Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një prononcimi për gazetarët, në oborrin e sallës së parlamentit është shprehur se, Edi Rama e ka kthyer këtë vend si parlament i Koresë së Veriu apo Bjellorusisë, duke e rrethuar me njësi speciale të Gardës.
Gjatë deklaratës së tij, kryetar i PD-së, u shpreh se Edi Rama ka planifikuar që të përdorë edhe ushtrinë kundër opozitës dhe popullit opozitar, – por sipas Berishës- ‘le të përdorë ç’të dojë, por asgjë nuk e shpëton atë nga revolta, nga revolta e popullit opozitar për kushtetutën dhe të drejtat e tij’.
DEKLARATA E PLOTE
Parlamenti është vendosur nën shtetrrethim, është vendosur në shtetrrethim! Ky është si të ishte parlamenti i Koresë së Veriut, parlamenti i Bjellorusisë, parlamenti i vendeve diktatoriale.
Është i rrethuar nga të gjitha anët nga forca të shumëllojta të cilat dëshmojnë frikën dhe tmerrin e Edi Ramës nga opozita e pathyeshme, nga opozita e cila po mbron Kushtetutën dhe për rrjedhojë interesat e çdo qytetari shqiptar.
Ndaj ju lutem, dilni e filmoni nga të katër anët dhe shihni, shikoni çfarë ndodh, shikoni se si funksion parlamenti i Edi – Linda Ramës, Lindës së Parlamentit këtu, më falni. Në fakt nuk e di se si është puna, po të ngjashme janë në shumë aspekte.
Ju e shihni çfarë dite është kjo! Pse e gjitha kjo?! – Sepse ne po kërkojmë të drejtat tona kushtetuese.
Edi Rama, pasi e pa që opozita nuk do të jetë më, nuk do të mund të manipulohet më, do të mbrojë të drejtat e saj, ka shpalosur këtë strategji me të cilën e thellon vendin çdo ditë në krizë.
Por i them këtu, nuk ka forcë në botë, ju e dëgjuat besoj, që kanë planifikuar të përdorin edhe ushtrinë, njëlloj me skenarin e vitit 1990-91.
Le të përdorë ç’të dojë, por asgjë nuk e shpëton atë nga revolta, nga revolta e popullit opozitar për kushtetutën dhe të drejtat e tij.
Pyetje: Z. Berisha, do të lejoni zhvillimin normal të seancës plenare sot?
Sali Berisha: Ne jemi këtu për të kërkuar të drejtat tona kushtetuese, të mohuara në mënyrën më brutale, por që janë interesi, në vlerësimin tonë, i të gjithë shqiptarëve që duan pluralizmin, por janë interesi i të gjithë atyre që votuan kundër qeverisë, për një opozitë të vërtetë dhe jo një opozitë, kryetarin e të cilës, përfaqësuesin e të cilës, ta caktojë Edi Rama. Kjo nuk mund të ndodhë.
Pyetje: Deputetët e përjashtuar do të vijnë në seancë?
Sali Berisha: Ç’do skenar ju do ta shihni. Ja si është i rrethuar, shiheni në të gjitha anët. Po përgatiten duket se do të drekojnë këtu këta.
Pyetje: Ndërkohë, grevën e urisë e keni paralajmëruar ju …
Sali Berisha: Edhe ajo do të vijë, ju garantoj.
Pyetje: Do të jetë parlamenti, vendi i grevës së urisë?
Sali Berisha: Do të përzgjidhet dhe ju do ta merrni vesh ndër të parët, por njëherë për njëherë ne vazhdojmë me këto mjete. Ne besojmë se parlamenti nuk funksionon me klandestinitet, nuk funksionon i rrethuar me njësi speciale dhe të tjera. Parlamenti duhet funksionojë në zbatim të Kushtetutës dhe rregullores së vet.