Deputeti i PD, Edi Paloka, i ftuar në SYRI TV me Edvin Parruca ka folur për aksionin e opozitës në parlament dhe reagimin e ndërkombëtarëve. Sipas Palokës, përpjekjet e deputetëve dhe rezistenca e opozitës në parlament ka dhënë një sinjal të fortë jo vetëm për ndërkombëtarët, por ajo që është më e rëndësishme edhe për shqiptarët.
“Nga denoncimet që ne kemi bërë, ky vend në mos ka mbërritur në një kripto-diktaturë është në hapat final të saj. Dhe kur them ne, nuk e kam fjalën thjesht për deputetët sepse kjo nuk është lufta e deputetëve të opozitës, nuk mund ta bëjnë dhe nuk mund ta përballojnë një luftë të tillë 50 deputetë të opozitës dhe nuk është madje as luftë vetëm e opozitës, kam parasysh mbi 600 mijë shqiptarë që kanë votuar opozitën në zgjedhjet e fundit, kjo është një luftë e gjithë shqiptarëve. Sa më shpejtë të kuptohet nga ata që nuk janë të pa angazhuar në opozitë por që realisht e ndjejnë se po shkojmë me hapa të shpejtë drejt një regjimi diktatorial, duhet të reagojnë.
Të gjitha justifikimet duhet të bien dhe të gjithë të kemi një qëllim dhe që është shpëtimi i pluralizmit dhe demokracisë.
Qytetarët duhet të kuptojnë, se imagjinoni se çfarë mund të bëjë një monstër si Edi Rama me qytetarët e thjeshtë kur me opozitën sillet në këtë mënyrë.
Ato që Rama po u bën qytetarëve është reale, bizneseve dhe gjithkujt tjetër, kemi një të sëmurë, një të çmendur që bën ç’ti teket nuk pyet as për ligj as për Kushtetutë, as për rregulla minimale të qytetarisë, por bën çdo gjë që i mbushet mendja, ka shkatërruar biznese ka shkatërruar jetë qytetarësh, familje të tëra dhe gjithçka.
Përpjekjet e deputetëve dhe rezistenca jonë në parlament ka dhënë një sinjal të fortë jo vetëm për ndërkombëtarët, por ajo që është më e rëndësishme edhe për shqiptarët”, tha Paloka.