkmenë dhe kristianë kaldeas. Bëhej fjalë pra për një lloj «libanizimi ë politikës irakene, në të cilën nuk mjaftonte shumica numerike e shiitëve për të folur për demokraci». Kjo strukturë u mendua dhe në një farë mënyre u imponua, pavarësisht protestave të intelektualëve laikë irakenë dhe nga pushtuesit perëndimorë, pse e konsideurar më në përputhje me traditat e vendit.

Gabime dhe dobësi të koalicionit

9 vite lufte pushtuese dhe guerrilje e pandërprerë shkaktuan një numër të frikshëm viktimash. Sipas Projektit Iraq Body Count (IBC), nga fillimi i luftës deri në tërheqjen amerikane të 2011 civilët irakenë e vrarë në konflikt qenë më shumë se 110000, ndërsa numri i ushtarëve të koalicionit të rënë qe 4910, shumica dërrmuese e të cilëve përbëhej nga amerikanë. Me mundjen e Saddam, Bremer – që më parë kishte qenë ambasador në Bagdad – kreu një gabim tragjik, që do të prodhonte në perspektivë pasoja të rënda: nxorri një urdhër që ndalonte këdo që kishte aderuar në partinë Ba’ath, praktikisht të gjithë aparatin ushtarak dhe civil të shtetit iraken. Në harkun e pak muajve nga pushtimi, dhjetëra mijëra oficerë të lartë të forcave të armatosura, funksionarëve publikë të çdo natyre dhe grade, agjentë policie dhe shumë të tjerë mbetën pa punë dhe pa rrogë. Pjesa më e madhe e tyre qenë sunitë, që në vend përfaqësonin një pakicë, shumë besnike ndaj regjimit. Kështu, pasuria e madhe e përvojave dhe e kompetencave profesionale u bë e kotë, bile ju ofrua armikut, që përfitoi menjëherë, duke i rekrutuar këta persona në trupat e çrregullta për ta luftuar koalicionin. Pas pak vitesh, qenë ata që përfaqësonin drejtuesit politikë të Shtetit Islamik.

Sipas gjeneralit Petraeus, shkarkimi i ushtrisë irakene pa i garantuar një rrogë për mbajtjen e familjes dhe çuarjes përpara të një politike kundërvënieje të hapur dhe spastrimi ndaj anëtarë të partisë së Saddam pa rënë dakord më parë një politkë pajtimi kanë qenë zgjedhje katastrofike. «Përgjatë rrugëtimit, pohon ai në një intervistë të dhënë për la Repubblica – janë mësuar leksione të ashpra, deri kur nuk kemi zhvilluar manualin e fushimit për kundërrebelimit dhe përmirësuar përgatitjen e njësive tona». Pastaj shton, duke ju referuar situatës aktuale: «Shpreso që nuk do t’i harrojmë këto mësime, pasi edhe pse tani po e spostojmë vëmendjen mbi Indo – Paqësorin dhe Europën Lindore, vazhdojmë të asistojmë partnerët vendorë që luftojnë rebelët dhe terroristët në Irak dhe verlindje të Sirisë». Lufta kundër asaj që mbetet nga ISIS dhe nga al-Qaeda nuk ka mbaruar akoma, bile në këto rajone sulmet vrastare, edhe në muajt e fundit, po bëhen më të shpeshta dhe shkaktojnë shumë viktima midis civilëve. Por jo të gjithë në Shtetet e Bashkuara janë dakord me analizën e bërë nga gjenerali Petraeus. Ka drejtues të Pentagonit që do të donin që ushtria amerikane ta harronte sa më shpejt përvojën e gjatë të Lindjes së Mesme (dhe strategjitë sulmuese të përdorura aty) dhe të orientohej drejt strategjishë të reja veprimi dhe objektivave më të rëndësishme dhe më domethënëse për politikën amerikane.

Gabim tjetër i kryer nga fillimi i luftës ka qenë ai i përfshirjes në ministritë e Mbrojtjes dhe të Brendshme të personave që i përkisnin milicive të financuara nga Irani. Lloji i demokracisë që u injektua duke filluar nga 2005 mbi modelin afganas apo libanez nuk kishte asgjë substanciale dhe kontribuoi vetëm për ta shtuar luftën politike dhe sociale. Midis efekteve më të rëndësishëm të pushtimit duhen kujtuar: lufta civile e shpërthyer midis 2006 e 2008; dobësimi i strukturave shtetërore dhe vendosja e një sistemi politik që shpërndante pushtet dhe resurse mbi bazë fetare, duke privilegjuar hapur shiitët, tashmë me mbështetjen amerikane dhe sidomos amerikane, padronët e vërtetë të vendit. Duhet kujtuar se një sistem i tillë hyri në fuqi pa që të ishte bërë më parë një censiment i popullsisë për ta përcaktuar përfaqësimin e secilit prej tre komponentëve themelore të shoqërisë: sunitë, shiitë dhe kurdë.

Pra, në largësinë e 20 viteve, pushtimi e ka lënë Irakun të zhytur në korrupsion financiar dhe administrativ. Shteti është kushtëzuar nga fraksione që përdorin armët për ta imponuar autoritetin e tyre. «Iraku – shkruan gazetari Raed al-Hamid – është bërë fushëbeteja për fuqitë e tjera rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Irani, që kërkojnë ta ushtrojnë influencën e tyre në vend, ndërsa forcat politike u janë nënshtruar ekuilibrave dhe aleancave të paqëndrueshme». Sot Iraku duket ende larg nga demokracia që amerikanët do të donin të instalonin në një prej vendeve më të rëndësishëm dhe të pasur me naftë të Lindjes së Mesme. Në Irak është më shumë një sistem i ashtuquajtur «hibrid», i ndërtuar mbi mirëkuptimin midis krerëve të partive më të rëndësishme, që i marrin vendimet më të rëndësishme dhe menaxhojnë milici të armatosura gjithmonë të gatshme për të ndërhyrë. Ky sistem, që mbretëron prej disa vitesh, e dobëson procesin demokratik dhe favorizon klientelizmin dhe korrupsionin. Të rinjtë nuk i dorëzohen kësaj gjendjeje të gjërave dhe ëndërrojnë, si në rebelimet e 2019, një «pranverë arabe» të re.

Perspektiva të reja

Lufta në Irak ka pasur pasoja shumë të rëndësishme dhe jetëgjata mbi mënyrën e kryerjes së një konflikti. Ka riplazmuar si strategjinë konvencionale të sulmit (që msohej në akademitë ushtarake), pasi që luftohet një luftë asimetrike, si mënyrë e përdorimit të armëve të reja shumë të avancuara në planin teknologjik, si për shembull tanket Abrams dhe helikopterët Chinook. Për 6 vitet e para të pushtimit, numri i trupave amerikane të impenjuara në teatrin e luftës nuk kanë zbritur kurrë nën 120000 luftëtarë. Ka qenë presidenti Barack Obama në vitin 2011 që ka tërhequr, ashtu siç kishte premtuar në fushatën elektorale, trupat nga toka e Dy Lumenjve, vetëm për të kthyer prapa një numër të mirë, pasi që Shteti Islamik kishte bërë hyrje në veriun e Irakut dhe Sirisë në 2014. Sot në këtë territor janë të pranishëm rreth 2500 ushtarë amerikanë.

Kostoja e opeacioneve ushtarake në Irak nga 2003 e deri në fund i ka tejkaluar 800 miliard dollarët, sipas një vlerësimi të matur, dhe 1 trilion sipas disa vlerësimeve të tjera. Kurrë një luftë nuk ka kushtuar kaq shumë. Pavarësisht se administrata Obama kishte fiksuar në Paqësor dhe sidomos në një konfrontim ushtarak me Kinën dhe jo më në Lindje të Mesme nyjen e politikës së jashtme amerikane forcat e armatosura amerikanë kanë kushtuar për shumë vite pjesën më të madhe të përpjekjeve të tyre për të bërë luftërat e parregullta në Irak e në Afganistan. «Mund t’i besohet një numri të madh oficerësh marine, tha një konsulent qeveritar amerikan, për ta shpjeguar kompleksitetin e çdo rruge të Bagdatit, por shumë më pak këta e njohin gjeografinë ushtarake dhe diplomatike në Luglindjen aziatike detare». Nga ana e saj, Kina në këto vite qe bërë superfuqi, duke e katërfishuar ekonominë e saj. Në vitet e luftës në Lindje të Meme, ajo vërejti dhe studioi me vëmendje të madhe lëvizjet e ushtrive të impenjuara në territorin iraken. E njohur për maturinë që ata i referoheshin në baza të mëdha ushtarake të instaluara në afërsitë e teatrit të luftës dhe që i besonin një logjistike të studiuar e të sigurtë dhe garantonte aksesin konstant për satelitët. Menjëherë më pas, Perandoria e Mesit kërkoi ta azhurnojë arsenalin ushtarak të saj me armë shumë të avancuara në planin teknologjik, të afta të rivalizonin me ato amerikane.

Pas përvojës së ashpër irakene, Pentagoni ka humbur gjithnjë e më shumë vetëdijen «se konkurrentët e tij kryesorë nuk qenë më kërcënimet rajonale, si Iraku dhe Jugosllavitë e botës», por fuqitë e mëdha ekonomike dhe ushtarake, si Kina. Lufta e fundit në Ukrainë dhe kërcënimi për një pushtim të Tajvanit apo e një konflikti të mundshëm midis fuqive në Indo – Paqësor e kanë shtyrë Pentagonin në një ndryshim të strategjisë ushtarake të tij, për t’ia përshtatur situatave ndërkombëtare të ndryshuara. Për ta mbyllur, lufta që është luftuar në Irak në 2003 ka qenë e kushtueshme dhe kundërpodhuese, duke lënë tek fituesi çikatriçe të dhimbshme dhe jetëgjata.

(nga La Civilta Cattolica)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

 

About Redaksia

Check Also

Tetori bëhet rozë në SIGAL UNIQA/ Paketat më të mira të sigurimit dhe oferta që nuk duhet humbur

Tetori, muaji kushtuar ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e kontrolleve dhe parandalimit në luftën kundër kancerit të …

Leave a Reply