Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është përgjigjur pyetjeve të gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së zhvilluar me Kryetarin e Grupit Parlamentar Gazment Bardhin dhe deputetët e opozitës.
Pyetje: Ju thoni se do të vijoni betejën dhe do të protestoni në parlament, Rama nga ana tjetër refuzon të përballet me opozitën. Si i shikoni këto refuzim që Rama u bën në seancat parlamentare.
Sali Berisha: Rama ka një tmerr këto kohë, është i tmerruar, i frikësuar shumë. Po ta shikoni ju, ai lëviz me batalione policësh dhe ushtarësh mbrapa. Por këto janë punët e tij, nuk më intereson mua seç ka ai. Mua më intereson se ne jemi të vendosur, absolutisht deputetët e opozitës janë të vendosur të shkojnë gjer në qëndresën ekstreme për të rifituar të drejtat e tyre kushtetuese.
Pyetje: Ditën e sotme grupi parlamentar i PS-së ka kërkuar përjashtimin e 7 deputetëve. A do ti njihni këto vendime.
Sali Berisha: Ky është një vendim i urdhëruar nga Edi Rama, i turpshëm dhe do të marrë përgjigje. Çdo vendim i tyre që nuk përfill protestën e drejtë të deputetëve të opozitës do të marrë përgjigje prej tyre. Ju ftoj të jeni aty në 3.30.
Pyetje: Zoti Berisha, kur thoni protestë ekstreme, është grevë urie?
Sali Berisha: Ju do t’i shikoni. Ju ndiqeni këtë protestë, nuk mund të ndalet. Nuk ka mjet me të cilin ai do ta shuajë këtë protestë.