“Ligji për Komisionet Hetimore është në fuqi”, Komisioni Europian: E drejta e opozitës për Komisione Hetimore garantohet nga Kushtetuta
Komisioni Europian i ka kushtuar vëmendje edhe refuzimit të Komisioneve Hetimore nga mazhoranca, që së fundmi ka shkaktuar kaos në punimet e Kuvendit.
Raporti i Komisionit Europian konstaton se e drejta e opozitës për Komisione Hetimore garantohet nga Kushtetuta. Refuzimi i mazhorancës me argumentin qe do ndryshojë ligjin për Komisionet Hetimore nuk qëndron për sa kohë ligji ekzistues është në fuqi.
“Gjatë periudhës raportuese, opozita kërkoi ngritjen e dy komisioneve hetimore, por mazhoranca i hodhi poshtë të dyja kërkesat, pavarësisht se e drejta e opozitës për të inicuar komisione të tilla garantohet me Kushtetutë. Argumenti i mazhorancës në të dyja rastet ishte se është në shqyrtim një rishikim i ligjit për komisionet hetimore. Ligji aktual, megjithatë, mbetet në fuqi”, thuhet në Raportin e Komisionit Europian për vitin 2023.
“Përjashtimi i 23 deputetëve të opozitës”, Komisioni Europian: E paprecedentë. Rregullat duhet të nxisin dialog politik konstruktiv mes opozitës dhe mazhorancës
Në Raportin për Shqipërinë të Komisionit Europian është përfshirë edhe rasti i përjashtimit të 23 deputetëve të opozitës. Komisioni Europian e konsideron si të paprecedentë dhe nxit një dialog politik më konstruktiv midis opozitës dhe mazhorancës.
“Mosmarrëveshjet mes mazhorancës dhe opozitës, veçanërisht për refuzimin e kryeministrit për të marrë pjesë në shumicën e interpelancave të kërkuara nga opozita, shkaktuan një ndërprerje të përkohshme në funksionimin normal të Kuvendit. Sekretariati i Etikës vendosi disa masa disiplinore, duke rezultuar në përjashtimin e paprecedentë të 23 deputetëve të opozitës brenda një muaji. Nevojiten standarde më të larta etike në punimet e Kuvendit për të nxitur një dialog politik më konstruktiv midis opozitës dhe mazhorancës”, thuhet ndër të tjera në Raportin e Komisionit Europian për vitin 2023.