Miliarda lekë për koncesionet që janë shpallur afera korruptive me vendim gjykate

Edhe pse norma e koncesioneve të vendosura nën hetim, që kanë rezultuar afera korruptive është 100 për qind, qeveria do të vazhdojë të pompojë miliardë lekë të taksapaguesve për kompanitë koncesionare edhe gjatë vitit të ardhshë. Sipas relacionit të projektbuxhetit 2024, qeveria do të paguajë 14.3 miliardë lekë ose 135 milionë euro për kontratat koncesionare gjatë vitit që vjen.

“Për vitin 2024, pagesat vjetore neto që parashikohet të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare/PPP, kapin vlerën rreth 14.3 miliardë lekë,” thuhet në relacionin e projektbuxhetit 2024.

Të dhënat tregojnë se krahasuar me vitin korrent, pagesat për koncesionet do të rriten me 1.2 miliardë lekë ose 10 milionë euro për vitin e ardhshëm. Në krye të listës, si koncesioni që do të marrë më shumë para nga buxheti qëndron rruga e Arbrit.

Për vitin e ardhshëm qeveria do të paguajë 3.5 miliardë lekë për kompaninë koncesionare Gjoka Konstruksion, e cila ndërtoi rrugën që lidh Tiranën me Dibrën me fondet e veta. Krahasuar me këtë vit, pagesa për koncesionin e rrugës së Arbrit rritet me 25 për qind ose 700 milionë lekë më shumë.

Në vendin e dytë, renditet një tjetër koncesion i shumëpërfolur. Bëhet fjalë për kontratën koncesionare të laboratorëve. Për vitin 2024, qeveria do të paguajë 1.85 miliardë lekë për bashkimin e kompanive koncesionare të shërbimit laboratorik, që kryesohet nga Labopharma e Janis Karathanos.

Më poshtë në vendin e tretë renditet një tjetër kontratë e shpallur si aferë korruptive me vendim gjykatë. Bëhet fjalë për koncesionin e sterilizimit, i cili vitin e ardhshëm do të paguhet plotë 1.76 miliardë lekë ose rreth 16.7 milionë euro. Për këtë koncesion ka tashmë zyrtarë të arrestuar, ndërkohë që është nën hetim edhe ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja.

Në vendin e katërt dhe të pestë renditen koncesioni i skanimit në dogana dhe ai i inceneratorit të Tiranës, të cilat do të marrin respektivisht nga 1.67 miliardë dhe 1.27 miliardë lekë. I pari është dhënë nga ish qeveria e Partisë Demokratike, ndërsa koncesioni i dytë i dhënë nga socialistët është shpallur zyrtarisht si një aferë korruptive me vendim gjykate. /Kapital.al

About Redaksia

Check Also

Fatura 30 miliardë lekë që do paguajnë shqiptarët nga rritja e re e pagave të regjimit

  Më 1 gusht, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që i hapi rrugën rritjes së …

Leave a Reply