Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar pas marrëveshjes që Edi Rama firmosi me homologen e tij italiane Giorgia Meloni për të ngritur një kamp refugjatësh në vendin tonë.
Manjani tha se Shqipëria nuk është pronë e Edi Ramës që sillet si të dojë, por e shqiptarëve.
Gjithashtu Manjani ngriti pikëpyetje për cënimin e sigurisë publike dhe nuk dihet nëse është dakord ministri i brendshëm për të sjellë në zonën e Lezhës 30 mijë afrikanë në vit.
“Nëse duam të kërkojmë përgjegjësi, ligji e detyron Edi Ramën që ta zbatonte. Pastaj shkojmë në parlament, dhe do ta shikonim sa fuqi ka, do ta ratifikonte apo jo. E pastaj i lind e drejta kujto që ta denoncojë në Gjykatën Kushtetuese.
Këtu mbyllet cikli ligjor i përgjegjësive mbi këtë marrëveshje specifike e cila prek territorin e Republikës së Shqipërisë.
Po prek territorin e Republikës së Shqipërisë dhe territori i Republikës së Shqipërisë nuk është pronë e Edi Ramës, por pronë e popullit shqiptar dhe populli duhet ta dijë këtë gjë.
Kaq është analiza ligjore e kësaj gjë, pa asnjë ngarkesë tjetër dhe pa asnjë insinuatë tjetër.
Nuk ke pse e trajton zonën e Shëngjinit dhe Gjadrit, pra Lezhën në këtë formë, që kaq meritoni, ca kapanone dhe kaq.
Është edhe ana tjetër e medaljes, i sigurisë publike. Prandaj dhe bëhen konsulta. Çfarë ka për të thënë ministri i Brendshëm për këtë gjë? Është dakord ai, e garanton? Po ai 6 mijë policë ka e po ti vijnë edhe 30 mijë afrikanë në vit, në këtë moshën e ushtrisë që thua ti, çfarë do ti bëj atyre ai”, tha Ylli Manjani.