Marrëveshja me Shqipërinë “nuk mund të funksionojë”, por është një masë në linjë me tendencat politike e vendeve të ndryshme europiane: “Kërkohen vende jashtë Bashkimit Europian që i pranojnë refugjatët duke i paguar”. Intervistë me Christopher Hein, profesor i së Drejtës dhe Politikave të Emigracionit dhe Azilit në Universitetin LUISS të Romës.
Profesor Hein, çfarë përcakton kjo marrëveshje?
Është një protokoll i nënshkruar për momentin midis qeverive të Italisë dhe Shqipërisë, ende jo i ratifikuar nga parlamentet respektive që parashikon se dy territore të vogla të Shqipërisë vihen në dispozicion të Italisë për të transportuar dhe mirëpritur kërkuesit e azilit të shpëtuar nga anijet ushtarake italiane në Mesdhe. Qendrat do të shërbejnë për të vlerësuar kërkesat e azilit dhe nisur procedurat e kthimit në rast mohimi. E githa kjo në kosto të Italisë dhe nën juridiskionin e plotë të Italisë. Kështu që edhe me dërgimin e personelit të sigurisë, anëtarëve të komisionit të azilit nga Italia dhe, edhe pse nuk dihet në çfarë mënyre, gjykatës italianë. Pika kryesore është se e gjitha kjo, edhe pse zhvillohet në territorin shqiptar, mbetet nën juridiksionin italian. Në protokoll specifikohet se këtë dy qendra mbajtjeje administrative do të ndodhen në veri të Tiranës, por nuk kuptohet se me çfarë kriteresh do të transportohen aty njerëzit: thuhet vetëm se janë të përjashtuar minorenët jo të shoqëruar, gratë shtatzëna dhe personat e tjerë që u përkasin grupeve vulnerabël. Pëmbledhtazi, kjo është bërthama e marrëveshjes.
Më duket e vështirë dhe e kushtueshme.
Italia do të duhet të japë një garanci financiare prej 100 milionësh, të paguajë menjëherë rreth 16 milion euro Shqipërisë dhe gjithësesi duhet të marrë përsipër pikërisht menaxhimin, ngritjen dhe administrimin e këtyre qendrave. Parashikimi është se midis 36000 dhe 39000 emigrantëve kërkues azili në vit do të mirëpriten, por se në asnjë moment nuk mund të jenë njëkohësisht më shumë se 3000 persona. Do të doja të evidentoja këtë tregues: sipas protokollit, nuk duhet të ketë njëkohësisht më shumë se 3000 kërkues azili. Kjo do të thotë se për të arritur shifrat e mikpritjes vjetore të treguara nga kryeministrja Meloni, çdo kërkues azili do të mund të mbahet në këto qendra maksimumi për 1 muaj, përndryshe nuk arrihet në këtë shifër. Në këtë hapësirë kohore, kërkuesi i azilit do të duhet ta paraqesë kërkesën e azilit, duhet të jetë i identifikuar, të marrë një vlerësim të kërkesës dhe të drejtën e rekursit në rast mohimi të kërkesës. E gjitha kjo brenda 30 ditësh. Duket e pamundur. Pastaj është edhe çështja e transportit. Çdo individ duhet të shoqërohet nga dy agjentë sigurie publike. Duke i shumëzuar me 1000, njeriu mund t’i imagjinojë kostot deri më këtu aspak të llogaritura. Transporte që sigurisht do t’i rrisin edhe vuajtjet e njerëzve, pasi kërkuesit e azilit, pas një udhëtimi të tmerrshëm, do të duhet të spostohen edhe 700 kilometra të tjera distancë me anije sigurisht jo të përshtatshme për transportin e një numri të madh njerëzish. Pastaj edhe vendosja në një vend totalisht të izoluar. Sigurisht që është një masë pak njerëzore.
Pse sipas jush Rama, kryeministri shqiptar, e ka pranuar një marrëveshje të ngjashme?
Më duket se e ka thënë shumë qartë se interesi i Shqipërisë është të ketë një mbështetje italiane që ta shpejtojë aderimin e saj në Bashkimin Europian. Ky është interesi i vërtetë politik që qeveria shqiptare dëshiron t’i shesë elektoratit të vet. Shqipërisë nuk i intereson edhe aq zbatimi i marrëveshjes, por se ka dhënë një demonstrim solidariteti duke parë mirënjohjen e demonstruar nga Italia kundrejt refugjatëve shqiptarë.
Kjo marrëveshje duket surreale, sipas jush është e zbatueshme?
Mendoj se në prakticitet nuk ka asnjë arësye që mund të funksionojë. Për një seri motivesh, parasëgjithash të dyshimeve të ligjshmërisë respektivisht së drejtës europiane dhe italiane. Detajisht, njeriu mund të thotë shumë gjëra mbi aspektet juridike të kësaj ndodhie, por edhe nga pikëpamja logjistike, realizimi duket i pamundur. Për shembull, ku ndodh dhe kush e kryen dallimin midis kujt ka të drejtë të zbarkojë në Itali dhe kush në Shqipëri? Në anije dhe nga ana e ushtarakëve italianë? Si i bëhet sqarimit të moshës së personit në momentin e shpëtimit? Një tjetër çështje janë afatet, siç u tha më parë, respektivisht me parashikimin e mikpritjes së 36000 personave në vit. Si arrihet në këtë numër? Mund të përshkruhen afate të qarta? Sipas dekretit të ri të sigurisë qëndrimi maksimaë në një qendër mbajtjeje është fiksuar në 180 ditë, 6 muaj. Pra, me shumë probabilitet, shumë persona do të qëndrojnë të mbajtur deri në 6 muaj, duke e bërë të bjerë shumë kapaciteti mikpritës vjetor i këtyre qendrave.
Nëse protokolli është i paaplikueshëm si nga pikëpamja ligjore, ashtu edhe nga ana praktike, atëhere pse qeveria Meloni është impenjuar ta firmosë?
Objektivat e deklaruar e këtij protokolli janë tre. I pari është të luftojë trafikun e qenieve njerëzore. I dyti, të parandalojë ardhjen e personave të parregullt dhe i treti të riatdhesojë personat që nuk janë të njohur për mbrojtjen me më shumë lehtësi. Në këtë marrëveshje unë nuk e shikoj zgjidhjen e asnjërit prej të tre objektivave. Pse trafikantët duhet të transportojnë më pak persona? Për çfarë motivi do të arrihet të kundërshtohej hyrja e parregullt e njerëzve? Nëse dëshiron t’i shkurajosh njerëzit nga nisja prej brigjeve libiane apo tuniziane, egjiptiane, turke, cilatdo qofshin ato, marrëveshja nuk është efikase. Duhet të mbajmë parasysh se po flasim për njerëz që e kanë kaluar tashmë shkretërirën dhe që përballen me rrezikun e vdekjes në det. Nëse lihen të shkurajohen vetëm në vend të një qendre në Siçili të dërgohen në një qendër në Shqipëri? Për lehtësimin e riatdhesimeve, nuk shoh asnkë diferencë, përkundrazi. Shqipëria nuk ka bërë asnjë marrëveshje me vende të treta mbi ripranimin e shteteasve të saj. Italia po, ka bërë një seri marrëveshjesh, disa funksionojnë më mirë, kurse pjesa më e madhe nuk funksionon aspak. Për çfarë arësyeje duhet të jetë më i lehtë riatdhesimi nga Shqipëria sesa nga Italia? Ndershmërisht nuk e kam të qartë. Kështu që asnjë prej masave të adoptuara u jep përgjigje të tre objektivave të treguara. Nga ana tjetër, po të flasësh politikisht, ky protokoll duhet të zbatohet nga pranvera e vitit të ardhshëm, pak muaj pas zgjedhjeve në Parlamentin Europian. Sigurisht që ka një interes nga ana e qeverisë italiane për të dhënë idenë se po bën diçka të dobishme në fushën e emigracionit. Mos është një bllof siç ka qenë marrëveshja me Tunizinë? Është vetëdija se implementimi nuk do të jetë i mundur, por ka edhe që theksojnë se është një gjë e rëndësishme, novatore.
Megjithatë, respektivisht me parealizueshmërinë e marrëveshjes, është thënë se ka qenë vetëm një lëvizje për të provokuar Bashkimin Europian. Është e vërtetë?
Le të flasim shumë qartë, ideja e eksternalizimit të kufijve dhe e përfshirjes së vendeve të treta jo anëtare të Bashkimit Europian në çështje azili dhe emigracioni nuk është një ide e re. Nëqoftëse mendojmë për tentativën e marrëveshjes me Ruandën e Britanisë së Madhe, për shembull, ose e Danimarkës. Pak ditë më parë qeveria gjermane ka thënë se po e vlerëson një lëvizje të këtij lloji pa thënë në detaje se me cilat vende dhe në çfarë mënyre. Kështu që kemi një tendencë brenda Bashkimit Europian që mund t’i shtyjë shumë vende, në vend që t’i kundërvihen një iniciative si ajo e qeverisë italiane, deri ta shikojnë me pozitivitet. Për këtë nuk mendoj se është një lëvizje kundër von der Leyen apo kundër Komisionit Europian, ndoshta mund ta paraqesë Italinë deri së një model dhe marrëveshjen me Shqipërinë një sukses.
Deri?
E them ftohtësisht, si vëzhgues i skenarit jo vetëm italian, por i Bashkimit Europian apo i Europës më në përgjithësi, përfshi Mbretërinë e Bashkuar. Tendenca është kjo: një shtet anëtar i Bashkimit Europian, të themi, përdor bujarinë e një shteti tjetër jo anëtar i Bashkimit Europian për të zgjidhur një problem emigracioni dhe azili në territorin e tij. Një tendencë politike që më lë mjaft të preokupuar, por duhet ta pranoj se është kështu, duhet ta pranoj se ky është realiteti: kërkohen vende të tjera që pranojnë refugjatë duke i paguar. Ka gjithmonë një aspekt financiar, si në rastin e Tunizisë, një marrëveshje trajtimi të emigrantëve e kushtuar miliona që pjesërisht ka funksionuar. Në mënyrë cinike, edhe marrëveshja e shkurtit 2017 me Libinë në një farë mënyre ka funksionuar. Dhjetëra e dhjetëra mijëra emigrantë e refugjatë janë kapur nga roja bregdetare libiane e financuar nga Italia dhe nga Bashkimi Europian. Në këtë profil, nuk mund të thuhet se marrëveshja me Libinë nuk ka funksionuar, në shkelje të shumë normave, edhe të së drejtës ndërkombëtare. Kam shumë frikë se marrëveshja e Meloni me Shqipërinë mund të funksionojë, përtej të gjitha dyshimeve të pikëpamjes njerëzore, humanitare dhe të ligjshmërisë.
(nga MicroMega)
Përgatiti
ARMIN TIRANA