Qeveria, 520 milionë lekë të tjera shtesë për aksin Korçë-Ersekë!

Përfundimi i lotit të dytë të aksit rrugor Korçë – Ersekë do të kërkojë 520 mln lekë shtesë. Financimi do të nisë në vitin 2024, ku në projektbuxhet është parashikuar vlera prej 104 mln lekë, teksa shtesa ka ardhur pas modifikimit të kontratës fillestare, që ka një vlerë prej 2.6 mld lekë.

Gjithsesi, kjo shumë është vetëm gjysma e kostos për këtë lot të rrugës, pasi po ndërtohet përmes 2 kontratave. Kontrata për pjesën e parë të këtij segmenti ka një vlerë prej 2.82 mld lekë. Kjo do të thotë se në total, së bashku me shtesën e kontratës, kosto për ndërtimin e lotit II të aksit rrugor Korçë – Ersekë arrin në 6 mld lekë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, aktualisht aksi rrugor Korçë – Ersekë ka një gjatësi prej 45 kilometrash, ndërsa me përfundimin e segmentit të ri distanca shkurtohet në 35 kilometra. Punimet në këtë aks janë zvarritur prej vitesh, duke qenë se zbatimi i projektit nisi qysh në vitin 2013, ndërkohë që në shtator të vitit 2018 përfunduan punimet në një gjatësi prej 17.6 km që përfshinin vetëm lotin e parë.

Ndërkohë që, aktualisht, punimet kanë avancuar vetëm në lotin 2, ndërsa për lotin 3 nuk kanë nisur ende procedurat tenderuese. Rruga Korçë-Ersekë është një aks kyç në rajonin jug-lindor, ndërsa projekti parashikon ndryshime të rrugës aktuale, duke shmangur disa prej segmenteve, të cilët në dimër paraqesin problematikë nga ngricat dhe bora./Scan

About Redaksia

Check Also

Skandali/Rama rishpall koncesionin 437 milionë euro për 17 kilometra rrugë, ose 26 milione euro/kilometri

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur tenderin për të dhënë me koncesion ndërtimin e …