Rama gati për të betonizuar zonat e mbrojtura!

12 deputetë të Partisë Socialiste kërkojnë ndryshimin e ligjit “Për zonat e mbrojtura”, me qëllim hapjen rrugë investimeve në ato territore, që aktualisht janë të ndaluara.

Përmes një projektligji të depozituar në Kuvend, deputetët e argumentojnë nevojën e ndryshimit të ligjit me pengesat e krijuara në terren për të zhvilluar projekte brenda zonave që gëzojnë status mbrojtjeje, që ligji aktual e ndalon për shkak të dëmeve të pakthyeshme që sjellin në mjedis.

Drafti kërkon ndryshime edhe për “Parqet Kombëtare”, që janë ndër zonat me kategorinë më të lartë të mbrojtjes, duke kërkuar të bëhen përjashtime në rastet kur Këshilli Kombëtar i Territorit, ministria përgjegjëse apo bashkitë përkatëse evidentojnë se investimi është i një niveli të rëndësisë kombëtare, por që gjithsesi duhet të respektojë kriteret e mbrojtjes.

Sipas relacionit shoqërues, projektligji ka si qellim rregullimin e disa problematikave që vijnë si pasojë e zbatimit te ligjit aktual në terren. Gjithashtu, sipas deputetëve ligji aktual nuk zgjidh ngërçe që ekzistojnë në realitet, si mbivendosja e “Zonave me Perparesi Zhvillimi” me “Zonat e Mbrojtura”.

Projektligji i propozuar nga 12 deputetë socialistë

Kjo nuk është hera e parë, që synohet t’i hapet rrugë investimeve brenda zonave të mbrojtura. Në janar të vitit 2022, qeveria miratoi hartat e reja që frazmentarizonin këto territore, pas një procesi që është kundërshtuar ashpër nga organizatat e shoqërisë civile që operojnë në fushën e mjedisit.

Tashmë kjo çështje është depozituar edhe në gjykatë, teksa organizatat kanë argumentuar se “vendimet synojnë të ligjërojnë shkatërrimin e zonave të mbrojtura bregdetare dhe ligatinore të Shqipërisë, duke prekur Liqenin e Shkodrës, ekosistemin Bunë-Velipojë, ligatinat Kune-Vain, Tale dhe Patok, Parqet Kombëtare të Divjakë-Karavastasë dhe të Butrintit, si dhe zonat Vjosë-Nartë e Pishë-Poro”./SCAN

About Redaksia

Check Also

Shantazhi/ Bardhi: Janë presion për përgjimet që disponoj nga “Sky Ecc”

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi foli mbrëmjen e sotme për mesazhet shantazhuese …