Qeveria do t’i paguajë 12 milionë euro inceneratorit që nuk ekziston në Tiranë në 2024

Me gjithë problemet që kanë me drejtësinë, barra e koncesioneve PPP në buxhetin e shtetit është rritur më tej në vitin 2024.

Inceneratori i Tiranës, një vepër që nuk ekziston dhe procesi është nën hetim dhe sekuestro nga SPAK, do të financohet nga taksat e shqiptarëve me 1,27 miliardë lekë (12 mln euro) vitin që vjen, me rritje gati 20% me financimin e këtij viti 2024, sipas parashikimeve në projektbuxhetin e vitit që vjen.

Gjithashtu pagat u rritën për kontratat nën hetim së sektorin e shëndetësisë. Kontrata e sterilizimit do të financohet me rreth 1,7 miliardë lekë. Vlera e saj është rritur në mënyrë sistematike që nga fillimi i aktivitetit me rreth 1,2 miliardë lekë në vit.

Rritje ka shënuar edhe kontrata e re e Laboratorit, për të cilën janë parashikuar financime me 1,85 miliardë lekë nga 1,75 miliardë lekë këtë vit. Vlera e saj është rritur me shpejtësi, pasi nga projeksionet në kontratën me qeverinë shqiptare parashikoheshin pagesa jo më shumë se 1,2 miliardë lekë në vit për këtë shërbim. Teksa fondet për qendrën spitalore “Nënë Tereza” nuk kanë ndryshuar në mënyrë domethënëse, kontratat PPP janë bërë gropa thithëse për fondet në shëndetësi.

Sipas Ministrisë së Financave, për vitin 2024, kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat koncesionare/PPP, prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të pritshme të vitit 2023, është rreth 29.8 miliardë lekë.

Për vitin 2024, pagesat vjetore neto që parashikohet të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare/PPP, kapin vlerën rreth 14.3 miliardë lekë.

Rrjedhimisht, në buxhetin 2024 respektohet kufizimi ligjor i sipërcituar në zbatim të rregullit fiskal perkatës, pasi vlera e parashikuar prej rreth 14.3 miliardë lekësh për pagesat vjetore neto të kontratave koncesionare apo PPP për vitin 2024, përbën vetëm 2.4% të totalit të të ardhurave tatimore faktike të pritshme për vitin 2023 prej rreth 595.8 miliardë lekë.

Gjatë vitit 2023, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vijuar monitorimin e performancës së kontratave koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore, duke monitoruar ecurinë e pagesave faktike buxhetore për secilën kontratë.

Për sa i përket ecurisë faktike të pagesave koncesionare në nivel 9-mujor për vitin 2023, në vijim jepet një tablo përmbledhëse nga Ministria e Financave si vijon:

Fondet buxhetore të alokuara sipas planit me ndryshime për vitin 2023 të raportuar nga Autoritetet Kontraktore përkatëse, me destinacion mbështetjen buxhetore për kontratat koncesionare/PPP, rezultojnë në total rreth 13.08 miliardë lekë. Nga këto, rreth 5.11 miliardë lekë investime dhe rreth 7.97 miliardë lekë shpenzime korente.

-Krahasuar me pagesat faktike të vitit 2022, të cilat arritën vlerën rreth 12.64 miliardë lekë, pagesat e planifikuara për vitin 2023 janë rreth 3.5% më të larta ose rreth 443.7 milionë lekë më shumë.

-Pagesat faktike për periudhën 9-mujore 2023 rezultojnë në masën rreth 7.98 miliardë lekë ose 61% e planit vjetor me ndryshime të vitit 2023. Nga këto, niveli më i lartë i pagesave është realizuar në muajin Mars me rreth 1.54 miliardë lekë ose 19.3% të pagesave faktike 9-mujore: o Pagesa më e lartë e realizuar në muajin Mars është pagesa prej rreth 510 milionë lekë për kontratën “Përmirësimi, Ndërtimi, Operimi dhe Mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit”, pagesë e cila përbën 33% të totalit të pagesave faktike të realizuara në muajin Mars.

-Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, pagesat faktike për 9-mujorin 2023 rezultojnë rreth 1.3 miliardë lekë më të ulëta ose rreth 14% më pak, rënie e cila i dedikohet pagesave më të ulëta të realizuara kryesisht për kontratat: o “Përmirësimi, Ndërtimi, Operimi dhe Mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit”, ku pagesat faktike për 9-mujorin 2023 rezultojnë 1.08 miliardë lekë më të ulëta se 9-mujori 2022.

Ky realizim i referohet skedulit të pagesave, sipas përcaktimeve të kontratës koncesionare në fjalë, pasi në terma vjetorë, i gjithë plani i pagesave të kësaj kontrate për vitin 2023 është rreth 3.3% ose 96 milionë lekë më i ulët se totali i pagesave faktike të saj në vitin 2022. “Financimi, ngritja dhe operimi i shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë”, ku pagesat faktike për 9 mujorin 2023 rezultojnë rreth 284 milionë lekë më të ulëta se 9-mujori 2022, ndikuar nga fakti se edhe në terma vjetorë totali i planit të pagesave 59 për vitin 2023 është rreth 16.5% ose rreth 318 milionë lekë më i ulët se pagesat faktike të saj në vitin 2022.

Ulja e planit të pagesave për vitin 2023 i referohet rikthimit të skedulit normal të pagesave të realizuara për këtë kontratë, sa kohë që gjatë vitit 2022, përveç pagesave të përcaktuara vjetore, u kryen edhe pagesa të tjera me këste që buronin nga procesi i rinegociimit të kësaj kontrate në vitin 2021, me qëllim përballimin e impaktit të pasojave të shkaktuara nga situata e Pandemisë COVID-19.

“Ndërtimi i Landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të vend-depozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike”, ku pagesat faktike për 9-mujorin 2023 rezultojnë rreth 122.5 milionë lekë më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Ndërkohë, për kontratën “Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Fier”, për vitin 2023 nga ana e Autoritetit Kontraktor (MIE) nuk ka pasur raportim lidhur me planin e pagesave ndërkohë që, pagesat faktike për periudhën 9 mujore 2022 qenë në vlerën rreth 376.4 milionë lekë.

Nga ana tjetër, për disa kontrata koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore, për periudhën 9 mujore të vitit 2023 ka patur rritje të pagesave buxhetore krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku veçojmë kontratat: o “Përmirësim, Ndërtim, Operim, Mirëmbajte e Rrugës Porti i Jahteve-By Pass Orikum-Dukat”, ku pagesat faktike për 9 mujorin 2023 rezultojnë rreth 367.8 milionë lekë më të larta se 9-mujori 2022.

Sipas Autoritetit Kontraktor (MIE), kjo diferencë argumentohet me ndryshimin e modelit financiar të kontratës në fjalë, ku edhe në terma vjetorë totali i planit të pagesave për vitin 2023 është rreth 606.3 milionë lekë më i lartë se totali i pagesave faktike të vitit 2022. “Për Përmirësimin e infrastrukturës Arsimore në Bashkinë e Tiranës ‘Për Projektimin, Financimin, Ndërtimin, Mobilimin, Mirëmbajtjen, Mbikëqyrjen dhe Kolaudimin e pesë objekteve arsimore në Zonën Tirana 1 dhe për 4 objektet arsimore në zonën Tirana 4”, ku pagesat faktike për 9-mujorin 2023 rezultojnë rreth 302.6 milionë lekë më të larta se 9-mujori 2022.

Kjo, duke konsideruar faktin se në vitin 2022 u realizuan pagesa vetëm për kontratën e përmirësimit të pesë objekteve arsimore në zonën Tirana 1, ndërkohë që gjatë vitit 2023, pas përfundimit të Lotit të 4, janë realizuar tashmë pagesa edhe për kontratën e përmirësimit të infrastrukturës arsimore për katër objektet arsimore në zonën Tirana 4.

About Redaksia

Check Also

A është e mundur që një student të blejë sigurim privat shëndetësor në Shqipëri?

Sistemi shëndetësor në Shqipëri ka qenë prej vitesh subjekt diskutimesh dhe shqetësimesh nga qytetarët, veçanërisht …

Leave a Reply