Nga Alba KEPI
Romë, Itali
Dita e arbëreshëve, parada e shqiptarëve në diasporë, turizmi, shkollat Shqipe, sipërmarrës emigrantë, profesionistë e aktivistë ulur panel pas paneli ku asnjë prej tyre nuk kishte temë të drejtën Kushtetuese për të votuar.
E sa shqiptar i respektuar mund të jesh kur nuk të garantohet vota në vendlindje?
Baballarët e mendimit intelektual të Diasporës u varrosën për së dyti.
Nga “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip” e Stambollit” e “Degët e Shoqërisë së Stambollit” nëpër botë, nga Shoqëritë “Ditura” e “Drita” në Bukuresht, Shoqëria “Dëshira” në Sofje, “Vëllazëria e Shqiptarëve ” në Egjipt, nga Lëvizja kombëtare e arbëreshëve të Italisë, kemi mbërrit sot në shoqata diasporiane organikë Ministrie.
Dikur “Flamuri i Arbërit” i De Radës, revista “Dituria” e “Drita” (Lumina), gazeta “Shqipëtari” (Albanzul), “Liri e Shqiperise’ e shtypshkronja “Mbrothësia” (Përparimi), tekstet “Dheshkronja” e Sami Frashërit, “Radhuashkronja”, “Numërmësonja” e “Mirëvetia” e Jani Vretos, “Bagëti e bujqësi”, “Lulet e verës”, “Istoria e përgjithshme”, “Dëshir’ e vërtetë e shqiptarëve”, “Mësimet” e Naim Frashërit, “Dituritë” e Naim Frashërit e shumë të tjera, sot është krijuar media e samite diasporiane. komanduar nga centralizmi ekzekutues.
Pavarësia e mendimit të lirë e patriotike e baballarëve të diasporës shqiptare, është zvendësuar nga nepotizmi, qokat e rekomandimet e misionerëve elektoralë të pushtetit.
Klasa politike e institucionale në Shqipëri e ka të qartë fuqinë e Diasporës në faktorizimin e pushtetit.
Jo më kot, pasi i mbajti me shpresë virtuale takimesh, pasi iu vuri mikrofonat e hapi dyert e studiove televizive aktivistëve të shfaqur magjishëm që në 30 vite beteje diasporiane paragjykimesh e të drejtash civile nuk i kishim dëgjuar kurrë, krijoj fotografinë diabolike të skenës së parë të filmit: “heshtja ndaj votês së emigrantëve.”
Një ushtri institucionale hallkash zinxhiri që lidh shoqëri civile, grupe shoqatash e aktivistë, dhoma tregtie e biznesi, organizma ekonomike kombëtare e ndërkombëtare, projekte e fonde kulture e sociale, këshilla e komitete deri në nivele diplomatike, ka përgatitur bazën që Diaspora të mos jetë më element faktorizues e kritik i pushtetit, por shërbyes i saj.
I ngjan një komedie groteske në Domus Aurea të Neronit ku janë pozicionuar figura vegjetale, figuricka humane e shtazë ekstravagantë në skena rrëfimi.
Baballarët e mendimit intelektual të Diasporës Shqiptare janë varrosur për së dyti nga turpi.
Ligji shqiptar i ka fiksuar qeverisë si afat të fundit muajin janar 2024 per te shpallur modalitetet e votes së Diaspores nëse synohet pjesëmarrja e saj në zgjedhjet legjislative të 2025.
E ky Samit që u mbyll sot tregoi se loja është kryer;
Heshtje deri në aprovimin e zgjedhjes më komode për centralizmin ekzekutues!
Samiti u mbyll!
Heshtja e tij varrosi o balsamosi votën e diasporës!